Korçë, festohet 122 vjetori i çeljes së shkollës së parë shqipe
Plot 122 vjet më parë, në qendrën e kulturës shqiptare në Korçë është hapur shkolla e parë shqipe. Kështu, ditën e djeshme është festuar me aktivitete të shumta dita e mësuesit, por dhe e mbarë arsimit kombëtar. E natyrisht, në Korçë kjo festë merr të tjera vlera për vetë lidhjen e ngushtë që ka ajo me njerëzit e arsimit.
Më 7 Mars 1887 u çel shkolla e parë në gjuhën amtare. Kjo shkollë në fillim kishte mbi 35 nxënës, mësohej në gjuhën shqip, nuk kishte përmbajtje fetare dhe mësonin pa dallim vajza dhe djem. Në fillim ajo kishte 4 klasa, pas 3 muajve arriti shifrën 60 nxënës dhe në vitin e dytë 300 nxënës. Mësuesit e parë që dhanë mësim ishin Pandeli Sotiri, Thanas Sina, Thoma Avrami etj. Si drejtues të shquar të kësaj shkolle përmendim atdhetarët e njohur Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, Kristaq Vaja etj. Muzeu i Arsimit Kombëtar në të cilin është kthyer kjo shkollë simbol, ndodhet në qendër të qytetit për të pritur gjatë me qindra vizitorë jo vetëm nga Korça, por nga i gjithë vendi. Aktivitet kanë qenë të shumta, ndërsa sipari i tyre është hapur me një ekspozitë të koleksionistëve korçarë, të cilët për herë të parë kanë ekspozuar botimet më të rralla në gjuhën shqipe. Në këtë ekspozitë e organizuar nga bashkia e qytetit merrnin pjesë qindra vizitorë, të cilët janë njohur nga afër me Mësënjtoren e Parë Shqipe. Madje dhjetëra autobusë kanë mbërritur nga Kosova dhe Maqedonia për të festuar në Korçë 7 Marsin. Nga ana tjetër, Drejtoria Arsimore në këtë qytet ka shpërndarë 130 lule për mësuesit e qytetit të kitarave në shenjë respekti dhe mirënjohje. Por duket se gëzimi i festës ka nxitur shkollat e ndryshme të qytetit të organizojnë festat e tyre për mësuesit. Dhe më e veçanta e këtij viti ka qenë aktiviteti i organizuar nga nxënësit e shkollës së mesme profesionale Demir Progri, në të cilën mësojnë vetëm djem. Një program krejt ndryshe nga nxënësit të përgatitur nga mësuesja e tyre e letërsisë kanë sjellë për mësuesit, të cilët i kanë bërë jo vetëm ti duartrokasin, por edhe të derdhin lot. Shfaqja ka qenë si prej profesionistësh të vërtetë dhe me humor janë imituar figurat e mësuesve duke ngjallur një atmosferë tepër gazmore në ditën speciale. Aktiviteti i shkollës profesionale mekanike ka qenë më pikanti, por të tjera janë organizuar dhe në disa shkolla të qytetit.