- Gjithashtu, Kryeministri Nano vendosi lule në memorialin e Nënë Terezës në Shkup dhe vizitoi shtëpinë muze kushtuar jetës dhe vepres së saj - Në ditën e dytë të vizitës në Maqedo
- Gjithashtu, Kryeministri Nano vendosi lule në memorialin e Nënë Terezës në Shkup dhe vizitoi shtëpinë muze kushtuar jetës dhe vepres së saj -
Në ditën e dytë të vizitës në Maqedoni, Kryeministri Fatos Nano vizitoi sot dy Universitete në Tetovë. Në hyrje të Tetovës, Kryeministri Nano u prit nga qindra studentë dhe qytetarë të ketij rajoni.
Vizitën e parë Kryeministri Nano e zhvilloi në Universitetin e Europës Juglindore, ku u takua me stafin akademik dhe studentë të këtij universiteti.
Kryeministri Nano e vlerësoi UEJL-në si një garanci për brezat e ardhshëm që do ta bëjnë rajonin më të sigurt. "Fakti se ky universitet ka programe evropiane dhe amerikane të cilësisë së parë, - tha zoti Nano, - është një garanci më shumë që këtu po kualifikohen breza të kuadrove profesionistë, menaxherë dhe politikanë që do ta bëjnë të kaluarën të pakthyeshme dhe të ardhmen evropiane të vendeve tona të sigurt".
"Në këtë universitet jo vetëm që intergohet kultura tradicionale e popujve shqiptarë dhe maqedonas, por kultivohet bashkëjetesa, konsolidohen dijet bashkëkohore për brezat e rinj dhe mbi këtë bazë forcohen aftësitë tona konkuruese për proceset e ballafaqimit me realitetet globale", tha z.Nano.
Duke u ndalur në çështjen e liberalizimit të regjimit të vizave, Kryeministri Nano tha se ky është një proces i domosdoshëm për lëvizjen e lirë të qytetarëve të rajonit. "Ekziston vullneti dhe bashkëpunimi i duhur për të liberalizuar regjimin e vizave, për të rritur lëvizjen e lirë edhe pa viza për banorët e vendeve të rajonit", tha ai.
Më pas, Kryeministri Nano vizitoi të gjithë kampusin universitar të këtij institucioni dhe u takua me studentët nga Shqipëria, që studiojnë në këtë Univesristet.
Drejtuesit e UEJL-së e vlerësuan vizitën e Kryeministrit shqiptar të rëndësishme për thellimin e bashkëpunimit, veçanërisht në fushën universitare.
Universiteti i Europës Juglindore filloi nga funksionimi në vitin 2001 me rreth 900 studentë. Në vitin 2002 numri i studentëve u rrit në 2250 dhe aktualisht numëron 3770 studentë, ndër të cilët 84% janë shqiptarë dhe 16% maqedonas, si dhe një staf akademik prej 248 pedagogë. Ky universitet është një institucion i bashkuar në 8 fakultete: Fakulteti Juridik, ai i Administrim Biznesi, i Administratës Publike, i Shkëmbimit dhe Teknologjive të Komunikimit dhe Fakulteti Pedagogjik. Universiteti luan një rol të rëndësishëm në zhvillimin e arsimit të lartë modern në vend dhe në Ballkanin Jugor. Hapje e UEJL-së, fillimisht, është mundësuar nga donacionet dhe projekte të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe shteteve anëtare të OSBE-së dhe BE-së.
Më pas, Kryeministri Nano vizitoi Universitetin e Tetovës.Qindra studente pershendeten viziten e Kryeministrit te Shqiperise.Zoti Nano eshte takuar me rektorin i këtij universiteti, Nexhbedin Behadini dhe stafin akademik si dhe me studente. "Pata kënaqësi të përgëzoj drejtuesit e Universitetit të lavdishëm të Tetovës për zyrtarizimin, dhe të kuptoj angazhimet që burojnë nga nevoja për ta integruar këtë universitet me potenciale të pazëvendësushme në tregun e madh të dijes dhe të nismave që i integrojnë shqiptarët me pjesën tjetër të rajonit dhe të Evropës", u shpreh zoti Nano.
Lidhur me interesimin e studentëve për njohjen e diplomave të këtij universiteti në Shqipëri, zoti Nano u shpreh se "kam besim se kemi të njëtin kuptim për standardet e mësimdhënies dhe diplomimit. I ftoj në punët e mëdha që kemi përpara të diplomuarit në këtë universitet".
Ndërkaq rektori i universitetit të Tetovës shprehu mirënjohjen e tij për këtë vizitë dhe falenderoi Kryeministrin Nano "për garancitë e shprehura, që shteti shqiptar edhe në të ardhmen, si deri më tani, do të vazhdojë ta ndihmojë UT-në në aspektin profesional dhe në marrëdhëniet universitare".Aktualisht universiteti i Tetovës ka 13 mijë studentë.
Kryeministri perpara vizites ne Tetove eshte ndalur në shenjë nderimi dhe respekti për Nënë Terezën duke vendosur një buqetë me lule në memorialin e saj në Shkup, si dhe vizitoi shtëpinë muze që i kushtohet jetës dhe vepres së Nënë Terezës.
Me këtë rast, z.Nano u shpreh se ky është nderim edhe për të gjithë ata që vazhdojnë misionin e madh dhe fisnik të Nënë Terezës.
Kryeministri Fatos Nano përfundoi sot vizitën zyrtare në Maqedoni dhe u kthye në Tiranë.