E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ceka: Presidenti jo leckë për këpucët e kryeministrit

Kreu i PAD-së, Neritan Ceka, shprehet për "Panorama"-n se, ndryshimet kushtetuese që propozojnë dy partitë e mëdha përmbysin thelbin e republikës parlamentare. Sipas tij, i gjithë debati i ngritur ka dhe një prapavijë politike, atë të lënies në harresë të tragjedisë së Gërdecit.

Aristir Lumezi

Ceka thotë se, harta politike pas zgjedhjeve të vitit 2009 do të ketë ndryshime, e kryesisht formimin e grupimeve politike të reja.
Zoti Ceka, si e konsideroni procesin e shpejtë të ndryshimeve kushtetuese nga dy partitë e mëdha?
Mendoj se ka një mungesë transparence sepse shpjegimet janë naive. Nëse justifikohet e gjithë kjo shkelje procedurash normash, rregullash për ndryshimet kushtetuese, natyrisht që nuk mund të jetë argumenti që kjo bëhet për të hequr bezdinë e partive të vogla. Tradita shqiptare ka qenë që ndryshimet kushtetuese inicioheshin nga një komision i posaçëm parlamentar, kishte një debat publik, pastaj kishte një konsultë ndërkombëtare me Komisionin e Venecias, i cili është bashkëpunëtor në hartimin e Kushtetutës aktuale dhe vetëm atëherë vazhdonte procedura në komisionin e Ligjeve dhe në seancën plenare. Kjo është shkelur në mënyrë flagrante. Nga ana tjetër, nuk justifikohet një ndryshim i cili shkon përtej iniciativës, që ishte vetëm reforma zgjedhore. Pra, fillimisht pati një propozim për ndryshimet kushtetuese, që lidhen vetëm me sistemin zgjedhor dhe pastaj u prekën dhe pushtete të tjera, siç ishte pushteti i presidentit dhe pushteti i kryeministrit. U prish menjëherë ajo që quhet balanca e pushteteve, që është shumë e rëndësishme sepse ka të bëjë me kontrollin midis pushteteve. Nga ana tjetër, është e habitshme që brenda pak ditëve merren iniciativa që ndryshojnë në mënyrë rrënjësore këtë balancë; pra, janë tre variantet për zgjedhjen e presidentit, varianti aktual, që mund të mbetet nëse nuk miratohen variantet e tjera, varianti i presidentit nga populli që e kthen vendin në një republikë presidenciale dhe ndryshon tërë sistemin dhe variantin 50+1, i cili dobëson në mënyrë të ndjeshme pushtetin e presidentit dhe zhduk një nga pikat e balancimit të kontrollit dhe balancimit të pushteteve. Pra, jemi në një situatë vërtet kaotike, në një lloj paniku, që mund të shpjegohet vetëm nga faktorët që sot ende nuk i dimë.
Ju keni kërkuar, përmes një letre, ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtar në Tiranë për të mos lejuar këto ndryshime të shpejta, pa një diskutim të gjerë. Cili është reagimi i tyre konkret?
Letra shpjegon situatën dhe është firmuar nga pjesa më e madhe e partive parlamentare, me përjashtim të PS-PD, pra nga parti që në zgjedhjet e fundit, ato lokale kanë marrë më shumë se gjysmën e elektoratit shqiptar. Në këtë letër flitet tërësisht për standardet, shpjegohet që të gjitha procedurat që bëhen qoftë në drejtim të reformës elektorale e aq më keq në ndryshimet kushtetuese nuk respektojnë asnjë standard shqiptar, për të mos folur për standardet që kërkohen nga BE-ja dhe NATO. Ky është sugjerimi që i bëhet ambasadorëve të transmetuar në selitë e tyre dhe nuk kërkohet asnjë ndërhyrje. Kjo është një çështje që duhet ta zgjidhin vetë parlamentarët shqiptarë, sepse nuk mund të thuhet se ka një vijë patjetër që ndan parlamentarët PD-PS nga pjesa tjetër. Ne kemi kërkuar një ndërgjegjësim edhe të parlamentarëve socialistë dhe demokratë, dhe është vënë re një mungesë bindje ndaj iniciativës së çmendur për rrëzimin e Kushtetutës.
Nisur dhe nga propozimi që bëjnë dy partitë e mëdha për sistemin, mendoni se është koha që pas asaj etje për shumë parti pas vitit 1992, të shkojmë në ngushtimin e numrit të tyre?
Ky është një problem që duhet ta zgjidhin vetë shqiptarët dhe nuk mund ta zgjidhin dy partitë kundër të tjerave, pasi kjo quhet pastaj konflikt interesash. Kjo është edhe më e theksuar në rezultatet e zgjedhjeve të fundit lokale, ku dy partitë e quajtura të mëdha morën vetëm 45 për qind të votave, pra aq sa merrte 5 vjet më parë një nga këto parti. Besoj se ky është alarmi dhe ky është shpjegimi, pra edhe në mënyrë të hapur përfaqësues të lidershipit të PS-së që gjithmonë kanë ndarë pushtet dhe nuk e kanë fituar atë, e kanë gjetur të gatshëm pushtetin edhe si rrjedhim kanë shqetësimin se mund ta ndajnë atë me partnerët e tyre, kanë thënë qartë se këtë e bëjmë për ta qeverisur ato të vetme vendin. Kjo nuk mund të bëhet duke deformuar ligjin, pushteti fitohet në popull dhe jo në tavolinën e Parlamentit. Këtë çështje duhet t'ia lënë elektoratit dhe kjo në fund të fundit tregon se, nuk po luftohet për të qeverisur shqiptarët, por për të pasur shefin e arsimit në Tepelenë apo drejtorin e komunales në Memaliaj. Kjo është në fund të fundit lufta që po bën PS-ja, e cila është iniciatore e kësaj reforme të madhe.
Papritur të dyja forcat e mëdha politike, nga një pozicionim logjik politik, pozitë-opozitë, u ulën dhe pranuan propozimet e njëra-tjetrës pa shumë debat, madje pa u konsultuar me forumet e tyre. Sipas jush, çfarë tregon një sjellje e tillë? 
Kjo tregon që janë dy forca që e kanë mendjen tek pushteti si burim pasurimi, sepse nëse do të mendoni pushtetin si mjet për të ndryshuar realitetin shqiptar, do ishte mirë të kishin bërë disa reforma për të cilat populli ka nevojë. Pra, reforma në shëndetësi, ku të binin dakord se cila do jetë ajo, që në fillim do të ketë disa sakrifica por do ta kthejë shëndetësinë me të vërtetë në shërbim, kush paguan shërbehet. Së dyti, një reformë për arsimin, kërkohet përsëri një reformë atje ku është pjesa më e madhe e rinisë, në arsimin e mesëm, për të ndarë atë që shkon për në universitete dhe atë që shkon drejt punës, për të prodhuar specialistë dhe mjeshtër për tregun dhe jo për diploma dhe tregun e papunësisë. Një reformë për pensionet, që do t'u siguronte shqiptarëve parimin që kush paguan merr pension dhe kjo në momentin kur i gjithë fshati, që është më shumë se gjysma e popullsisë, nuk paguan për pensione dhe ne do të kemi rreth 1  milion për 10 vjet të pasiguruar dhe kjo do të jetë një katastrofë e vërtetë sociale. Dhe në fund do të thosha një reformë për pronën, që nuk dihet se e kujt është dhe në këto momente po krijohen prona jashtë Kushtetutës, siç është ligji i fundit, i cili u miratua me 52 vota dhe kur socialistët që në traditën e tyre e krijuan këtë kaos, nuk kanë përgjegjësinë minimale ta korrigjojnë këtë gabim. Pra, një program i përbashkët i të gjitha partive politike se ku do të ecë Shqipëria në 10 vitet e ardhshme, sepse po ecet kuturu. Kurse socialistët, që duhet të ishin më afër këtyre çështjeve, kanë merakun se kush do të jetë drejtori i ardhshëm.
Me zhurmën e bërë për ndryshimet kushtetuese duket se Gërdeci dhe përgjegjësit e tij kanë kaluar në harresë. Mund të konsiderohet kjo e qëllimshme nga të dyja partitë?
Kjo është ajo që po thonë të gjithë, pra të gjithë prisnin që Gërdeci duhej të kishte një shpjegim, të paktën nga pikëpamja administrative e kryeministrit Berisha, pasi s'mund të jetë gjithçka që do ta tregojë Prokuroria. Në radhë të parë, qeveria duhet të vërë gishtin mbi aktorët që kanë përgjegjësi, t'i largojë ata nga postet me vetëdashje ose me masa administrative dhe të mos e lërë Gërdecin akoma në fillimet e veta, ku kemi vetëm tre të ndaluar. Natyrisht është një vepër ku janë implikuar shumë më tepër njerëz, dhe ku duket qartë se ka një përpjekje për të vendosur një digë. Unë e kam thënë haptas, se këtu nuk janë vetëm interesat e PD-së, e zotit Berisha që nuk është i interesuar për ta zbardhur këtë ngjarje, por ka një lidhje të qartë me PS-në dhe kreun e saj, Rama. Eshtë e qartë që Delijorgji është pika ku bashkohen të dy këta persona në heshtjen që po mbahet për Gërdecin. Imagjinoni sikur kjo t'i kishte ndodhur PS-së, t'i kishte ndodhur Fatos Nanos, se çfarë do kishte bërë Berisha. Për hiçgjë ai ka hedhur bomba molotov ndaj Kryeministrisë. Tani kemi 26 të vdekur dhe qindra të plagosur dhe një tregues i qartë i implikimit të shtetit, në një tregti të ndyrë armësh.
Gjithnjë në këtë linjë bashkëpunimi mes dy partive, këshilli bashkiak i Tiranës miratoi me votat e PS-PD, një fond mjaft të ulët nga ai që ishte propozuar për viktimat e tragjedisë së Gërdecit. Gjeni këtu një domethënie?
Unë do të thosha se edhe këto janë shumë. Zero lekë nga Bashkia e Tiranë për Gërdecin, derisa nuk është sqaruar se kush e ka përgjegjësinë. Duhet të paguajë Delijorgji, duhet të paguajnë ata që kanë fituar para nga Gërdeci, janë xhiruar 50 milionë dollarë dhe ata duhet t'i kthehen popullit shqiptar dhe të investohen në Gërdec. Unë e kuptoj solidaritetin, por kjo nuk mund të bëhet mbi hipokrizinë. Bashkia e Tiranës do të bënte mirë të sekuestronte të gjitha pronat e zotit Delijorgji në Tiranë dhe t'i jepte nga një apartament të gjithë atyre, që kanë humbur në Gërdec. Kjo do të ishte gjëja më e mirë që duhet të kishte bërë Bashkia e Tiranës dhe jo të marrë paratë e qytetarëve të Tiranës dhe të paguajë dëmet që ka bërë qeveria e "Berishës". Eshtë një tregues i hipokrizisë së kësaj bashkie që tregon se ka lidhje të qarta me Delijorgjin dhe puna e parë që duhet të bëjë këshilli bashkiak, është të verifikojë si janë dhënë lejet e ndërtimit Delijorgjit dhe çfarë ka qenë fatura që i ka kërkuar Bashkisë së Tiranës Delijorgji.
Ditën e hënë pritet të kemi miratimin e ndryshimeve kushtetuese në Parlament, ndërkohë që ka dhe një nismë të deputetëve të PD-së për president nga populli. Ka nisur puna për të grumbulluar votat?     
Natyrisht kjo nuk sjell ndonjë gjë të madhe në kontekstin e ndryshimeve. Gjëja më e mirë do të ishte që kur ka propozime alternative të krijohej komision parlamentar, të bëhej diskutimi mbi amendamentet, të merrej këshilla e Komisionit të Venecias dhe më pas të ktheheshim në Kuvend. Këtu nuk bëjmë gjë tjetër veçse e komplikojmë situatën. Unë e kuptoj merakun e kolegëve që e kanë nënshkruar këtë amendament, duke u nisur nga dëshira e mirë për të mbrojtur institucionin e presidentit, jo Topin dhe kjo qëndron shumë më lart se iniciativat mizerabël që duan ta kthejnë presidentin në një leckë, që fshin këpucët e kryeministrit dhe shpresoj të ketë një mbështetje në Parlament për të shpëtuar atë që mund të shpëtohet.
Ju kanë kontaktuar për të mbështetur këtë nismë?
Natyrisht që më kanë kontaktuar për mbështetje dhe argumenti që nuk kam nënshkruar është që, këto ndryshime të analizohen edhe më gjerësisht dhe shpresoj që kjo të jetë pika ku e gjithë reforma mund të rrëzohet.
Cila do të jetë harta politike, pas zgjedhjeve të 2009, nëse miratohet sistemi proporcional rajonal dhe ndryshimet e tjera kushtetuese?
Mendoj se në përgjithësi synimi do të jetë vasalizimi i partive politike dhe zhdukja e tyre, pra propozimet janë të qarta, PS-ja dhe PD-ja kërkojnë të vasalizojnë faktorët e rëndësishëm politikë siç janë PR-ja, PSD-ja e kështu me radhë për t'i futur ato në listat e tyre dhe më pas për t'i zhdukur si parti dhe asimiluar ato. Kjo nuk ka funksionuar në krahun e majtë, ku reagimi ka qenë krijimi i një bërthame LSI, PDS, PAD. Mendoj që do të ketë një zhgënjim për këtë sistem për ata që e kanë krijuar, sipas parimit që "kush i hap gropën tjetrin bie vetë brenda", i pari që do të bjerë do të jetë zoti Rama dhe për këtë ju siguroj në mënyrë të plotë. Ai do t'i humbi këto zgjedhje dhe do të humbë edhe postin e kryetarit të partisë. Së dyti, do të jetë një zhgënjim i deputetëve socialistë që shpresojnë se do të jenë numrat një dhe dy në krye të zonave, imagjinoni që kjo është lufta e 20 personave për të dalë në krye të listave rajonale dhe ndoshta kjo mund të jetë një fitore e tyre për një mandat, por do jetë një humbje e partisë së tyre, duke i lënë edhe katër vjet të tjera në opozitë. Janë po këta arkitektë që çuan Nanon në humbjen e zgjedhjeve të 2005. Së treti, do të jetë krijimi i grupimeve të reja politike. Njëri është krijuar, "E majta për Integrim", që po fiton mbështetje në popull përballë një Partie Socialiste të identifikuar si një letër bixhozi, me dy koka, një lart dhe një poshtë, një Rama dhe një Berisha, pra shqiptarëve nuk mund t'i paraqitet më një alternativë e kundërt Rama-Berisha, por e përbashkët. Kështu shpresoj edhe në grupimin e djathtë. Besoj se do jetë e mundur një grupim i tillë. Do kalohet një periudhë e kujtimeve jo të mira nga e djathta e bashkuar, të cilat kanë pasur suksese lokale.

LSI kundër PS: Nuk votojmë ndryshimet kushtetuese

LSI-ja është kundër ndryshimeve kushtetuese të PS-PD. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, shprehu dje "distancimin e kësaj partie nga të gjitha ndryshimet kushtetuese", të cilat i konsideroi si "të papërgjegjshme dhe të rrezikshme nga ana e PD-së dhe e PS-së".

Duke theksuar se, "këto ndryshime realizohen vetëm në funksion të interesave të ngushta personale e politike të kryeministrit Sali Berisha dhe kryetarit të PS-së, Edi Rama", Vasili tha se, "thelbi i amendimeve të propozuara ka të bëjë me eliminimin real të institucionit të Presidentit të Republikës, institucion që nuk ka prodhuar kriza në Shqipëri, por ka gjeneruar normalitet". Përsa i takon ndryshimeve kushtetuese lidhur me reformën zgjedhore, sekretari i LSI-së u shpreh se, ato "kërkojnë të legjitimojnë deformimin e votës dhe vullnetit të shqiptarëve". Sipas sekretarit të Përgjithshëm të LSI-së, "Parlamenti aktual është produkt i përçudnuar i Megadushkut dhe si i tillë nuk ka as legjitimitetin, as moralin dhe automatikisht ka humbur të drejtën që të ndryshojë Kushtetutën dhe këtë tashmë e kanë të qartë të gjithë shqiptarët". "LSI-ja në mënyrë të vendosur deklaron se ndryshimet e Kushtetutës lidhur me reformën zgjedhore kërkojnë që të legjitimojnë deformimin e madh të votës dhe vullnetit të shqiptarëve, kërkojnë të instalojnë një Dushk të ri akoma më të rrezikshëm dhe me pasoja shumë të rënda për vendin dhe stabilitetin e tij dhe kërkojnë të realizojnë vjedhjen e votës në tavolinë nga dyshja Rama-Berisha, të cilët e kanë të qartë se e kanë humbur besimin e elektoratit", shtoi Vasili.
Paketa me amendime kushtetuese e propozuar nga PD-PS parashikon ndryshimin e disa neneve që lidhen me sistemin zgjedhor, procedurat e zgjedhjes së Presidentit, mocionin ndaj kryeministrit dhe përcaktimin e mandatit të prokurorit të Përgjithshëm.

Braçe: Do mbështesim vendimin e kryesisë

Nënkryetari i grupit parlamentar socialist, Erion Braçe, në një komunikim me mediat tha dje se, socialistët janë të qartë në vendimmarrjen e tyre. "Deputetët e PS-së do të mbështesin të gjithë vendimin politik që tashmë është marrë në Asamblenë Kombëtare të PS, në kryesinë e PSSH", u shpreh Braçe. Socialistët i qëndrojnë sistemit proporcional rajonal të propozuar prej tyre, ndërsa kanë pranuar pjesërisht propozimet e bëra nga Partia Demokratike që dalin përtej reformës zgjedhore. Socialistët kanë hedhur poshtë propozimin për firmosjen e dekreteve të presidentit nga kryeministri dhe ministri i linjës. Por socialistët janë tërhequr nga propozimi i parë i tyre për president nga populli dhe mbështetin zgjedhjen e tij nga Parlamenti, përmes disa fazave. Sipas tyre, do të jenë tre seanca që kërkojnë marrjen e votave të 3/5 së deputetëve dhe nëse nuk zgjidhet, presidenti do të duhet të marrë 71 vota në dy seancat e ardhshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›