E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tre dëshmi tiranase për prejardhjen e emrit Zogu i Zi

SHËNIM I REDAKTORIT - Pjesa e mëposhtme është dërguar në Kontakt nga z.Fejzulla Gjabri, studiues, dhe është një përmbledhje e një studimi për një nga toponimet më interesante të Tiranës: zonën e Zogut të Zi

Janë mundësitë për të shfrytëzuar shansin e kësaj simbolike në favor të së mirës së përgjithshme

Kur pyet për toponimin Zogu i Zi, shumë njerëz rrudhin krahët e shumë të tjerë shprehen me nënqeshje. Banorë nga Tirana e hershme, japin variante të ndryshme të toponimit Zogu i Zi. Disa tregues e lidhin me kohët e reja, por duket se nuk është krejt ashtu.

Në një revistë të vitit 1942, flitet për një çezme, që kishte të gdhendur një zog. Pikërisht te kjo çezmë duket se del dhe toponimi i Zogut të Zi. Çezmën e mbajnë mend edhe banorët e sotëm. Ka qenë një krua, i ndërtuar me gurë. Në një gur ishte gdhendur një zog, i gdhendur në një gur të zi. Ky është fakt. Në ketë krua vinin e mbushnin ujë shumë familje që banonin rretheqark. Edhe një krua tjetër ishe nga ana e Fushës së Aviacionit të sotëm, që i thonin Kroi i Shnjinit. Sipas disa banorëve, nga zogu që ishte gdhendur në gur të zi, i mbeti Zogu i Zi.

Ka edhe një tregim tjetër më popullor. Një banor i hershëm ka dhënë këtë dëshmi: Aty ku sot i thonë Zogu i Zi, ka qenë në çezmë. Ishte e ndërtuar me gur dhe mbushnin ujë shumë familje. Kroi kishte një histori të vjetër. Aty kish ndrru jetë një djalë i ri. E varrosën aty. Thonë se ishte nga një fshat i Tiranës, më duket nga Ahmetaqi. Një vit rresht nana e vet vinte nga larg e qante mbi vorrin e tij, që thonë se pas një viti vdiq. Pasi ajo sishte ma, vinte e ulej mbi atë vorr një zog i zi. Edhe deri vonë asht knue një kangë: Ku po knonte zogu i zi?/ -Nshpinë të vorrit djalit ri.

Nga ky fshat erdhën njerëz dhe ndërtuan një çezme me gurë të zi, ku gdhendën përsipri një zog. Kështu këtij vendi i thanë Zogu i Zi, prej këtij zogu që gdhendën mbi çezme. Në kulturën popullore zogu i zi është konsideruar dhe si pasqyrim i shpirtit, i dhimbjes, i lotëve, i vështirësive, etj.

Në kohët e vona, toponimi Zogu i Zi filloi të lidhet me një klub prostitucioni, që u ngjan moteleve të sotme, por qëndroi për pak kohë (deri në 1944). Në ketë tregim thuhet:

Tirana ishte e vogël. Shtëpitë shkonin deri ku janë sot ambasadat. Prej aty, ku sot kalon Rruga e Durrësit, fillonte një përrua i vogël që derdhej në Lanë. Në breg të këtij përroi ishte një klub. Kati i parë shërbente edhe për kafe, edhe për ushqim. Kati i dytë kishte anekse për të ba qejf. Bash për ketë arsye filluan ti thonë Zogu i Zi. Në ketë klub, kishte edhe shqiptarë, por ma shumë italianët që punonin në Tiranë....

Ky tregim nuk është në atë nivel, sa të krijojë një toponim të kësaj përmase. Koha e shkurtër e funksionimit, mendësia kolektive për objekte të tilla, bëjnë të mendosh se toponimi ska lidhje me klubin. Dhe kujtesa popullore zakonisht nuk i regjistron objekte të tilla, aq sa ti japë gjithë vendit rretheqark emrin. Nisur nga ky arsyetim, toponimi Zogu i Zi është shumë më i hershëm, lidhet me një dhimbje, që u përjetësua për shumë kohë me simbolin e zogut të zi të vendosur në një krua.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›