Inva Mula, nga dje, një grua e divorcuar
Laureta Rryçi
Inva Mula nga dita e djeshme është një grua e divorcuar. Gjykata e Tiranës pranoi kërkesën e sopranos për t’i dhënë fund martesës së saj disa vjeçare me kantautorin Pirro Çako. Gjyqtarja e çështjes i ka besuar kujdestarinë e djalit të vetëm të çiftit, Invës duke i dhënë fund kështu maratonës së seancave në Gjykatën
E Tiranës. Gjatë seancës së djeshme nuk ishin të pranishëm Inva Mula dhe Pirro Çako, për këtë arsye divorci u firmos nga avokatët e zgjedhur prej tyre, përkatësisht Holta Kotherja e Çakos dhe Sokol Çomo i Mulës. Një seancë më parë mbrojtja e Çakos kërkoi që Anthony 14-vjeç të rrinte me Pirron sa herë që Inva Mula të ishte me turne, kërkesë e cila u rrëzua nga gjykata e Tiranës.
Kërkesa
Kërkesa padia civile për divorcin e çiftit të njohur e depozitoi në gjykatë më datën 1 prill të vitit të kaluar Inva Mula, dhe kishte si objekt të saj, zgjidhjen e martesës. Në kërkesë-padinë e saj, Inva Mula shpjegonte se martesa e saj e kishte humbur kuptimin. Pas 19 seancash të zhvilluara gjyqtarja e çështjes Elona Gjoka ka divorcuar përfundimisht çiftin e njohur.
Zgjedhja
Djali i çiftit të njohur, Inva Mula-Pirro Çako ka zgjedhur si kujdestare të tij, nënën e tij duke e deklaruar këtë në sallën e gjyqit ku erdhi për herë të parë. Anthony Çako, 14-vjeçar, ka deklaruar në seancën e pararendëse divorcit të prindërve të tij, se dëshironte të qëndronte me sopranon Inva Mulën. “Unë jetoj në Francë, ku edhe vazhdoj studimet e mia. Dëshiroj të rri me mamin”, mësohet të ketë deklaruar i mituri. Më pas ai është lënë i lirë që të largohej nga seanca. Më herët, gjyqtarja kishte kërkuar që fëmija të zgjidhte vetë me kë donte të jetonte. Po ashtu, gjykata kishte caktuar psikologë për të shqyrtuar kujdestarinë.
“Kështjella”, shtetasi gjerman nuk pranon të dëshmoi kundër Tafës
Daniel Hengelar, shtetasi Gjerman i dënuar me 19 muaj burg për veprën penale të trafikut të lëndëve narkotike, nuk ka dëshmuar dje tek krimet e rënda kundër të pandehurit Zaim Tafa. Ky i fundit nga Fieri gjykohet në gjendje të lirë, edhe pse u arrestua gjatë operacionit “Kështjella” si një nga bashkëpunëtorët e gjermanëve. Gjykimi i Zaim Tafës, biznesmen nga Patosi i Fierit, zhvillohet i ndarë. Ndërsa gjykata kishte thirrur në cilësinë e dëshmitarit një prej të dënuarve me shtetësi gjermane, Daniel Hengelar. Ky i fundit nuk pranoi të përgjigjej për gjykatën , madje tha se nuk dëshironte të pyetej nga prokurori i çështjes. Të ndodhur në këto kushte, prokurori kërkoi që deklarimet e tij të dhëna në fazën e hetimeve paraprake të futeshin në fashikullin e gjykimit. Pasi janë konsultuar me njëri –tjetrin, anëtarët e pesëshesh vendosën të fusin në fashikull dëshminë e dhënë nga gjermani në fazën e hetimeve paraprake. Po kështu është marrë edhe dëshmia e dhënë prej tij në gjykatë, kur ndodhej duke u gjykuar. Zaim Tafa akuzohet se ka bashkëpunuar me tre shtetasit gjermanë për të transportuar 40 kilogramë heroinë, nga Greqia drejt Gjermanisë. Arrestimi u bë në datën 2 maj të vitit të kaluar në momentin kur shtetasit gjermanë po përgatiteshin të kalonin pikën kufitare të Kakavijës. Të akuzuarit janë gjermanët Daniel Englert, Franz Kiacsek, Regina Kiacsek dhe Zaim Tafa, banues në Fier. Tafa u lirua pas arrestimit me vendim të Gjykatës së Lartë e cila e quajti të paligjshëm arrestimin e tij në flagrancë. Forcat e policisë vepruan në një aksion paralel, në Tiranë, Fier dhe Kakavijë. Mësohet se sasia e heroinës ndodhej në një makinë me targë të huaj, ku ndodheshin çifti Kiacsek, burrë e grua. Në sajë të hetimeve që kishte kryer grupi i punës kishte të dhëna të sakta se do të trafikohej dhe sasia e drogës. Kontrolli në makinën e çiftit gjerman zbuloi se brenda saj ishin fshehur 80 pako me lëndë narkotike, e cila rezultoi e tipit heroinë.
Ligji Amtimafia, 3.6 milionë lekë të krimit i kanë kaluar shtetit
Ndryshimet që iu bënë ligjit Antimafia kanë dhënë rezultate konkrete në luftën ndaj krimit të organizuar në fare pak muaj. Shifrat e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara flasin për miliona euro të investuara nga krimi por që tashmë janë në duart e shtetit. "Nga 20 janari deri në 20 qershor, Agjencia ka marrë në administrim pasuri mbi të cilat gjykata ka vendosur masën e sekuestrimit në vlerë prej 490.8 milionë lekë të reja ose me kursin e sotëm të euros, pasuri me vlerë prej 3.6 milionë eurosh. Pasoja e vënies në fuqi të këtij ligji e vendos për sekuestrimin në vlera prej më shumë se gjysma e vlerës së pasurive që kishte vendosur sekuestro për pesë vjet", thotë Hekuran Vladi, kryeadministrator i Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara. Një pjesë e mirë e pasurive të sekuestruara në 5 muajt e këtij viti janë vlera monetare. Ato u përkasin krerëve të grupeve kriminale të cilët kanë marrë dënimet nga gjykatat. Pjesa tjetër janë prona të paluajtshme, troje përgjithësisht në bregdet. Por edhe tregu i ndërtimit brenda qyteteve të mëdha mbetet i preferuar për botën e krimit. "Në vendimet e fundit gjykata ka marrë vendime për sekuestrim të vlerave të konsiderueshme monetare. Janë vlera monetare rreth 3 milionë euro nga e gjithë shuma pra, 6.3 milionë euro që është vlerësuar mesatarisht, me shumë se 3 milionë euro janë vlera monetare. Pra, aktualisht ne kemi toka në bregdet të cilat janë të sekuestruara dhe një pjesë tjetër që janë toka të konfiskuara", shpjegoi Vladi.
Masakra e Cërrikut, dëshmitari rrëfen sulmin që iu bë Postës
Në Gjykatën e Krimeve të Rënda vijojnë dëshmitë e ish- punonjësve të rendit kundër "Bandës së Cërrikut", anëtarët e së cilës akuzohen për vrasjen e 6 punonjësve të Gardës së Republikës dhe plagosjen e disa të tjerëve në 23 mars të vitit 1997 në Cërrik.
Dëshmitar në seancën e djeshme ishte Albert Uruçi, një ish- punonjës i postës së Policisë së Cërrikut, i cili foli për sulmin ndaj kësaj poste në marsin e "97. Ai pohoi se kishte parë një turmë njerëzish, prej 50-60 vetash pranë Postës, që kërkonte largimin e policëve prej saj. Dëshmia e tij, pason ato të bëra nga disa ish- kolegë të tij, mes tyre dhe dëshmitarë okularë në ngjarje. Shumë nga dëshmitarët në këtë proces janë ish- punonjës policie dhe të Gardës, të cilët kanë qenë të angazhuar në operacionin për vendosjen e rendit dhe qetësisë publike në kohën e trazirave të "97 në Cërrik. Si të pandehur në këtë proces janë shtetasit Llazar Bicja, Met Bozi, Arjan Toska, Roland Sota (Xhepexhiu), Alban Toska, Skënder Cani, Tomor Buzani, Bujar Buzani dhe Entel Gashi. Ata akuzohen si autorë të sulmit me armë zjarri ndaj punonjësve të Gardës dhe Policisë së Shtetit më 23 mars të vitit 1997 në Cërrik, me pasojë vdekjen e 6 gardistëve si dhe plagosjen e 9 punonjësve të policisë. Sikurse është pohuar nga disa dëshmitarë në Gjykatë, forcat e Gardës dhe Policisë ishin zënë në një pritë dhe ishin sulmuar nga një grup personash të armatosur me armë të lehta e të rënda.
30 Qershor 2010