SHBA, FBI arreston dhjetë agjentë sekretë rusë
Zyra Federale e Hetimeve, FBI, ka arrestuar dhjetë persona, nën akuzat se kanë qenë agjentë sekretë të shërbimit rus të zbulimit. Qëllimi i të arrestuarve ishte depërtimi në rrethet e politikë-bërësve amerikanë. Lajmi është bërë i ditur nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-ve. I akuzuari i njëmbëdhjetë, që u ka bërë pagesat dhjetë të arrestuarve, është në arrati. Ministria e Jashtme e Rusisë tha se arrestimi i tyre është një rikthim i Luftës së Ftohtë. Përmes një deklarate, ministria tha se akuzat e SHBA-ve janë të pabaza dhe kanë qëllime “të paqarta”.
Ministri i Jashtëm, Sergej Lavrov, deklaroi me sarkazëm të dukshëm se koha për arrestimet, është zgjedhur me kujdes të veçantë. “Ata nuk na e kanë shpjeguar se me çfarë ka të bëjë kjo. Unë shpresoj se do ta bëjnë. Gjëja e vetme që mund të them është se momenti për t’i bërë këto, është zgjedhur me mjeshtri të veçantë”, ka thënë Lavrov, derisa shërbimi rus i zbulimit nuk deshi të komentojë rreth arrestimeve. Ligji federal ndalon personat që të punojnë si agjentë të qeverive të huaja në territorin e Shteteve të Bashkuara, nëse paraprakisht nuk njoftohet Sekretariati për Drejtësi. Arrestimet thuhet se janë rezultat i hetimeve disavjeçare. Qeveria e Shteteve të Bashkuara ka zbuluar një mesazh të shërbimit sekret rus për dy të akuzuarit që janë identifikuar si Riçard dhe Sintija Marfi. Mesazhi thotë: “Jeni dërguar në SHBA për një periudhë më të gjatë. Arsimimi juaj, llogaritë bankare, makina, shtëpia, të gjitha i shërbejnë një qëllimi, të përmbushet misioni juaj kryesor, përkatësisht të gjenden dhe të zhvillohen lidhje në qarqet e politikës amerikane dhe të dërgohen informacione të fshehta”. Havi Kler, ekspert për spiunazhin amerikan dhe rus në Universitetin Empori, thotë se është befasuar nga numri i personave të arrestuar dhe se kjo mund të çojë në konkludime të caktuara. “Sigurisht, ky është një operacion shumë i madh, është befasues”, thotë ai. Por, fakti se ka pasur arrestime, tregon se ata nuk kanë imunitet, thotë Kler.
“Këta njerëz nuk kanë imunitet. Ata janë të lidhur me diçka ilegale dhe nuk do të kenë mbrojtje diplomatike”, thotë ai. Hetimet treguan se agjentët, me identitet të rremë, që nga viti 1990 kanë komunikuar me kode të fshehta dhe teknologji të përparuara kompjuterike.
Kosovë
Sulmohet në Prishtinë ministri i Arsimit, Hoxhaj
Ditën e djeshme është sulmuar fizikisht brenda ndërtesës qeveritare, ministri kosovar i Arsimit Enver Hoxhaj. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 12 të së martës kur ministri Hoxhaj po merrte pjesë në promovimin e paketës së gjelbër nga qendra rajonale e mjedisit për Evropën qendrore dhe lindore. Një dëshmitar okular tha se pas përfundimit të koktejit, ministri u sulmua nga një person i panjohur. I menjëhershëm ka qenë reagimi i rojeve të ministrit dhe policisë së Kosovës të cilët kanë marrë në kontroll situatën. Më pas u bë e ditur se u bë arrestimi i agresorit nga forcat e policisë.
Francë
Sarkozi kërkon shkurtimin e shpenzimeve shtetërore
Presidenti i Francës, Nikolas Sarkozi i ka kërkuar qeverisë franceze që të fillohet me një kurs kursimesh strikte. Ai ka urdhëruar që fluturimet me avionë të lejohen vetëm në qoftë se udhëtimi është më i gjatë se tre orë me tren. Në kohërat kur njerëzit vuajnë nga kriza, shteti duhet të jetë si kurrë më parë një shembull, shkruan presidenti Sarkozi në një letër dërguar kryeministrit, François Fillon. Presidenti vetë ka anuluar një pritje tradicionale verore në pallatin Elise. Një herë për një herë nuk do të ketë më as dalje të presidentit në gjueti.
Kinë
Marrëveshje tregtare historike me Tajvanin
Pas gati 60 vjet armiqësie të rëndë, Kina dhe Tajvani kanë nënshkruar një marrëveshje tregtare, e cila parashikon heqjen e doganave për shumë produkte. Kina do të hapë edhe sektorin e shërbimeve për ofertat nga Tajvani. Udhëheqjet politike në Pekin dhe Taipeh shpresojnë se lehtësimet tregtare do të mundësojnë edhe shtendosjen politike. Prej vitit 2008 mes Kinës dhe Tajvanit janë vënë edhe linjat e drejtpërdrejta të fluturimeve. Tajvani është ndarë prej Kinës pas luftës qytetare në vitin 1949, ndërsa qeveria në Pekin e trajton atë si provincë.
Izrael
Liberman: “Jo shtet palestinez para vitit 2012”
Ministri i Jashtëm i Izraelit, Avigdor Liberman tha se asnjë shtet palestinez nuk do të themelohet brenda dy viteve të ardhshme. Liberman iu referua thirrjes së "Katërshes" për Lindjen e Mesme, Rusisë, SHBA-ve, Bashkimit Europian dhe Kombeve të Bashkuara, që të arrihet një marrëveshje deri në vitin 2012.
Duke folur pas takimit me ministrin e Jashtëm të Rusisë, Sergei Lavrov në Jerusalem, Liberman i përmendi vështirësitë në negociatat paqësore të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara, si dhe ndasitë ndërmjet palestinezëve.
30 Qershor 2010