E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kremtohet "Krishtlindja" myslimane

Në Pallatin e Kongreseve, dje u organizua një eveniment i madh kulturoro-fetar me rastin e ditëlindjes së profetit Muhamed (a.s), që ndryshe quhet dhe Mevlud në zhargonin e besimtarëve myslimanë. Organizator ishte Komuniteti Mysliman Shqiptar, që po tenton ta shndërrojë në një traditë festimin e ditëlindjes së profetit. Por një pjesë e mirë e besimtarëve, nuk e përkrahin këtë iniciativë. Janë pikërisht ata të cilët konsiderohen "të rinjtë" në fe, me arsimim të mirëfilltë teologjik në vendet arabe, të cilët nuk janë dakord që si profetit Muhamed apo ndonjë profeti tjetër t‘i festohet ditëlindja, apo t‘i përkujtohet ditëvdekja, pasi vetë profetët nuk e kanë lënë një porosi të tillë. Ndaj, të rinjtë nuk duan që dhe mes myslimanëve të ketë ekuivalent me Krishtlindjet. Ata i mëshojnë argumentit se ditëlindjet apo ditëvdekjet e profetëve, janë konvencione të sferës zakonore, e jo burimore nga ana teologjike, me vlerë shumë sipërfaqësore. Thelbësore për ta, është ndjekja e udhëzimeve të profetëve dhe jeta e ndërtuar nën shembullin e tyre. Gjithsesi, ditëlindja e profetit Muhamed (a.s) u kremtua dje në Pallatin e Kongreseve, me një pjesëmarrje të jashtëzakonshme besimtarësh. Mes tyre dhe krerë të lartë të shtetit e përfaqësues diplomatikë në Shqipëri. Kryeministri Berisha, tha gjatë përshëndetjes së tij se kremtimi i ditëlindjes së profetit, vjen pas ngjarjes historike për Shqipërinë dhe shqiptarët, marrjes së ftesës për anëtarësimin në NATO. Në të gjitha konferencat islamike dhe kudo që kam marrë pjesë dhe do të marr pjesë, para burrave të shtetit dhe bashkëbiseduesve të mi, nuk kam asgjë më të çmuar sesa tolerancën dhe mirëkuptimin tonë fetar", u shpreh më tej kreu i qeverisë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›