E Shtunë, 31 Tetor 2026

Terminator Salvation, vjen dita e gjykimit

Harrojeni të shkuarën, sepse regjisori McG e Christian Bale ju ftojnë të përfshiheni në rezistencë për mbijetesën e njerëzimit! Mbërrin në kinema Millenium filmi i katërt i sagës Terminator. Filmi ka për protagonistë aktorët  Christian Bale (që ka interpretuar në fimin Kalorësi i zi; Batman), Sam Worthington (Avatar), Anton Yelchin (Star Trek), Moon Bloodgood (Katastrofë në Hollivuds), Bryce Dallas Howard (Spider-Man 3), Common (Wanted), Jane Alexander (Il mai nato) e Helena Bonham Carter. Është viti  2018. Dita e gjykimit ka mbërritur duke përmbytur qytetërimin modern. Një ushtri e Terminator kalon në të gjithë territorin postapokaliptik, duke vrarë e duke kapur njerëzit të cilët fshihen në qytetet e izoluara apo në shkretëtira. Por grupe të vogla të të mbijetuarve janë organizuar në një rezistencë, duke u fshehur nëpër bunkerë nëntokësore dhe duke luftuar sapo u jepet mundësia kundër një force shumë të superiore se ata. Këto makina Terminator i kontrollon rrjeti i inteligjencës artificiale i quajtur Skynet, i cili është bërë i vetëdijshëm për aftësitë e tij 14 vjet më parë dhe në një moment të caktuar i është kundërvënë krijuesve të vet, duke çuar në shkatërrimin bërthamor një botë që nuk kishte as dyshimin më të vogël për atë që do ti ndodhte. Vetëm një njeri kishte parashikuar ditën e gjykimit, një burrë, jeta e të cilit është lidhur gjithnjë me mbijetesën e qenies njerëzore: John Connor (interpretuar nga aktori Christian Bale). Tani bota rrezikon të mos ketë të ardhme, për të cilën ka punuar aq shumë Connor gjatë gjithë jetës së tij. Por është dikush që vjen nga e shkuara dhe i jep shpresë planit të tij për të shpëtuar botën. Së bashku me Marcus Wright ( interpretuar nga Sam Worthington), ata do të hyjnë në zemër të rrjetit të Skynet për të nisur një luftë të ashpër. Mendova se e njihja mirë armikun tim, por paska ndryshuar. Makinat janë bërë më të shumta se njerëzit, por ne kemi kaq shumë forcë sa nuk mund të bëhemi skllevër. Unë jam  John Connor e nëse dëgjoni këtë mesazh atëherë jeni bërë pjesë e Rezistencës. Këto janë fjalët e shqiptuara nga Christian Bale  në trajlerin e dytë të filmit  Terminator Salvation, me të cilin bëhet një ringjallje e sagës së famshme pikërisht në 25 vjetorin e krijimit të saj. Rikthehen kështu në ekranin e madh, makinat Terminator me aventura që të bëjnë të mbash frymën deri në fund. Fansat e tre filmave të parë do të kenë mundësi që të shohin nga sot e në vazhdim projeksionet e episodit të katërt në kinema Millennium.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›