E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reshjet, Fierza drejt niveleve maksimale

Reshjet e ditës së djeshme kanë vazhduar që të rrisin nivelin në kaskadë, duke rritur shpresat për furnizim
Reshjet e ditës së djeshme kanë përfshirë të gjithë vendin, duke vazhduar që të sjellin shpresa për një shtesë në furnizimin me energji. Ndërprerjet gjatë 2 javëve të para të këtij viti, kanë qenë të detyruara kryesisht nga defektet e rrjetit që kanë ardhur për shkak të mbingarkesës. Fierza ka vazhduar që të ketë një rritje me rreth 10 cm në ditë, ndërsa prodhimi vazhdon që të jetë në nivele të larta. Aktualisht, niveli i ujit në liqenin e Fierzës është 285 metra dhe prurjet e ujit janë 200 metër/kub ujë në sekondë. Si pasojë e situatës së mirë hidrike në vend, KESH ka rritur ndjeshëm prodhimin e energjisë, e cili arrin në 12.7 milionë kilovat/orë. Gjatë këtyre ditëve, si rrjedhojë e punimeve në nënstacionin e Sharrës, në Tiranë ka pasur kufizime të ndjeshme të energjisë, të cilat duket se janë zgjidhur me futjen në punë të transformatorit të ri.
Përmirësimi i situatës
Pas 2 vitesh me radhë, që vendi ishte në një krizë të thellë energjie, duket se kanë ardhur ditët e para ku të gjithë kanë filluar të mendojnë se në Shqipëri mund të ketë energji në pjesën më të madhe të ditës. Jo vetëm për specialistët e energjisë, por edhe për qytetarët, është e qartë se me mungesën totale të investimeve gjatë këtyre viteve, mundësia e vetme që na mbetet për të pasur energji, është të drejtojmë sytë nga qielli. Prej më shumë se 2 muaj vendi është përfshirë nga masa ajrore të lagështa që kanë sjellë reshje të shumta, duke çuar nivelin e Fierzës nga pika kritike, në nivele maksimale. Në këto kushte, arritja në nivelin e 285 metra të Fierzës i garanton vendit një furnizim më të mirë me energji
Kriza e KESH
Por, sipas FMN, KESH mbetet një kompani me probleme të mëdha financiare, që vijnë për shkak të mosarkëtimit të energjisë. Korporata Elektroenergjitike Shqiptare, sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, ka pësuar një humbje prej rreth 200 milionë dollarë gjatë vitit 2007, ndërsa vendi në pjesën më të madhe të kohës ka mbetur pa energji. Sipas FMN-së shkaku kryesor është në fakt arkëtimi, që është më i ulëti në rajon. "Në Shqipëri vetëm 50 për qind e asaj që përdoret, paguhet. Në vendet e tjera problematike të rajonit kjo shifër është 75 për qind. Kështu që duhet të bëhet shumë për të rritur arkëtimin. Por edhe nëse niveli i arkëtimit do të ishte shumë i mirë, me tarifat e tanishme prapë do të kishte humbje të mëdha. Për 2007-ën llogarisim se KESH ka pasur humbje prej 20 miliardë lekë, të cilat duhet të financohen diku, pasi nuk ka para` falas. E vetmja rrugë për të mënjanuar këto humbje është të rriten tarifat, të paktën tek kostoja. Dhe këtë e kemi kërkuar me ngulm",- ka bërë të ditur FMN. Sipas Fondit, sërish në KESH, një pjesë e madhe e energjisë vidhet, duke vënë nën përgjegjësi drejtimin e KESH për situatën që paraqitet si e përmirësuar, në një kohë që nivele të tilla humbjesh janë kritike për çdo kompani që operon në treg.
Treguesit në Kaskadë
285 metra niveli i ujit në Fierzë
200 m3/sek prurjet e ujit
10 cm rritja ditore
171.54 metra niveli i ujit në Koman
80 m3/sek prurjet e ujit
74.22 metra niveli i ujit në Vaun e Dejës
12.7 milionë kWh prodhimi i energjisë
8 milionë kWh importi
20.7 milionë kWh konsumi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›