E Diel, 1 Nëntor 2026

ISKSH vendos gjoba për farmacitë dhe depot farmaceutike



Laureta Rryçi

Në vazhdën e kontrolleve që kryhen nga ISKSH në shërbimin farmaceutik, tek subjektet që kanë kontratë me sigurimet shëndetësore në të gjithë vendin, në 6 mujorin e parë të këtij viti, janë ushtruar kontrolle në 120 subjekte farmaceutike në rajonet Tiranë, Durrës, Vlorë, Berat, Elbasani dhe Shkodër. Po gjatë kësaj periudhe është bërë dhe një verifikim observacioni në rrethin e Elbasanit, Cërrik si dhe një kontroll tematik në rajonin e Tiranës, Durrësit, Lezhës dhe Shkodrës. Pas inspektimeve në këto rrethe, ISKSH ka konstatuar një sërë shkeljesh me barnat çka ka sjellë dhe penalizmin e subjekteve.
Inspektimet
Sipas njoftimit për shtyp, në disa raste tregtohen barna me rimbursim pa dokumentacionin ligjor duke u rimbursuar padrejtësisht për barna pa i pasur gjendje në farmaci në kundërshtim me detyrimet kontraktuale me ISKSH-në. Specialistët e ISKSH-së, kanë konstatuar gjithashtu mangësi në plotësimin e dokumentacionit sipas detyrimeve kontraktuale, tregtim të barnave pa pullën e kontrollit nga disa farmaci, praninë e librezave të shëndetit të pacientëve në ambientet e farmacisë.
Gjithashtu në njoftimin zyrtar, thuhet se është konstatuar një përfitim i padrejtë i vlerave të rimbursimit për të cilat janë vendosur ndaj 25 farmacive masa zhdëmtimi në shumën totale 1 113 320.3 lekë.
Penalizimet
Për diferenca në plus të pajustifikuara me fatura si dhe për shkelje administrative në lidhje me dokumentacionet dhe pikat e kontratës janë vendosur ndaj 28 subjekteve farmaceutike gjoba në vlerë totale 336 000 lekë. Janë ndërprere kontrata me 3 subjekte farmaceutike. Gjatë këtij viti, sa i takon depove farmaceutike, kontrolli ka qenë tematik, në lidhje me vërtetësinë e disa faturave të furnizimit të subjekteve farmaceutike dhe të pajisjes së barnave me pullën e kontrollit, të skadencës së barnave të tregtuara. Janë kontrolluar 12 depo importuese dhe distrubutore dhe ndër problemet që vlen të theksohet është mosdeklarimi i saktë nga ana e depove nëpër faturat e shitjes së serisë dhe datës së skadencës së barit, mbi këtë problem është ushtruar kontroll për vërtetësinë e këtyre elementëve. Në bazë të kontratës me depot Importues dhe Distributore janë vënë penalitete ku janë marrë masa të rekomanduara gjobe ndaj 7 depove, në vlerën 590 000 lekë.

Minmistri Vasili raporton për ngritjen e Task Forcës
Ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili i shoqëruar nga drejtues të lartë të Ministrisë së Shëndetësisë ka raportuar para Komisionit Parlamentar të Punës dhe Çë shtjeve Sociale dhe Shëndetësisë në lidhje me urdhrin e fundit për ngritjen e një grupi Task Forc që do të kontrollojë standardizimin e shërbimit shëndetësor publik në përgjithësi dhe atij privat në veçanti. "Shërbim shëndetësor jo publik duhet të jetë i uniformizuar, duhet të ketë standardet dhe qëndrimi ndaj tij duhet të jetë po aq objektiv, sa ai që mbahet ndaj shërbimit publik", tha Vasili, duke shtuar se "kontrollet janë ndërmarrë për t’u dhënë garanci qytetarëve që kudo që ata marrin shërbim shëndetësor, qoftë i administruar nga shteti apo privatët, standardet e shërbimit janë të garantuar dhe të verifikuara". Praktikat e reja të licencimit dhe vetëdeklarimit, sipas tij, nënkuptojnë në mënyrë ligjore kontrollin e mëpasshëm të vërtetësisë së gjithë asaj që është deklaruar nga subjekti, kur ai ka marrë përsipër të ofrojë shërbim privat. Për specifikat që ka ky sektor, kontrolli është ndarë në 4 grupe të mëdha, spitalet private, klinikat e karakterit diagnostik, shërbimi stomatologjik, si dhe laboratorët dhe shërbimi farmaceutik. Ndërkohë, për këtë të fundit funksionon prej shumë javësh Task force, ndërsa specifikë ka qenë uniformizimi i shërbimit shtetëror dhe privat. Kontrollet në grupet kryesore drejtohen nga drejtues të MSH, ndërsa për evitimin e çdo lloj keqkuptimi dhe për të qenë sa më afër kontrollit profesional, janë mobilizuar dhe specialistë nga struktuart e tjera publike në varësi të MSH. Sipas Vasilit pesë janë shtyllat mbi të cilat fokusohet ky kontroll, zbatimi i ligjshmërisë, përputhshmëria ndërmjet licencimit të aktivitetit bazuar në vetëdeklarim dhe ushtrimit të aktivitetit privat, personeli që ushtron veprimtarinë, praktikat mjekësore të afruar si dhe regjistrat dhe raportimet pranë institucioneve qendrore, mbeten momentet kyçe në të cilat shtrihet kontrolli. Mënyra e re e licencimit të aktiviteteve private në vend, përfshi dhe ato të sektorit të shëndetësisë, duke liberalizuar procedurat e përshpejtuar ato, kërkon forcimin e mekanizmave të kontrollit sistematik të veprimtarisë dhe cilësisë në shërbimin privat, tha sot ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, në Komisionin Parlamentar të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë. Nisur nga kjo, por dhe ankesat e qytetarëve e denoncimet në media për raste të pasaktësisë së vënies së diagnozave mjekësore, apo dhe të tjera, në strukturat private, MSH ka ndërmarrë një sërë kontrollesh për verifikimin e standardeve të ofrimit të shërbimit shëndetësor në to. Ndërkohë, Vasili vlerësoi shërbimin privat të rëndësishëm dhe komplementar me atë publik . Ministri i Shëndetësisë vuri në dukje se në rrethe është vënë në lëvizje mekanizmi i informacionit edhe për veprimtari eventuale mjekësore që ofrohen në mënyrë të paligjshme (pa licencë) e që janë fenomen akoma më negativ, informal, në sinjalizim të të cilave do të mbahen qëndrimet përkatëse ligjore. Vendimet e marra nga grupet e kontrollit në terren do të adresohen në Task Forcën përkatëse, ndërsa më tej do të proçedohet me vendimet përkatëse. "Në çdo shkelje të veprimtarisë nuk do të ketë hezitim edhe për kërkesën e ndërprerjes së veprimtarisë së aktivitetit. Nuk do të ketë negocim me kushte të ofrimit të shërbimi shëndetësor që nuk përputhen me standardet", siguroi Vasili.

30 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›