E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Fatos Nano mbërriti sot në Shkup të Maqedonisë, në ditën e parë të vizitës së tij zyrtare në vendin fqinj, me ftesë të Kryeministrit të Maqedonisë, Harri Kostov. Kryemi

Kryeministri Fatos Nano mbërriti sot në Shkup të Maqedonisë, në ditën e parë të vizitës së tij zyrtare në vendin fqinj, me ftesë të Kryeministrit të Maqedonisë, Harri Kostov.

Kryeministri Nano shoqërohet në këtë vizitë nga Ministri i Rendit Publik, Igli Toska dhe nga Ministri i Ekonomisë, Anastas Angjeli. Në përbërje të delegacionit që shoqëron Kryeministrin në këtë vizitë është edhe një grup përfaqësuesish të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë.

Vizita zyrtare në Maqedoni e Kryeministrit Nano ka nisur me takimin që ka zhvilluar me homologun e tij Harri Kostov.

Kryeministri Nano është pritur në selinë kryeministrore me ceremmonial zyrtar dhe, i shoqëruar nga homologu i tij Kostov, ka parakaluar para truprojes së nderit.

Më pas, të dy kryeminisrtat kanë zhvilluar një takim të veçantë dhe më tej, janë zhvilluar bisedimet mes dy delegacioneve.

Kryeministri Nano uroi Z.Kostov për zgjedhjen në postin e Kryeministrit të vendit dhe i uroi Qeverisë së re, suksese në përmbushjen e objektivave programore dhe të aspiratave për më shumë stabilitet, zhvillim e mirëqenie në Maqedoni.

Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Maqedonisë janë cilësuar si shembull për të gjithë rajonin nga të dy Kryeministrat.

Një faktor i rëndësishëm për forcimin e marrëdhënieve të gjithanshme midis dy vendeve, është vlerësuar në takim, prezenca në të dy vendet e pjesëve të popujve tanë, të cilët vlerësohen si faktor mirëkuptimi, mirëbesimi dhe bashkëpunimi ndërshtetëror.

"Ka ardhur koha për të bërë hapa përpara lidhur me lëvizjen e lirë të njerëzve dhe për lehtësimin e regjimit të vizave, duke parë konkretisht mundësinë e heqjes së tyre, gjë që do të çonte në fillimin e realizimit në praktikë të idesë për një Shengen Ballkanik", tha Kryeministri Nano.

Dy personalitetet janë ndalur më tej në rritjen dhe forcimin e marrëdhënieve të gjithanshme të bashkëpunimit midis dy vendeve, ku Kryeministri Nano ka theksuar vendin e veçantë që kanë në tërësinë e marrëdhënieve rajonale të vendit tonë marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë me Maqedoninë, për shkak edhe të synimeve të përbashkëta afatgjata për të qenë pjesë e Evropës së Bashkuar dhe NATO-s, si dhe qënia pjesë e të dy vendeve tona në disa nisma dhe projekte ekonomike.

Në këtë kuadër, dy Kryeministrat kanë diskutuar për krijimin e një lobingu ndërkombëtar për Korridorin 8, i cili është në interes të të dy vendeve.

Kryeministri Nano vuri në dukje se, fakti që në vizitën e tij zyrtare në Maqedoni ai shoqërohet edhe nga një grup biznesmenësh shqiptarë është një shprehje e interesimit dhe përkujdesjes për rritjen dhe zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike dhe atyre tregtare me vendin fqinj. "Jam i sigurt që biznesmenët shqiptarë në takimet që do të kenë me partnerët maqedonas do të identifikojnë edhe më tej fusha me interes reciprok për të bashkëpunuar", tha Z.Nano.

Të dyja palët në takim konstatuan me kënaqësi se formula e Adriatic Partnership, pjesë e së cilës është edhe Kroacia, i ka vendosur të tri vendet tona në një pozicion të përparuar përsa i takon anëtarësimit në Aleancën e Atlantikut Verior. Ne presim nga Samiti i NATO-s në Stamboll një mesazh të qartë e pa ekuivok se të tri vendet do të anëtarësohen në këtë Aleancë të madhe të vendeve demokratike në rastin më të parë të zgjerimit të saj me anëtarë të rinj, u shpreh Z.Nano. Në këtë kuadër, është vlerësuar bashkëpunimi i deritanishëm midis dy vendeve në fushën e mbrojtjes.

Kryeministri Nano i shprehu z. Kostov gjithë mbështetjen për hapat e hedhur nga Maqedonia në kuadër të proceseve integruese në Bashkimin Europian, si dhe aplikimin e kryer së fundi për anëtarësim të plotë në BE. Ndërkohë që Kryeministri maqedonas ka shprehur të njëjtën mbështetje për hapat e hedhur nga Shqipëria në procesin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, e cila i hap rrugën vendit tonë drejt anëtarësimit të plotë në institucionet e BE-së.

Të dy kryeministrat kanë shprehur angazhimin e përbashkët në kuadër të luftës kundër trafiqeve dhe krimit të organizuar dhe menaxhimit të suigurt të kufijve. Në këtë kuadër, janë vlerësuar arritjet e deritanishme në këtë bashkëpunim.

Po ashtu, u diskutua për thellimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat si në atë të arsimit, shëndetësisë, kulturës, etj.

Gjithashtu, Kryeministri Nano ka përshëndetur ecurinë e deritanishme në drejtim të zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit dhe shprehu besimin se Qeveria e re e Maqedonisë do të vazhdojë të angazhohet seriozisht, duke e çuar përpara drejt përmbylljes proçesin e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, e cila me frymën e mirëbesimit, të bashkëpunimit dhe integrimit që sanksionon, përbën një element stabiliteti jo vetëm për Maqedoninë dhe qytetarët e saj, por edhe për rajonin dhe frymën e zhvillimeve në të.

Po ashtu, Kryeministri Nano i ka përcjellë z. Kostov ftesën për të vizituar së shpejti Tiranën, ftesë e cila u prit me kënaqësi nga homologu i tij.

Në fund të këtij takimi, janë nënshkruar edhe katër marrëveshje bashkëpunimi midis dy vendeve.

Kështu, u nënshkrua nga dy kryeministrat Nano dhe Kostov "Memorandimi i Mirëkuptimit për Integrimin Europian" dhe "Marrëveshja për Mbrojtjen e Liqenit të Ohrit", ndërkohë që Ministri i Rendit Igli Toska dhe homologu i tij maqedonas Siljan Avramovski nënshkruan "Marrëveshjen e Ripranimit të Personave me Qëndrim Ilegal" dhe "Marrëveshjen e Bashkëpunimit në Luftën kundër Krimit të Organizuar dhe trafiqeve ilegale".

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›