E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjirokastër/Pranga grabitësit të postës,tjetri në kërkim

Policia e Gjirokastrës ka vënë në pranga autorin e grabitjes së një punonjëseje të postës dhe
ka shpallur në kërkim një bashkëpunëtor të tij.

Specialistët e Sektorit Kundër Krimeve të Rënda dhe të Seksionit Kundër Vjedhjeve me Dhunë , në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, pas një pune të gjatë hetimore kanë zbardhur ngjarjen e datës 04 gusht të këtij viti, ku dy persona të pa identifikuar vodhën me dhunë një punonjëse të Postës Shqiptare që shpërndante lekët e pensionistëve.

Punonjëses iu grabitën 1.4 milionë lekë të reja.

Si autori i ngjarjes është arrestuar 27 vjeçari Adriatik Mine , lindur dhe banues në Fier, i dënuar disa herë për veprën penale të "Vjedhjes".

Mine dyshohet se më 4 gusht rreth mesditës së bashku me një tjetër person të shpallur në kërkim, në lagjen "Varrosh" i kanë vjedhur me dhunë një punonjëse të Postës Shqiptare shumën prej 1.4 miljon lekë të reja , të cilat kjo shtetase i kishte tërhequr pranë filjalit të postës për t'ua shpërndarë pensionistëve në banesat e tyre.

Kapja e këtij shtetasi u bë nga ana e Specialistëve të Sektorit Kundër Krimeve të Rënda dhe të Seksionit Kundër Vjedhjeve me Dhunë në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr 4 Tiranë, në banesën e vet që kishte marrë me qera në Tiranë para një muaji.

Policia e Gjirokastrës po punon për arrestimin e autorit tjetër të përfshirë në grabitjen me dhunë të punonjëses së postës shqiptare .

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›