E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjithçka për zgjedhje të lira

05/02/2009  Kryeministri Sali Berisha zhvillon takime me kongresmenë amerikanë

“Përpjekjet e qeverisë për sigurimin e infrastrukturës zgjedhore - bazë e sigurt për standardet e zgjedhjeve”

Kryeministri Sali Berisha pas mbërritjes në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i ftuar për të marrë pjesë në Mëngjesin Kombëtar të Lutjeve, vizitën e parë e ka bërë me anëtarin e Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin Amerikan Eliot Engel, një personalitet që interesohet mjaft për çështjet e Kosovës dhe të Shqipërisë. Në takim Engel e siguroi kryeministrin shqiptar se administrata e Presidentit Barak Obama do të ndjekë të njëjtën politikë bashkëpunimi me Shqipërinë. Kongresmeni Engel vlerësoi shumë arritjet e qeverisë në drejtim të luftës ndaj krimit të organizuar, korrupsionit, modernizimit të administratës dhe veçanërisht rezultatet e këtyre reformave, si bazë për integrimin në NATO dhe Bashkimin Evropian. Nga ana e tij shefi i ekzekutivit bëri një prezantim të reformave që ka ndërmarrë vendi i tij në fusha të ndryshme. Ai e njohu kongresmenin Engel me zhvillimet më të fundit në Shqipëri, duke u ndalur tek arritjet e reformave qeveritare. Ai nënvizoi sukseset në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, si një nga hapat që garantuan përshpejtimin e proceseve integruese, që e nxorën Shqipërinë nga harta e nxirë e këtyre fenomeneve. Vizita e Kryeministrit Sali Berisha përfshin edhe takime me sekretaren e Departamentit të Shtetit Hilari Klinton, me ish-kandidatin republikan për president Xhon Mekei, me organizatat shqiptaro-amerikane, me delegacionin e Kosovës dhe me përfaqësuesit diplomatikë të Prishtinës në Uashington. Gjatë qëndrimit të tij në SHBA Kryeministri Berisha ka qenë i ftuar në një darkë nga senatorë dhe kongresmenë amerikanë. Gjatë kësaj darke një vend të veçantë iu kushtua Shqipërisë dhe reformave qeveritare. Në takimet me bashkëbiseduesit Kryeministri Berisha bëri një ekspoze të arritjeve të qeverisë së tij në drejtim të luftës ndaj krimit të organizuar, korrupsionit, reformave ekonomike, modernizimit të sistemit të shërbimeve, investimeve etj. Kryeministri Berisha theksoi se ishin pikërisht sukseset e këtyre reformave që garantuan përshpejtimin e procesit të integrimit në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Ai i njohu bashkëbiseduesit edhe me përgatitjet në funksion të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, duke deklaruar vullnetin e plotë të qeverisë shqiptare që këto zgjedhje të jenë të lira e të ndershme. “Jo vetëm konsensusi politik ndërmjet mazhorancës dhe opozitës për hartimin e një kuadri ligjor modern, por mbi të gjitha edhe përpjekjet e shumta të qeverisë për sigurimin e infrastrukturës zgjedhore, si kartat e identitetit, regjistri elektronik i shtetasve etj., janë një bazë e sigurt për standardet e këtyre zgjedhjeve”, - u shpreh Berisha. Nga ana e tyre senatorët dhe kongresmenët amerikanë vlerësuan punën dhe reformat e qeverisë “Berisha” si dhe besimin për suksese të mëtejshme. Ata garantuan për një bashkëpunim të vazhdueshëm të SHBA me Shqipërinë dhe qeverinë shqiptare, si dhe domosdoshmërinë e thellimit të marrëdhënieve mes dy vendeve. Kryeministri Berisha pati gjithashtu një darkë zyrtare me senatorin Tom Coburn dhe u prit nga anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve Dana Rohrabacher.

Takim me Klintonin

Gjatë qëndrimit në kryeqytetin amerikan, Uashington, Kryeministrit Sali Berisha pritet të zhvillojë një takime me sekretaren e Departamentit të Shtetit Hilari Klinton. Pa dyshim që gjatë këtij takimi kreu i qeverisë do të shprehë falënderimet për Shtetet e Bashkuara për çka bëri qeveria e ish-presidentit Bill Klinton për çlirimin e Kosovës. Berisha pritet të ketë një takim edhe me ish-kandidatin republikan për president Xhon Mekei.

Berisha për zgjedhjet

Kreu i qeverisë ka njohur personalitetet që ka takuar mbi përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. “Jo vetëm konsensusi politik mazhorancë-opozitë për hartimin e një kuadri ligjor modern, por edhe përpjekjet e shumta të qeverisë për sigurimin e infrastrukturës zgjedhore, si kartat e identitetit, regjistri elektronik i shtetasve, janë një bazë e sigurt për standardet e këtyre zgjedhjeve”, - ka thënë Berisha.

Darka

Kryeministri Berisha mori pjesë në darkën e zgjeruar me senatorë dhe kongresmenë amerikanë me ftesë të organizatorëve, senatorit Tom Coburn dhe kongresmenit Heath Shuler. Në këtë darkë merrnin pjesë ish-kandidati presidencial, senatori Sam Brownback nga Kansasi, senatorët John Thune nga Dakota e Jugut, Jim DeMint nga Karolina e Jugut, John Ensign nga Nevada, kongresmenët Mike Doyle, Trent Franks, Zach Wamp, Robert Aderholt etj.

Ceremonia

Kreu i qeverisë shqiptare Sali Berisha dhe kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu do të marrin pjesë në Mëngjesin Kombëtar të Lutjeve, që zhvillohet mëngjesin e ditës së sotme në Uashington. Ata janë të ftuar special mes përfaqësuesve nga 160 vende të botës në një ceremoni zyrtare e fetare, që përdoret për të promovuar kryesisht lidhjet e mira mes liderëve botëror dhe atyre amerikanë deri tek takimet miqësore edhe me presidentët amerikanë dhe zyrtarë të tjerë. Në këtë mëngjes kombëtar lutjesh marrin pjesë kongresmenë, senatorë, drejtues të Kongresit dhe të administratës së Presidentit Barak Obama, si dhe liderë dhe të ftuar nga vende të shumta të botës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›