Gjirokastër, zjarr në konviktin e studenteve, ndërhyjnë zjarrfikësit
Shpërthimi i papritur i kabinës kryesore elektrike në katin e parë të konviktit të studenteve të Universitetit Eqrem Çabej të Gjirokastrës, ka shkaktuar panik tek 300 bujtëset. Ngjarja ka ndodhur në orën 15:00 ditës së djeshme, por menjëherë është lokalizuar falë ndërhyrjes së zjarrfikësve. Burime zyrtare nga Komisariati i Policisë së Gjirokastrës, thanë për gazetën nga vendi i ngjarjes, se, shpërthimi i kabinës elektrike ka ardhur si pasojë e mbingarkesës dhe falë ndërhyrjes në kohë të punonjësve të policisë lokale dhe shërbimit zjarrfikës, është bërë i mundur evakuimi i studentëve, si dhe shuarja e flakëve të zjarrit.
Të gjithë banorët e godinës gëzojnë shëndet të mirë dhe fatmirësisht asnjë prej tyre nuk është plagosur, shprehen burime zyrtare të policisë, duke nënvizuar se, godina katërkatëshe e ndërtuar 20 vjet më parë, nuk plotëson kushtet e daljes së emergjencës. Nga na tjetër, vetë studentet nuk kanë ditur se çfarë të thonë në këtë rast, përveçse kanë falënderuar autoritetet që shpëtuan gjithçka ato kishin në dhomat e konviktit. Dua të falenderoj punonjësit e policisë lokale dhe shërbimit zjarrfikës, që bënë të mundur qetësimin e situatës dhe eliminimin e dëmeve materiale, shprehen studentet konviktore. Në qytetin e Gjirokastrës ekzistojnë katër konvikte, dy në shërbim të shkollave të mesme profesionale dhe dy në funksion të studentëve. Nga këto tre objekte ndodhen në lagjen 18 shtatori dhe një në lagjen Punëtori. Pothuajse të gjitha objektet kolektive nuk ekziston asnjë dalje emergjence. Në shumë raste është dashur ndërhyrja energjike e punonjësve të zjarrfikëseve, të cilët në disa raste kanë rrezikuar jetën për të shpëtuar jetën e rinjve.