Në ditën e dytë të vizitës së tij në Maqedoni, Kryeministri Fatos Nano zhvilloi një takim me Kryetarin e Parlamentit të Republikës së Maqedonisë, z. Ljupço Jordanovski. Kryeministri Na
Në ditën e dytë të vizitës së tij në Maqedoni, Kryeministri Fatos Nano zhvilloi një takim me Kryetarin e Parlamentit të Republikës së Maqedonisë, z. Ljupço Jordanovski.
Kryeministri Nano ka përgëzuar z.Jordanovski për përfundimin me sukses të të gjitha proçeseve institucionale dhe ndryshimeve të kushtëzuara nga vdekja tragjike e Presidentit Trajkovski.
Më tej, Z.Nano ka theksuar rëndësinë e veçantë që vendi ynë u kushton marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit me Maqedoninë.
Dy personalitetet e larta kanë vlerësuar pozitivisht nivelin e arritur të bashkëpunimit politik midis dy vendeve, gjatë vitit 2003 dhe gjashtëmujorin e parë të këtij viti dhe theksuan gatishmërinë për të ruajtur e intensifikuar kontaktet e nivelit të lartë që do t'i japin nxitje kontakteve të niveleve të tjera për të gjitha çështjet me interes të ndërsjelltë. Kontribut në forcimin e këtij bashkëpunimi politik u cilësua edhe vizita zyrtare që Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, zhvilloi në Maqedoni në janar të këtij viti.
Në takim u theksua se niveli i arritur i marrëdhënieve kërkon institucionalizimin e kontakteve politike dhe diplomatike. Shkëmbimet e përvitshme të vizitave në nivel Kryetarësh Parlamenti, Presidentësh, Kryeministrash, Ministrash të Punëve të Jashtme duhet të jenë pjesë e axhendave vjetore të takimeve bilaterale.
Kryeministri Nano vlerësoi punën e bërë nga Parlamenti maqedon për miratimin e ligjeve që rrjedhin nga Marrëveshja e Ohrit dhe shprehu besimin se do të vazhdojë procesi i miratimit në parlament të paketës më të rëndësishme të ligjeve të Marrëveshjes së Ohrit, asaj të decentralizimit dhe ligjeve të tjera që dalin nga kjo marrëveshje.
Kryeministri Nano dhe Kryetari i Parlamentit Jordanovski vlerësuan se dy parlamentet mund dhe duhet të japin një kontribut të rëndësishëm në nxitjen dhe përparimin e proceseve integruese të dy vendeve tona drejt NATO-s e BE-së, pasi janë pikërisht parlamentet ato që do të miratojnë legjislacionin e nevojshëm të diktuar nga synimet për t'u anëtarësuar në institucionet euroatlantike.
Në këtë kuadër, u shpreh mendimi se në interes të këtyre proceseve, por edhe të dialogut të përgjithshëm politik, duhet të intensifikohen kontaktet ndërmjet komisioneve të Politikës së Jashtme dhe Integrimit të dy Parlamenteve.
Kryeministri Nano tha se Parlamentet mund dhe duhet të luajnë rol të rëndësishëm në organizimin e lobbing-ut për të siguruar mbështetje ndërkombëtare për çështje e projekte me interes të përbashkët, por edhe në prezantimin e punës e përpjekjeve konkrete dhe arritjeve të dy vendeve tona.
Dy personalitetet e larta diskutuan edhe idenë e krijimit të një parlamenti të Europës Jug-Lindore, si një mekanizëm efikas në vazhdën e proceseve integruese të vendeve tona në Bashkimin Europian.