E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kurorëzohen finalistët e çmimit “Ardhje 2010”



Izaura Ndoj

Shtatë artistë të rinj do të finalizojnë sonte çmimin për Artin Bashkëkohor, “Ardhje 2010” që do të zhvillohet tek Qendra Tregetare, Hekla Center dhe Galeria Zeta. Pas një procesi përzgjedhës të filluar në muajin prill, grupi përzgjedhës nën drejtimin e Zef Pacit
profesor i Historisë së Artit në Akademinë e Arteve, i ndihmuar nga Tina Finnas dhe Valentina Koçi, shpall listën prej shtatë artistësh të talentuar, pjesëmarrës të Grand Finales së Çmimit për Artin Bashkëkohor, “Ardhje 2010”. Kjo finale do të përshkruhet nga emocione të mëdha për vetë faktin se fituesit do të jenë pjesë e rezidencës në New York City për gjashtë javë rresht. Finalistët që janë përzgjedhur për këtë çmim janë; Ledia Kostandini, Theodoraq Napoloni, Dritan Hyska, Fani Zguro, Alketa Ramaj, Enkelejd Zonja. Albert Brahaj. Çmimi për Artin Bashkëkohor, “Ardhje”, çdo vit sjell në vëmendje përzgjedhjen më të mirë të krijimtarisë së artistëve të rinj shqiptarë. Ky eveniment prej disa vitesh kërkon të informojë, dokumentojë e përhapë këtë përzgjedhje me vlerë të artistëve të rinj në artet pamore. Ashtu si dhe vitet e mëparshme, veprat e shtatë artistëve të rinj në këtë edicion të katërt shfaqin disa prirje për të vështruar aktualitetin dinamik shqiptar duke u përballur edhe me atë që vjen nga e kaluara. Kjo gjë kërkon të nxisë një qëndrim aktiv e kritik e pjesëmarrës në situatat bashkëkohore.
Ekspozita e Grand Finales së Çmimit “Ardhje 2010” do të shfaq një numër të përzgjedhur punimesh dhe projektesh nga artistët finalistë nën kurimin e Zef Pacit. Në ceremoninë e hapjes së ekspozitës së Grand Finales, do të shpallet edhe fituesi i Çmimit “Ardhje 2010”. Fituesi do të përzgjidhet nga një juri ndërkombëtare e përbërë nga: Cecilia Canziani, kuratore dhe shkrimtare, bashkë-drejtore e Fondacionit Noma, Romë; Erzen Shkololli, artist dhe kurator, organizator dhe drejtues i hapësirës ekspozuese EXIT në Pejë; Sadik Spahija, skulptor dhe Dekan i Fakultetit të Arteve Pamore pranë Akademisë së Arteve, Tiranë.
Rreth çmimit “Ardhje 2010”
Që prej fillimit të tij në vitinë 2007, Çmimi “Ardhje” është ndër veprimtaritë më të rëndësishme dedikuar punës dhe krijimtarisë së artistëve të rinj shqiptarë. I krijuar nga TICA – Instituti i Artit Bashkëkohor, Tiranë, në bashkëpunim me FCS – Fondacionin për Shoqëri Civile në Neë York, Çmimi “Ardhje” është i vetmi çmim profesionist për artin bashkëkohor, i cili konsiston në një rezidencë 6 – javore për fituesin, në Neë York City të SHBA të siguruar nga FCS. Në ndryshim nga aktivitete të tjera që në thelb organizohen thjesht për qëllime marketimi të kompanive të ndryshme, çmimi ARDHJE ndërtohet vetëm mbi punën e realizuar në mënyrë të pamvarur nga vetë artistët, dhe me të vetmin qëllim, nxitjen e krijimtarisë së lirë artistike dhe krijimin e kushteve më të mira për ekspozim, prodhim punësh dhe vendosje kontaktesh me profesionistë nga bota. Që prej vitit 2008, ekspozita e Grand Finales së çmimit ARDHJE organizohet në bashkëpunim me Galerinë Zeta, galeria e vetme e pavarur, me një program krejtësisht të dedikuar për artin bashkëkohor. Edicioni i sivjetmë i Grand Finales mundësohet në sajë të mbështetjes bujare të fondacionit FAVA – Foundation for Albanian Visual Arts (Fondacioni pre Artet Pamore Shqiptare), i vetmi Fondacion i pamvarur që ofron mbështetje për artin, artistët dhe iniciativat e pavarura në Shqipëri.
Dy fjalë për artistë finalistë
Ledia Kostandini, ka studiuar në Akademinë e Arteve Tiranë për dizajn. Më pas ka marrë pjesë në aktivitete të ndryshme artistike. Krijimtaria e saj shfaq një kërkim artistik të lidhur me realitetin në fushën e pikturës dhe të fotografisë. Interesi i saj për jetën e përditshme del nga shkrepjet e fotografive në vepra-metafora të fuqishme të një aktualiteti.

Theodoraq Napoloni ka studiuar në AAB në Tiranë. Krijimtaria e tij artistike është e orientuar nga mediumi i pikturës. Për të përmbajtja që përzgjedh është tejet e rëndësishme. Duke u nisur nga një përzgjedhje së pari intuitive, zbulon një realitet të padukshëm që lë gjurmë thellë në momentet e fragmentizuara të historisë sonë. Natyra e objekteve të pikturuar lidhet me përvojat vetjake të frikës, magjepsjes, surprizës, habisë.

Dritan Hyska ka studiuar në AAB në Venecia në 2005. ka marrë pjesë në aktivitete ndërkombëtare. Kërkimi i tij artistik që në vitin 2001 është përqendruar në realitetet urbane që i ka përjetuar së pari në vendlindjen e tij e më pas edhe në Itali e tjetërkund gjatë udhëtimeve të tij. Në fotot e tij nuk ndjehet prania reale njerëzore por vetëm produkti i kulturës, përllogaritjeve dhe teknikës së tij.

Fani Zguro është një artist që studimet mbi artin i ka kryer në AAB të Brerës në Milano, Itali. Ka një pjesëmarrje të dendur në aktivitete të rëndësishme artistike brenda dhe jashtë vendit. Në punët e ekspozuara ai sjell problematika të trashëguara prej sistemit të mëparshëm nëpërmjet dëshmive që vijnë prej filmave e librave në përballje me prurjet e një sistemi tjetër si muzika (videoja Broken Threads).

Alketa Ramaj ka studiuar në AAB gjatë viteve 2002-2006. Gjatë dhe mbas studimeve ekspozon në grup me artistë të tjerë të rinj, vendas dhe të huaj. Fotografitë e saj janë një vështrim i mprehtë i ndryshimeve të situatave urbane përgjatë një tranzicioni të gjatë

Enkelejd Zonja ka mbaruar studimet për pikturë në AAB Tiranë (viti 2005-2009). Si gjatë shkollës dhe më pas ka pasur një aktivitet të dendur artistik, me rezidenca dhe ekspozita brenda dhe jashtë vendit. Në pikturat e autorit këtë radhë ndjejmë një situatë njëherësh të rëndomtë dhe dramatike, në pritje të ndodhë diçka.

Albert Brahaj ka studiuar në AAB në Tiranë. Në këtë ekspozitë ka një video (Veterani) ku paraqet një realitet të banuar me personazhe që jetojnë në mënyrë paralele, shpirtërisht me stimujt moralë të sistemit të mëparshëm e materialisht me ato që i ofron e tashmja

30 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›