Gjirokastër, shtëpitë karakteristike në Dhoksat, drejt rrënimit të plotë
Shtëpitë karakteristike monument kulture në fshatin Dhoksat në rrethin e Gjirokastrës po shkojnë drejt rrënimit të plotë. Banesat të cilat gjenden në zonën e Lunxhërisë në pjesën lindore të luginës së Drinos rrëzë malit Lunxhëri, të ndërtuara gati 250 vjet më parë sipas stilit otoman, kanë një ngjashmëri me shtëpitë karakteristike të qytetit të Gjirokastrës-pohojnë specialistët e monumenteve.
Këto banesa të cilat mbartin të njëjtat vlera arkitektonike, kulturore e historike si ato të pjesës muzeale të Gjirokastrës, janë braktisur prej vitesh nga përkujdesja e shtetit. Shtëpia e Cucajve, Kokolajve, Lefterajve etj të ndërtuar me gur dhe dru, janë mbrojtur dhe ruajtur me fanatizëm vetëm nga pronarët e tyre por jo nga shteti i cili i ka lënë ato në atrofizim të plotë. Banesa e Lefterajve është rehabilituar nga të zotët për të mos u shembur, por kjo ndërhyrje ka sjellë devijimin total të formës origjinale arkitektonike dhe në një pjesë të konsiderueshme është shndërruar në një banesë të zakonshme. Vasil Cuci pronar i banesës së Cucajve shprehet për gazetën se shtëpia që ai ka trashëguar nga paraardhësit, është ndërtuar sipas stilit të vjetër me tavane prej druri me zbukurime të shumta e mbuluar dhe e shtruar me dërrasë, ndërsa në të gjenden edhe hajati, muslluku i ujit, ballkoni i mbuluar, mindere përreth, muret me gur e dritare druri, si dhe dhoma e gjumit e gjitha me musandara ku vendosen rrobat. Cuci shprehet se nga të parët ka mësuar se për ndërtimin e kësaj banese janë vënë në punë gati 200 mushka për transport në mungesë të një rruge normale. Vasil Cuci tregon se ndonëse banesa e tij ndodhet në fshat, ajo është vizituar nga turistë të shumtë nga Hollanda, Anglia , Franca, Italia etj. Gati çdo verë në banesën e Cucit mbërrijnë vizitorë për turizëm famijlar duke qëndruar disa orë dhe soditur shtëpitë karakteristike duke u shplodhur më pas nën hijet e rrepeve të zonës. Brenda tyre shijojnë edhe gatimet karakteristike të Lunxhërisë. E shoqja e Cucit gatuan dhe turistët pasi shijojnë këto gatime interesante dhe mrekullohen me mjediset e shtëpisë, largohen drejt destinacioneve të ndryshme. Ky është një ritual që përsëritet çdo verë por tashmë banesa e Cucajve dhe të gjitha të tjerat të këtij lloji, po shkojnë drejt degradimit. Në këtë banesë është investuar që në vitin 1981 dhe qysh atëherë ajo ka mbetur në mëshirë të fatit. Pronari, por edhe komuna nuk kanë mundësi financiare dhe kështu rikonstruksioni i tyre mund të realizohet me të ardhurat shtetërore pasi asistenca e shtetit në këtë periudhë është e domosdoshme për të mbajtur gjallë vlerat karakteristike të zonës.