E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjithë Spanja pyet: A e ka vlerësuar drejt Barça, Mesin?

Është vetëm 22 vjeç, por tani Lionel Mesi është futbollisti më i paguar në botë. Kampion i Spanjës, kampion i Europës, futbollisti më i mirë në Champions League, heroi i "Pekin 2008"… dhe lista e trofeve është e pafund. A mund të arrihej më shumë nga Mesi në këtë moshë të re? Mesi ka nënshkruar një kontratë 7-vjeçare që nënkupton se ai do të qëndrojë te Barcelona deri më 2016. Klauzola për një prishje të mundshme të kontratës është rritur nga 150 në 250 milionë euro. Askush që ëndërron Mesin nuk mund t‘i afrohet kësaj shifre astronomike. Mesi mendohet ta mbyllë karrierën e tij në "Kamp Nou" dhe kjo është dëshira e tij. Sipas medias spanjolle, në kontratën e re përmirësohet treguesi ekonomik: paga vjetore shkon deri në 12 milionë euro. Spanja pyet: "A e ka vlerësuar drejt klubi katalanas Mesin"? Sulmuesi argjentinas nuk e fsheh se do të kishte mbetur i kënaqur dhe nëse rroga vjetore e tij do të ishte vetëm 10 milionë euro, ndonëse Laporta mendoi dhe realizoi atë vlerësim që Mesi e meriton.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›