Gjirokastër, zbulohet depoja e antitankeve
Vetë banorët kanë denoncuar në polici ekzistencën e këtyre municioneve. Mister pronarët e tyre
GJIROKASTËR- Një sasi e konsiderueshme armatimesh, e mbetur qysh prej ngjarjeve të vitit 1997 është gjetur dhe sekuestruar mëngjesin e së enjtes, në dalje të qytetit të Gjirokastrës. Por policia nuk ka bërë ende të mundur identifikimin apo ndalimin e poseduesve të këtyre municioneve. Për këtë arsye policia ka kërkuar bashkëpunimin e komunitetit për grumbullimin e municioneve luftarake që përbëjnë rrezik serioz për jetën e banorëve.
Kanë qenë informacionet e marra në rrugë operative për ekzistencën e një sasie të madhe armatimesh ato që prej disa ditësh kanë vënë në lëvizje specialistët e Policisë Kriminale në komisariatin e Gjirokastrës. Ndërkaq, kërkimet disaditore janë finalizuar mëngjesin e djeshëm, pas një kontrolli të ushtruar në tunelet që dikur përdoreshin nga një repart ushtarak. Specialistët e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Specialistët e Armatim- Municioneve në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër kanë ushtruar një kontroll mbi lagjen SMT të qytetit Gjirokastër, në tunelet e ish- repartit ushtarak “Ish- Brigada e 5-të” në vendin e quajtur Leknjas. Si rezultat i këtij kontrolli, në brendësi të njërit prej këtyre tuneleve është bërë i mundur evidentimi i një sasie të madhe municionesh luftarake shumë të rrezikshme”,- ka bërë të ditur zëdhënësi i policisë, Gentian Mullai. Kështu, është bërë e mundur gjetja dhe sekuestrimi i 40 predhave kundratank model 69, 200 granatave dore mbrojtëse (difensive), 200 copë ndezës të këtyre granatave, 11.180 copë fishekë luftarakë model 56 si dhe 12 krehra fishekësh model 56. Mësohet se sasia e armatimit është transportuar nën masa sigurie për në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, ndërsa po punohet për evidentimin dhe ndalimin e poseduesve të mundshëm të këtyre municioneve luftarake. Kjo sasi armatimesh është ndër më të mëdhatë të sekuestruara nga policia përgjatë viteve të fundit në qarkun e Gjirokastrës. Ndërkohë, Drejtoria e Policisë së Qarkut Gjirokastër, i bën thirrje edhe njëherë komunitetit që të bashkëpunojë për evidentimin dhe grumbullimin e të gjithë municioneve luftarake të mbetura që prej vitit 1997, pasi këto municione janë një rrezik potencial për jetën e banorëve.