E Diel, 1 Nëntor 2026

PDS, Duçkallari: Berisha i trajton mësuesit si potencial elektoral

Partia Demokracia Sociale, nëpërmjet Sekretarit Politik, Artur Duçkallari uroi ditën e  7 Marsit të gjithë mësuesit dhe pedagogët për festën e tyre. Duçkallari deklaroi se PDS konstaton se arsimi shqiptar ka avancuar drejt arritjes së standardeve cilësore, duke u përpjekur të përputhet edhe me zhvillimin e nevojat e shoqërisë. Investimet private në këtë drejtim kanë luajtur rolin e tyre pozitiv, duke sjellë një liberalizim të ndjeshëm, veçanërisht në arsimin e lartë. Por, në këtë kuadër sipas Duçkallarit reformat qeveritare në fushën e arsimit kanë mbetur gjysmake. Këto reforma të pasakta dhe papërfunduara, u shpreh ai mbollën edhe universitete që prodhojnë vetëm diploma, ndërsa tregu i punës ka nevojë për të diplomuar të kualifikuar. Duçkallari deklaroi se PDS në qeverisjen e ardhshme, pas zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit, do të jetë prioritare një reformë e plotë e arsimit të lartë. Ai shtoi se certifikimi i universiteteve sipas standardeve europiane, kontrolli dhe jo ndërhyrja ndaj tyre, do të krijojnë mundësinë që prindërit të paguajnë për të shkolluar cilësisht fëmijët dhe jo per tju shtuar nga nje karton me shume ne dokumentet e tyre.. Nga ana tjetër, krijimi i mundësive që arsimi i lartë publik të rrisë kapacitetet akademike dhe skemat e financimit, do të jetë një prioritet i PDS. Sipas tij, qeveria e Kryeministrit Berisha po përpiqet ti trajtojë mësuesit, jo për rëndësinë që ata kanë, por thjesht dhe vetëm si një potencial elektoral. Lojërat Berisha-Beja për pushimin nga puna të disa mijëra mësuesve, premtimet për shtesë page dhe kërcënimet me largim për ata që kanë bindje të majta, janë skema të shëmtuara dhe aspak të denja. Mësuesit shqiptarë nuk meritojnë të trajtohen nga Berisha si një mall elektoral, por ata duhen respektuar, duke i vlerësuar maksimalisht për punën që bëjnë, u shpreh Duçkallari.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›