E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjirokastra e fillimit të shekullit XX

Foto të rralla të pjesëve që fatkeqësisht nuk ekzistojnë më e të një qyteti të ndryshuar shumë, Gjirokastrës, janë në fokus të ekspozitës "Gjirokastra në fillim të shekullit të XX". Aty gjen pamje të veçanta, të panjohura deri tani e që janë fiksuar gati një shekull më parë. Iniciativa e përbashkët e Drejtorisë Rajonale të Monumenteve të Kulturës dhe Zyrës së Administrimit dhe Koordinimit të qytetit-muze të Gjirokastrës në bashkëpunim me Institutin Italian "Dante Aligheri" dhe foto studio "Vito", prezantojnë gjithsej 50 foto. Një pjesë e mirë e tyre u takojnë ushtarëve dhe punonjësve italianë që jetuan në këtë qytet në vitet 1914-1918 dhe në periudha të mëvonshme e që ua kishin dërguar familjarëve të tyre për t'u treguar vendin ku jetonin. Për vite me radhë Instituti "Dantë Aligheri" ka mbledhur një pjesë të tyre, ku shfaqet një qytet krejt tjetër nga Gjirokastra ekzistuese, me ndërtesa që sot nuk janë më, me shtëpi që janë rrënuar plotësisht dhe me një qendër historike, e cila nuk ngjason aspak me atë që është tashmë pjesë e UNESCO-s. Kështjella, ujësjellësi, lagjet e sipërme etj, por edhe sarajet e Ali bej Këlcyrës, Ura e Tepelenës, ajo e Bënçës etj. "Hapja e kësaj ekspozite është një mundësi për të parë nga afër vlerat e rralla, që në shumicën e rasteve janë zhdukur gjatë regjimit komunist. Dua të falenderoj fotografët italianë, të cilët në fillim të shekullit të 20-të kanë qenë të pranishëm në këtë vend dhe sot, pas 100 vitesh këto foto janë kthyer në vlerat të çmuara për çdo gjirokastrit",- është shprehur drejtori i monumenteve, Spartak Drrasa. Të realizuara rreth një shekull më parë, krahas vlerave artistike edhe një dëshmi dokumentare të Gjirokastrës së atyre viteve, duke risjellë në kujtesë copëza historie të harruara.

 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›