E Diel, 1 Nëntor 2026

Kujtimet për Adrianën

Në Teatrin Kombëtar është përkujtuar figura e kineastes Adriana Elini-Xhajanka. Me iniciativën e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, skenaristi Ilia Dede dhe operatori Ferdinand Karuni realizuan shfaqjen e premierës së filmit dokumentar "Ese filmike për kineasten Adriana Elini", në vazhdën e përkujtimeve të personaliteteve që bënë historinë e kinematografisë shqiptare. Filmi prezantohet në kuadër të 71-vjetorit të lindjes dhe 14-vjetorit të ndarjes nga jeta, të një prej regjisoreve më të njohura në vend.
Skenaristi Ilia Dede tha në ceremoninë e organizuar me këtë rast, ku merrnin pjesë, artistë, kineastë, gazetarë, miq dhe të afërm të saj, se "bota e madhe e artit shqiptar shkëlqen fuqishëm nga puna dhe talenti i sa e sa artistëve të pasionuar, të cilët vunë gjithçka në shërbim të tij, kohën, rininë, forcat, për të sjellë në art jetën e përditshme, njerëzit e thjeshtë. Njëra nga këta artistë është edhe regjisorja e shquar e filmit dokumentar, Adriana Elini. Adriana i përket brezit të dytë të regjisoreve të montazhit, që filloi punën në fund të viteve ‘50, por që me pasion e dashuri për profesionin, kaloi nga regjisore montazhi në regjisore të filmit dokumentar dhe që për më se tri dekada krijoi vlera të padiskutueshme në art".
Adriana Elini u lind në Tiranë, më 3 prill 1937, në një familje qytetare e shquar për idealet e vyera ndaj atdheut. Pas arsimit të mesëm kreu në Tiranë Fakultetin e Histori-Gjeografisë. Në vitin 1958 emërohet në Kinostudio fillimisht si punonjëse e thjeshtë e më pas si regjisore për filmat dokumentarë dhe kronikalë, për të ardhur në vitin 1967 kur realizoi montazhin e një filmi artistik "Horizontet e hapura" dhe më pas "Estrada në ekran". Falë punës, përkushtimit, pasionit për filmin, arriti të realizojë në vitin 1968 filmin e parë si regjisore "Universiteti ynë". Që nga ky vit e ky film, Adriana për afro 20 vjet të tjera arrin të realizojë rreth 40 dokumentarë artistikë, reportazhe, kronika të ngjarjeve të kohës.
Sipas skenaristit Dede, sot ata filma përveç anës artistike, kanë vlera historike, pasi dëshmojnë një epokë, një kohë, një jetë, e cila zhvillohej në një atmosferë të rremë totalitare.
Ndër filmat më të mirë të Adrianës në vite përmenden disa prej tyre si, "Qilimat tanë", "Art i lashtë, mjeshtër të rinj", "Tokë e begatë", "Me pushkë e penë për Mëmëdheun", "Manush Alimani", "Çdo vijë, një vizatim" - film që u nderua me medaljon për regjinë në Festivalin VI të Filmit dokumentar, "Kolë Idromeno" - nderuar me çmim të tretë në Festivalin VII të Filmit Dokumentar, etj. Adriana Elini - Xhajanka, mbetet një emër i nderuar në radhët e regjisorëve shqiptarë, një artiste që do të kujtohet brez pas brezi për vlerat e artin e saj.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›