E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjithçka që ofron këtë verë Shëngjini dhe Velipoja



Lezha turizmin bregdetar e cilëson si kryesorin. Ndër plazhet më të frekuentuara si nga pushues vendas ashtu dhe të huaj mbetet plazhi i Shëngjinit ku fluksi ditor i pushuesve varion nga 20 000 (në ditë të zakonshme) deri në 50 000 (në fundjavë). Pushuesit janë kryesisht jo vetëm nga 3 rrethet e Lezhës, por edhe nga Shkodra, Kruja si edhe nga kryeqyteti. Ndërkaq, pushuesit e huaj dhe ata kosovarë të akomoduar në këto ditë qershori në plazhin e Shëngjinit shprehen mjaft të kënaqur me kushtet e ofruara.
Ata vlerësojnë pastërtinë e plazhit, qetësinë, si dhe bukuritë natyrore. Pastërtia e detit, ajri i pastër, si dhe qetësia që ofron ky plazh përthith çdo vit e më shumë turistë.
Linja e udhëtarëve nëpërmjet portit të Shëngjinit dhe hapja e autostradës drejt Kosovës i jep një tjetër dimension Shëngjinit, si dhe mbarë turizmit në rajonin e Lezhës.
Njësitë akomoduese, të cilat ofrojnë një shërbim cilësor, shtrihen në një pjesë të madhe të gjatësisë së plazhit. Këto janë ndërtime të viteve të fundit dhe nuk mungojnë baret, restorantet, diskot etj, të cilat plotësojnë më së miri kënaqësitë e turistëve. Plazhi i Shëngjinit me disa pika pothuajse të virgjëra është një premisë për ndërtimin e fshatrave turistikë, të cilat kanë nisur të ndërtohen me nisma private. Gjithashtu edhe plazhi i Tales në Komunën e Shënkollit deri më dje "i virgjër", pas përfundimit të ndërtimit të rrugës lidhëse me autostradën Lezhë-Tiranë po popullohet çdo ditë dhe më tepër, dhe këtë vit pritet të tërheqë në gjirin e tij numrin më të lartë të pushuesve.

Akomodimi
Sipas statistikave zyrtare, në të gjithë qarkun ushtrojnë aktivitetin e tyre mbi 40 hotele me kapacitet mbi 900 shtretër dhe 6 motele me kapacitet mbi 100 shtretër. Një pjesë e mirë e tyre ndodhen në Shëngjin. Çmimet për akomodim dhe ngrënie (një vakt) variojnë nga 25-50 euro në ditë për person në këto objekte shërbimi, sipas cilësisë dhe shërbimeve që ofrojnë. Krahas hoteleve dhe moteleve në dispozicion të pushuesve dhe të turizmit bregdetar janë vënë edhe mbi 400 banesa (familjare), çmimet e të cilave variojnë nga 20 000 - 25 000 lekë në 15 ditë për familje 2-4 vetë vetëm për akomodimin e tyre.
Ushqimet
Prodhimet e freskëta të detit serviren në të gjitha lokalet dhe restorantet në Shëngjin, Tale dhe Patok. Në ishull të Lezhës, krahas prodhimeve të detit, një ushqim tradicional është byreku me pulë. Pulëzat dhe zogjtë mbeten ndër më të preferuarit e kuzhinës kryesisht në Kune dhe Vain, por edhe në Ishull Lezhë.
Argëtim
Shumë disko dhe lokale që në ditët e para të qershorit kanë nisur mbrëmjet e tyre relaksuese për pushuesit në pistat mbi det, por edhe në ambientet e brendshme, duke ftuar këngëtarë të mirënjohur shqiptarë, por edhe nga Kosova dhe Mali i Zi.

Transporti (vajtje-ardhje)
Lezhë-Shëngjin (furgon)- 100 lekë/person
Lezhë-Shëngjin (autobus)- 60 lekë/person
Mamurras-Lezhë-Shëngjin- 500 lekë/person
Lac-Lezhë-Shëngjin- 400 lekë/person
Mirditë-Lezhë-Shëngjin- 500 lekë/person
Tiranë-Lezhë-Shëngjin (autobus)- 500 lekë/person
Tiranë-Lezhë-Shëngjin (furgon) - 600 lekë/person
Shkodër-Lezhë-Shëngjin (autobus)- 400 lekë/person|
Shkodër-Lezhë-Shëngjin (furgon) - 500 lekë/person
Shezlon (qëndrim ditor) - 200 lekë
Parkim automjeti- 100 lekë
Problemet
Rrugë të amortizuara, ujëra të zeza dhe kafshë. Në ceremoninë e çeljes zyrtare të sezonit turistik 2010 nga ana e drejtuesve të Komunës Shëngjin u deklarua se ishin marrë të gjitha masat për një sezon të suksesshëm.
Por ndërkohë mësohet se në zonën e plazhit në qytetin e Shëngjinit ndërhyrjet në brezin e rërës, si dhe plugimi i saj janë bërë nga vetë subjektet e shërbimit si hotele-bar-restorante që operojnë aty. Rruga kryesore nga lapidari deri tek porti i Shëngjinit është amortizuar tërësisht. Në të gjithë shtrirjen e saj janë hapur gropa të mëdha.
Edhe pse sezoni ka nisur, në këtë rrugë nuk është bërë asnjë ndërhyrje. Një tjetër problem që ngrihet nga vetë banorët është dalja në mënyrë të përsëritur e ujërave të zeza në sipërfaqe duke zaptuar jo vetëm oborret, por edhe rrugën kryesore. Gjithashtu, ata deklarojnë se nga ana e stabilimentit të përpunimit të peshkut ujërat shkarkohen në det, duke rrezikuar shëndetin e pushuesve. Si çdo sezon turistik, bashkudhëtarë të pushuesve dhe turistëve vazhdojnë të jenë kafshët, të cilat qarkullojnë lirshëm si në qytet, ashtu edhe në plazh. Lidhur me këto shqetësime të ngritura nga banorët, autoritetet lokale dhe personat përgjegjës të shërbimeve publike të Komunës Shëngjin nuk pranojnë të prononcohen, duke ia deleguar kompetencat njëri-tjetrit, ndërkohë që banorët dhe pushuesit presin prej tyre marrjen e masave për një sezon të suksesshëm ashtu siç u premtua.
Velipoja 2010, plazhi verior çel sezonin
Velipoja e ka nisur tashmë sezonin turistik, edhe pse muaji qershor nuk ka thithur kapacitetin e plotë që ofron plazhi më i madh i veriut. Korriku dhe gushti janë dhe muajt ku në Velipojë shtohet fluksi i pushuesve, rezidencialë apo ditorë, dhe ku fundjavat janë ato që e mbushin këtë plazh. Deti dhe rëra e cila është e pasur me jod, pylli, rezervati i gjuetisë, laguna e pjesët jo shumë të shfrytëzuara të këtij plazhi, siç është Rrjolli, klima e mrekullueshme, janë ato që vazhdojnë të tërheqin pushues të shumtë jo vetëm nga Shkodra, por dhe nga rrethe të tjera e jashtë vendit.
Ofertat
Velipoja ka rreth 340 hotele apo shtëpi me dhoma të përshtatura për pushime dyjavore që vihen në dispozicion të pushuesve. Në këtë plazh janë rreth 2 000 ndërtime, ku pjesa më e madhe janë banesa private që i kanë ndërtuar qytetarët e Shkodrës si shtëpi të dyta për periudhën e verës dhe të shumtë janë ata që vendosen familjarisht aty që në fillim të qershorit apo dhe fundin e majit. Kapaciteti turistik i ambienteve të hotelerisë në këtë plazh, sipas statistikave zyrtare të komunës Velipojë shkon 35 000 - 40 000 vende, përfshirë këtu dhe banesat që jepen me qira për dy javë pushime në këtë plazh. Ndërsa numri i pushuesve ditorë, kryesisht në fundjavë, shkon rreth 80 000 të tillë.
Çmimet që ofrojnë hotelet janë të ndryshme dhe shkojnë nga 16 - 40 euro për person në ditë. Ndërsa çmimet e apartamenteve që jepen me qira për një periudhë dyjavore shkojnë deri në 70 000 lekë. Por këto çmime ndryshojnë në varësi të periudhës së plazhit, ku në qershor çmimet janë më të lira dhe një apartament për dy javë e gjen dhe me 10 000 - 20 000 lekë, ndërsa në korrik, e veçanërisht në gusht, çmimet kapin nivelet më të larta.
Plazhi
Ky plazh ka një vijë bregdetare për shfrytëzim 14,5 km, nga grykëderdhja e Bunës deri pranë Rërës së hedhur (Shëngjin). Rëra është 0-300 m dhe prania e baticës e zbaticës bën që ajo të jetë përherë e pasur me jod dhe me karakteristikat e saj. Plazhi ndodhet rreth 30 km nga qyteti i Shkodrës dhe rruga është e rikonstruktuar. Por lëvizjet e shumta të automjeteve dhe përdorimi i së njëjtës rrugë dhe për kafshët e fshatrave deri në plazh, bën që kohëzgjatja e udhëtimit deri në Velipojë të shkojë rreth 30 minuta. Plazhi i Velipojës ndodhet rreth 5 km bregut të detit nga plazhi i Ulqinit.
Cekëtia e detit në brigjet pranë plazhit të Velipojës dhe gjatësia e shtrirjes 300-500 metër krijon mundësi për ndërtime në det. Plazhi i Velipojës është një perlë e natyrës ku gërshetohen harmonishëm deti, lumi, plazhi, laguna, pylli e mali. Mbi 100 ditë në vit ka temperaturë mbi 25 gradë C. Uji i kulluar i detit, rezervuati i gjuetisë, laguna e Vilunit, baticat e zbaticat ofrojnë bukuri mahnitëse. Pyjet, kryesisht me plepa, të pranishëm në të gjithë plazhin e deri 200 metër pranë detit, i japin freski atij. Velipoja të ofron zbavitje si shëtitje me varkë, gjueti kafshësh e peshqish. Laguna e Vilunit është një tjetër bukuri natyrore e këtij plazhi. Thellësia e saj shkon 80-100 cm, por në disa pjesë të veçanta shkon dhe 200-300 cm. Baticat e zbaticat këtu alternohen çdo 6 orë.
Në periferi të lagunës, sipërfaqja është moçalore. Ajo mbulohet e zbulohet nga uji për shkak të nivelit të ulët të tokës dhe është e mbushur me bimësi karakteristike e të shumëllojshme. Peshqit janë një tjetër pasuri e kësaj lagune, ku dallohen qefulli, levreku, ngjala, barbuni, peshku lejleku, vijoshi etj. Megjithë dëmtimet në lagunën e Vilunit janë rreth 183 lloje shpendësh, ndërsa në rezervatin e gjuetisë 144 specie shpendësh.
Plazhi i Rrjollit
Një tjetër vend i mrekullueshëm në plazhin e Velipojës është dhe Rrjolli, ende i panjohur dhe i pashfrytëzuar plotësisht pasi ndodhet në krahun tjetër të plazhit dhe rruga për atje kalon nëpër një urë vetëm për këmbësorë, nga Viluni.
Ai ka një vijë bregdetare rreth 4 km, me gjerësi rëre 200 m dhe shtrihet në një zone me pyll shkurresh, duna të vogla rëre dhe pranë ka malin që bie thikë në det.
Për të shkuar këtu kalohet një urë vetëm për këmbësorë në lagunën e Vilunit. Ka dy hotele dhe shtëpi që vihen në dispozicion të pushuesve. Ura e cila ka pësuar dëmtime dhe është e ndërtuar nga vetë banorët, kalon mbi det rreth 360 metra dhe kjo ka bërë që pushuesit të mos jenë të shumtë në plazhin e Rrjollit. Pritet ndërtimi i një ure të re mbi det, për këmbësorë, e cila do të sjellë më shumë pushues drejt Rrjollit.
Qendra e plazhit
Velipoja është e preferuar dhe nga turistë të huaj që vijnë nga vende të ndryshme të Evropës. Lokalet e shumta dhe njësitë e shërbimit funksionojnë deri në orën 24. Tek Viluni ka lokale që afrojnë shërbim dhe argëtim gjatë gjithë natës.
Lokalet e shërbimit janë të shtrira në të gjithë plazhin dhe shumë prej tyre afrojnë muzikë me këngëtarë. Ka shërbim shëndetësor, telefoni me karta, energji elektrike, shërbim zjarrfikës dhe policia ka një postë të veçantë dhe gjatë sezonit turistik kryen shërbime të shtuara në plazh. Qarkullimi brenda plazhit paraqet probleme pasi shëtitorja po i nënshtrohet një rikonstruksioni, ndërsa rrugët dytësore janë pjesërisht të asfaltuara dhe sjellin vështirësi në lëvizjen e automjeteve. Në qendër nuk lejohet kalimi me automjete në brendësi të saj. Ka parkime private me vlerë 100 lekë për 12 orë.
Shërbimet dhe çmimet
Plazhi për shkak të gjatësisë së madhe të tij krijon mundësi për plazhe private, të cilët kanë shënuar rritje në numër dhe çmimet shkojnë nga 300-500 lekë në ditë për një çadër me dy shezlongë. Ka dhe pjesë plazhi që janë për pushuesit e zakonshëm, dhe pse kjo në qendër po bëhet gjithnjë e më e paktë, pasi aty përqendrohen më së shumti plazhet private. Këto të fundit kanë pastërti më të madhe. Lokalet e shumta janë jo vetëm pas rërës apo në ambiente të brendshme të territorit, por dhe në rërë. Janë lokake vetëm për sezonin veror që afrojnë bar dhe restorant. Në det ka pika ku shërbehen varka me qira, të llojeve të ndryshme, si dhe motorë uji. Çmimet për motorët e ujit janë 10 000 lekë të reja për 1 orë, shëtitjet me varkë me motor 5000 lekë në orë, varkat pa motor 400-500 lekë ora. Çmimet e pijeve frekuese dhe ushqimeve janë afërsisht sa të tregut në Shkodër me një rritje që shkon 20- 30 lekë për produkt. Në plazhin e Velipojës ka një rrjet të gjerë shërbimesh tregtare të ndryshme. Restorantet gatuajnë kryesisht kuzhinën tradicionale, por ka prej tyre që afojnë dhe kuzhinë italiane. Ushqimi më i kërkuar dhe tradicional është peshku, sidomos ai që sigurohet në zonën e Vilunit si qefulli e levreku.
Për të shkuar në plazhin e Vlipojës ka furgonë-taksi nga qyteti i Shkodrës me tarifë 200 lekë për person, ndërsa veturat taksi kushtojnë 1500 lekë. Për pushuesit që vijnë nga Kosova ka akomodime të rezervuara ku përfshihet dhe udhëtimi nga Shkodra deri në Plazh. Për pushuesit nga qytete tjera të vendit nuk është e nevojshme hyrja deri në qytet , pasi pa hyrë në lagjen Bahçallëk, kthehen majtas dhe hyjnë në rrugën që të çon drejt plazhit të Velipojës.

Marre nga "Ekonomisti"

30 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›