E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Gjirokastrës po i rreh zemra me forcë"

Në kuadrin e një jave maratonë të zhvilluar në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Monumenteve, kreu i Kulturës, Ylli Pango, ishte në Gjirokastër për të përuruar përfundimin e restaurimit të 7 monumenteve të kulturës dhe fillimin e punës për restaurimin e 7 objekteve të tjera të kompleksit monumental me fonde dhe asistencë teknike të UNESCO-s.

"Kemi rezervuar qytetin historik të Gjirokastrës në mbyllje të kësaj maratone veprimtarish dhe përurimesh për të zgjuar interesimin dhe ndjeshmërinë e mëtejshme nga vetë gjirokastritet si një pasuri e Trashëgimisë Kulturore Botërore edhe ndaj të gjithë monumenteve tona arkeologjike dhe historike në gjithë vendin. Në përmbyllje të kësaj jave, do doja të rendisja rezultatet e shkëlqyera të punës së qeverisë sonë, rezultate të prekshme e të dukshme, sidomos në qytetin e Gjirokastrës", theksoi Pango para përurimit të projektit të restaurimit të Hanit të Zagorisë një nga 7 projektet e përfunduara në këtë qytet me fondet e përbashkëta të qeverisë shqiptare dhe UNESCO-s.

"Aktualisht, Gjirokastra, ky qytet i trashëgimisë botërore, po i nënshtrohet një restaurimi kompleks dhe zemra e qytetit të gurtë, ka filluar të rrahë me forcë, e kam fjalën këtu për Qafën e Pazarit, i cili përbën dhe pikënisjen e projekteve tona", nënvizoi Pango. Sipas tij, projektet restauruese këtu në Gjirokastër realizohen nëpërmjet një fondi bujar prej 1.2 milionë USD që qeveria i ka besuar UNESCO-s. "Projektet janë hartuar nga specialistët tanë sipas standardeve bashkëkohore dhe sot ne jemi krenarë të themi se puna fillon pikërisht këtu në 7 shtëpi dhe kompleksin me 7 fasada monumentale të Pazarit të Vjetër", shtoi ministri.

Sipas drejtorit të Drejtorisë Rajonale të Monumenteve, me këtë fond do të vazhdojnë të rigjenerohet një listë e gjatë banesash në qytet derisa restaurimi të përfshijë dhe vetë kalanë e gurtë. Në listën e monumenteve tashmë të përfunduara Hani i Stavros apo Hani i Zagorisë ku për restaurimin e saj është investuar një vlerë rreth 24 milionë lekësh të reja, përfshihen edhe disa projekte që do të realizohen me fondet e shtetit sikurse janë: Shtëpia e Kadaresë me fondin 100 milionë, Shtëpia e Skëndulatëve me fondin 2.4 milionë, pjesë të çative dhe fasadave të Pazarit me 2 milion lekë, Shtëpia e Babaramove me 20 milionë, Shtëpia e Çabejve me 2.4 milionë dhe kalaja ku u restaurua kulla dhe konsoliduan çarjet e mureve me fondin 9 milionë lekë.

Ndërhyrjet nuk mungojnë dhe në zona të tjera, të cilat janë pjesë e itinerareve kulturore turistike të qytetit, investim ky në dobi të hartës turistike të zonës, theksoi në Gjirokastër Pango, duke përmendur Parkun Arkeologjik të Antigonesë, pjesë e rëndësishme e paketës turistike të Luginës së Drinos dhe ku një ditë më parë u përurua edhe Godina e Re e Parkut Arkeologjik me një qendër të edukimit historik dhe një projekt restaurues për rrethimin e konservimin e mozaikut paleokristian në zonën jugore të këtij parku. "Krahas investimeve në sitin arkeologjik të Antigonesë, me fondet e qeverisë janë financuar edhe projekte restauruese në site të tjera si në qytetin e Adrianopolit edhe Teqenë e Melanit si pjesë e itinerareve kulturore e religjioze të zonës që së bashku me restaurimet në serinë e Urave si ajo e Glinës me fondin 6 milionë dhe urën e Kordhocës me fondin 6 milionë lekë, flasin për një punë këmbëngulëse të institucioneve që mbulojnë monumentet e kulturës në këtë qytet që me siguri do të ndikojë për rigjallërimin e turizmit kulturor në këtë rajon", theksoi Pango gjatë vizitës së tij në qytetin e gurtë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›