E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjirokastra rrezikontë dalë nga UNESCO

GJIROKASTER- Gjirokastra rrezikon përjashtimin nga UNESCO. Lajmi bëhet i ditur nga njëri prej arkeologëve të qytetit, Vladimir Qirjaqi, i cili i referohet dy raporteve më të fundit të Komisionit të Venecias pranë UNESCO-s.

Raporti i cili i është dërguar dhe Ministrisë së Kulturës në rrugë zyrtare thekson se shumë monumente të kulturës po humbasin pamjen e tyre si shkak i restaurimeve jo në bazë të standardeve të UNESCO-s. Ndërsa ndërtimet pa leje në 5 vite, po cojnë drejt zhdukjes banesat karakteristike të qytetit të gurtë.

“Problemi i parë kryesor janë ndërtimet pa leje. Brenda 5 vitesh janë rreth 100 ndërtime pa leje në qendrën historike. është dëmtuar kalaja, është dëmtuar pazari, janë dëmtuar 56 monumente të kategorisë së parë në qendrat historike. Por ka dhe një problematikë akoma dhe më të rëndësishme që lidhet me restaurimet që po bëhen në këto 5 vjet, të përfshira nga një banalitet politik. Duke dashur të marrin inxhinierët e tyre, firmat e tyre rreth Ministrisë së Kulturës, kemi restaurime jashtë kritereve të Venecias.” shpjegon arkeologu Vladimir Qirjaqi.

Ekspertët e Venecias gjatë vëzhgimeve në terren kanë vërejtur se anomalia dhe kaosi mbizotëron në zonën muzeale. Sipas Qirjaqit, largimi i Gjirokastrës nga trashëgimia kulturore UNESCO mund të ndodhë pikërisht atëherë kur qyteti mbush plot 5 vjet nga hyrja në të.

Janë dy raporte të fundit të Venecias të dërguara drejt Bashkisë së Gjirokastrës, Institutit të Monumenteve të Kulturës por dhe Ministrisë së Kulturës në rrugë zyrtare që kanë identifikuar problemet me të cilat ndeshet sot qyteti i gurtë
Gjirokastra është pranuar në UNESCO në 15 korrik të vitit 2005.
(e.n/news24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›