MASH ndryshon strukturën mësimore parauniversitare
Laureta Rryçi
Ministria e Arsimit dhe e Shkencës bëri publike dje strukturën e re mësimore për sistemin parauniversitar. Sipas deklaratës p[ër shtyp, MASH-i njofton të gjithë nxënësit, mësuesit dhe prindërit, se viti shkollor 2010-2011 do të nisë më datë 6 shtator 2010. Për shkollat 9-vjeçare të sistemit arsimor parauniversitar, semestri i parë do të nisë më 6 shtator 2010 dhe do të përfundojë më 28 janar 2011, ndërsa semestri i dytë do të fillojë më 31 janar të vitit 2011 dhe do të mbarojë më 10 qershor. MASH-i njoftoi gjithashtu se gjatë gjithë vitit shkollor do të ketë disa periudha pushimesh si për nxënësit ashtu edhe për mësuesit.
Pushimet
Periudha e parë e pushimeve do të jetë nga data 27 tetor 2010 deri më 31 tetor 2010. Më pas pushimet e fundvitit do të nisin më datë 24 dhjetor 2010 dhe do të mbarojnë më datë 5 janar 2011. Gjatë vitit shkollor do të ketë edhe një periudhë të tretë pushimesh që do të nisë më 28 mars 2011 dhe do të mbarojë më 3 prill. Për të gjithë sistemin e arsimit bazë parauniversitar në Shqipëri viti shkollor do të përfundojë më datë 10 qershor të vitit 2011. Klasat e nënta të këtij sistemi do të zhvillojnë provimet e lirimit gjatë periudhës 15-30 qershor të vitit 2011.
Për shkollat e mesme, viti shkollor do të nisë më 6 shtator dhe do të mbarojë më 17 qershor, ndërsa vetëm për klasat e 12-ta, mësimi do të përfundojë më 24 maj të vitit 2011.
Provimet
Pushimet do të jenë në të njëjtat data për të gjithë sistemin parauniversitar, ndërsa klasat e 12-ta do të kenë sesionin e provimeve të detyruara të Maturës Shtetërore nga periudha 26 maj-30 qershor 2011. Ministria e Arsimit dhe Shkencës vlerëson se pushimet që janë caktuar për vitin e ri shkollor do të vlejnë për nxënësit për t’u dhënë hapësira pushimi, ndërsa për mësuesit do të shërbejë si një periudhë e kualifikimit të vazhduar.
MASH njofton gjithashtu se kjo strukturë u është shpërndarë me një udhëzim të veçantë të gjitha Drejtorive dhe Zyrave Arsimore në vend dhe do të keni mundësi t’i gjeni lehtësisht jo vetëm në ëeb-site zyrtar të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, por edhe të afishuara në të gjitha shkollat e vendit. Maturantët në vitin 2012 do t’i nënshtrohen më shumë provimeve, nga katër do të jenë 5 pasi do të jetë provim i detyrueshëm edhe gjuha e huaj. Ndërkohë, edhe provimet me zgjedhje do të bëjnë pjesë në atë të detyrueshme dhe në fund maturanti nuk do të jetë i pajisur me dëftesë pjekurie, por me një diplomë mature. "Deri tani provimet e lëndëve me zgjedhje ishin jashtë marrjes së dëftesës së pjekurisë. Studenti i nënshtrohej atyre thjesht për efekt hyrjeje në universitet dhe përftim koeficientesh dhe pikësh për universitetet. Tashmë do të jenë pjesë e detyrimeve që ai duhet të kryej përpara se të marrë diplomën e maturës", shpjegon Tidita Abdurrahmani, drejtoreshë e Institutit të Zhvillimit të Arsimit.
Onkologët:Sëmundjet kancerogjene po përhapen me ritme të shpejta
Edhe pse vendi jonë renditet i fundit në Evropë përsa u përket të sëmurëve me kancer, shifrat janë alarmante. Sipas shifrave zyrtare, kemi rreth 3500-4000 persona çdo vit që diagnostikohen me kancer. Rreth 25 % të sëmundjeve tumorale e zë kanceri në qafën e mitrës dhe ai në gji. Pikërisht për parandalimin e kësaj sëmundje dje u mbajt seminari dy ditor për hartimin e planit të veprimit për kancerin e gjirit te femrat dhe kancerin cervikal. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, çdo vit diagnostikohen 3500-4000 raste me kancer. Kanceri i gjirit përbën 25.6% të tumoreve malinjë që prekin femrat. Kanceri qafës së mitrës zë vendin e dytë në Shqipëri për kancerat të femrave duke prekur rreth 6 % të tyre. I pranishëm në këtë takim, ishte edhe ministri i Shëndetësisë i cili u shpreh se kontrolli i kancerit te femrat është prioriteti Ministrisë së Shëndetësisë për shkak të sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë të tij. “Aktualisht në vend funksionon Komiteti Kombëtar i Kontrollit të Kancerit që drejtohet nga zëvendësministri i Shëndetësisë. Por, duhet që shërbimet e onkologjisë sipas nivelit dhe mundësisë të ofrohen gjithmonë e më shumë dhe në spitalet e mëdha rajonalë sidomos në ata të qyteteve kryesorë,”- tha Vasili. Sipas ministrit, spitalet rajonale duhet të tentojnë të fusin brenda aktivitetit të tyre një shërbim onkologjik më të specializuar se kaq. Kjo është e vetmja mënyrë që decentralizimi dhe mekanizmi i problemit ta rikthejë shërbimin në një kupolë. Gjithashtu për Vasilin në luftën kundër kancerit rol të veçantë e të domosdoshëm luajnë dhe mjekët e tereni. Statistikat tregojnë që rreth 80 % e popullsisë kryejnë të paktën një vizitë te mjeku i familjes. Kështu, duke marrë informacionin e duhur nga mjeku i familjes pacientët marrin guximin për të kryer vizita të mëtejshme. Pra vizitat te mjeku i familjes ndihmojnë në zbulimin e hershëm të sëmundjes.
Vasili tha se Strategjia e Kancerit mbështetet në shtyllën kryesore që konsiton në kontrollin e faktorëve të riskut, depistimin dhe zbulimin e hershëm, diagnostikimin dhe trajtimin mjekësor dhe shërbimin paliativ ndaj të të sëmurit.
Shqipëria është në hapat e para të zhvillimit të një sistemi të përparuar të kontrollit të kancerit.
Bashkia e Tiranës feston me maturantët e rrjetit rinor
Bashkia e Tiranës u ka kushtuar një festë të veçantë të rinjve të rrjetit rinor të kryeqytetit, të cilët kanë përfunduar shkollën e mesme, ndërkohë që disa prej tyre kanë përfituar të drejtën të studiojnë në universitetet më të mira jashtë vendit. Mes të rinjve kryebashkiaku Rama shprehu vlerësimin për punën dhe përkushtimin e tyre në jetën sociale, por dhe besimin se dijet e përfituara në këto universitete, do të dinë ti përdorin kur të rikthehen në vend. Rama tha se ndihej krenar dhe se do ti kujtonte me kënaqësi orët e ndara bashkë me këta të rinj që i janë dedikuar qytetit të Tiranës me aktivitete të ndryshme sociale dhe kulturore që janë organizuar në bashkëpunim. Duke vlerësuar përkushtimin e tyre në punët sociale dhe kulturore Rama shprehu bindje dhe besim se dijet që do të përfitojnë në këto universitete do të vinë t’i përdorin në vendin e tyre.
Tirana, qyteti më pak i shtrenjtë në Europë
Sipas një ankete të Mercer të titulluar “Kostoja e jetesës në Botë”, Tirana renditet një ndër kryeqytetet me të lira në Evropë. Anketa përfshin 214 kryeqytete në pesë kontinente ku, Tirana e Shqipërisë përveçse renditet si një ndër qytetet me koston më pak të shtrenjtë në Europë, ndodhet dhe në vendin e 200 në shkallë botërore, sipas kësaj ankete ku më i shtrenjti rezultoi një kryeqytet afrikan. Qytetet e tjera më të shtrenjtë në Evropë, ishin Oslo ( në vend të 11), Milan (15), Londër dhe Paris (të dy 17). Por, kryeqyteti më i shtrenjtë në Botë doli Luanda, kryeqyteti i Angolas në Afrikë, me Tokion në vendin e dytë dhe më Ndjamena të Chadit në vend të tretë. Kurse Karaçi në Pakistan ishte vendi më pak i kushtueshëm sidomos për riatdhesuarit. Për herë të parë bie në sy se qytetet me të shtrenjta në Botë janë ato afrikane, si Luanda, Ndjamena dhe Libreville në Gabo, që hynin tek dhjetëshja më e shtrenjtë. Më të shtrenjtat në Azi ishin, Tokio, Osaka dhe Hong Kong, kurse në Evropë Moska, Gjeneva, Zyrih dhe Kopenhagen. "Këto qytete janë të zgjedhur në bazë të kërkesave nga klientët tanë që janë të nacionaliteteve të ndryshme," tha Nathalie Konstantin, ekspert i Mercer, në një deklaratë lidhur me sondazhin. "Ne kemi parë rritjen e kërkesës për të dhëna mbi qytetet afrikane nga i gjithë spektri biznesit, sidomos ai minierave, shërbimeve financiare, linjat ajrore, prodhuesit, ndërmarrjet dhe kompanitë e energjisë”, shton Konstantin. Ndërkohë Tel Aviv (në vendin e 19) është qyteti më i shtrenjtë në Lindjen e Mesme, i ndjekur nga Abu Dabi ( ne vendin e 50) dhe Dubai (55). Tripoli (186), në Libi ishte vendi më pak i shtrenjtë në Lindjen e Mesme. "Shpenzimet për akomodim në Abu Dhabi dhe Dubai, vazhdojnë të jenë në ulje, duke ulur kështu dhen shpenzimet për vizitorët”, shton Konstantin. Ndërkohë San Paolo i Brazilit ishte kryeqyteti më i shtrenjtë në Amerikën Jugore dhe kjo sipas ekspertëve ka ardhur si rezultat i forcimit të monedhës reale kundrejt dollarit. Në Shtetet e Bashkuara, Nju Jork (27) është qyteti më i shtrenjtë, i ndjekur nga Los Angeles (ne vendin e 55). Ëashington, DC, renditet e 111 dhe më pak të shtrenjtë qyteti amerikan ishte Ëinston Salem ( ne vendin e 197).
30 Qershor 2010