E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjirokastër, të moshuarit rendin drejt letërnjoftimeve, shkak penalizimi

Pas shtrirjes së procesit të pajisjes së shtetasve me karta identiteti edhe në njësi të tjera të qeverisjes vendore në Qarkun e Gjirokastrës, numri i aplikantëve ka njohur rritje. Informacionet e marra pranë Institucionit të Prefektit bëjnë të ditur për gazetën se shifrat e personave që kanë aplikuar për tu pajisur me këto karta janë të konsiderueshme. Fluksin më të madh e ka Bashkia e Gjirokastrës, me 682 persona që kanë aplikuar nga 921 aplikantë në 4 njësi vendore në të tri rrethet e Qarkut ku ka nisur ky proces. Ndërkaq, në zyrat e vendosura në dispozicion për këtë qëllim në Bashkinë e Gjirokastrës, megjithë rritjen e numrit të personave që paraqiten, puna ka ecur normalisht. Nga të dhënat e kalkuluara disa javë më parë, në Bashkinë e Gjirokastrës ekzistojnë rreth 3100 persona çka përbëjnë rreth 1/8 e zgjedhësve, të cilët nuk janë të pajisur me pasaportë ndërkombëtare. Kjo kategori është e favorizuar për tu pajisur fillimisht me dokumentin e ri të identifikimit duke vazhduar më pas me personat e tjerë të cilët kanë pasaportë. Të dhënat e servirura, bëjnë të ditur se numri më i madh i aplikantëve është i moshave të treta dhe pak i të rinjve. Megjithë apelet e shumta të institucioneve në qendër për integrimin e njerëzve të jenë pjesë e këtij procesi, të rinjtë duket se janë më pak të predispozuar ndaj tij. Në Qarkun e Gjirokastrës janë rreth 17500 persona ose 1/6 e personave me të drejtë vote që nuk disponojnë pasaporta dhe që do të pajisen të parët me karta identiteti, për tju shmangur në këtë mënyrë sanksioneve ligjore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›