Shkodra në flakë, nuk ka dëme në njerëz
SHKODËR- Disa vatra zjarri janë shfaqur në qarkun e Shkodrës në 24 orët e fundit por pa shkaktuar dëme në njerëz. Një mjet, në pronësi të shtetasit Gjin Blinishti, ka marrë zjarr dhe është djegur si pasojë e një qarku elektrik, ndërsa ishte i parkuar tek ish-ndërmarrja e konservave në zonën industriale të Shkodrës. Ndërhyrja e zjarrfikëseve e ka shuar zjarrin pa u përhapur, ndërsa nuk ka pasur të dëmtuar. Në komunën qendër, në rrethin e Malësisë së Madhe është shfaqur zjarr tek disa gardhe e shkurre, pa shkaktuar probleme. Zjarri ka shkrumbuar edhe bazën ushqimore të bagëtive, pranë një banese në fshatin Ças të komunës së Velipojës. Bazë ushqimore është djegur dhe në fshatin Luarzë të Velipojës, rreth orës 15. 15 të ditës së djeshme, ndërsa në fshatin Baks i Ri është shfaqur zjarr tek disa shkurre, pa shkaktuar dëme. Pas shuarjes së zjarrit të rënë një ditë më parë tek ambientet e ish-repartit ushtarak në Tepe, mësohet se prej tij janë djegur rreth gjashtë dynym shkurre e pemë, mes të cilave dhe disa rrënjë ullinj në lagjen Draçin. Një tjetër zjarr me përmasa të mëdha është shfaqur në fshatin Grizhë të komunës Gruemirë në rrethin e Malësisë së Madhe, ku përveç shkurreve janë djegur dhe sipërfaqe të mbjella me hamullore, një banesë dykatëshe e pabanuar, një kullë bari dhe janë rrezikuar rreth 30 shtëpi banimi që ndodheshin pranë vatrës së zjarrit. Zjarri ka përfshirë dhe një kabull elektrik në qytetin e Shkodrës. Gjithashtu vatra zjarri janë shfaqur dhe në afërsi të stacionit të trenit në Shkodër, në afërsi të ish-thertores pranë urës së Bunës ku janë djegur mbeturina si dhe në Vekshar tek kodrat në afërsi të lagjeve Tepe e Draçin.
------------------------------------------------------Shkodër, pranga për korrupsion dy policëve rrugorë
SHKODËR- Dy efektivë policie janë vënë në pranga nga kolegët e tyre , pasi akuzohen për korrupsion pasiv. Petrit Nikolli , me detyrë shef i linjave të sektorit të qarkullimit rrugor në komisariatin e policisë së Pukës dhe Besnik Sokoli, efektiv i policisë së qarkullimit rrugor po në komisariatin e policisë Pukë, janë vënë në pranga me akuzën e korrupsionit pasiv. Ka qenë Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, sektorii cili prej disa kohësh mësohet se ka hetuar e grumbulluar informacion për aktivitetin e dy efektivave të policisë rrugore të Pukës. Vetëm pasi janë kryer veprimet përkatëse nga ky sektor dhe janë grumbulluar provat përkatëse, është vendosur ndalimi i tyre. Në momentin e ndalimit, dy efektivave të policisë së qarkullimit rrugor të Pukës u janë gjetur e sekuestruar si provë materiale një sasi kartëmonedhash të huaja dhe shqiptare. Mësohet se polici rrugor dhe shefi i linjave ushtronin presion ndaj drejtuesve të automjeteve, kryesisht atyre me targa të huaja , mjeteve të shtetasve kosovarë , por dhe shqiptarë , për bllokim automjetesh e vënie gjobash në shuma ë mëdha dhe pasi merrnin para prej tyre , atëherë i linin të kalonin. ---------------------------------------------Pukë, arrestohen dy kultivues hashashi
PUKË- Bien në prangat e policisë dy kultivues bimësh narkotike. Ardian Laçi është kapur në flagrancë nga policia teksa po i shërbente duke i ujitur, dy parcelave ku kishte mbjellë 70 rrënjë bimë narkotike kanabis sativa. Në një distancë rreth 50 m larg parcelave që po vaditeshin nga Laçi ,është gjetur dhe një armë zjarri automatik mod. 56, që ai e mbante pa leje . Pas arrestimit të tij dhe marrjes në pyetje nga policia, mësohet se Ardjan Laçi ka pohuar se këtyre dy parcela të mbjella me kanabis sativa u kanë shërbyer së bashku me shtetasin Fatjon Gërçari, 25 vjeç, lindur e banues në Pukë. Pas kësaj , policia ka bërë arrestimin edhe të shtetasit Fatjon Gërçari dhe materialet në ngarkim të tyre i kanë kaluar prokurorisë së Pukës.