E Diel, 1 Nëntor 2026

Obama: Racizmi, jo motori i protestave për reformën shëndetësore

Racizmi nuk është aspak elementi kryesor i protestave kundër reformës në shëndetësi. Barak Obama edhe një herë tjetër kërkon ta drejtojë vëmendjen në objektivin e tij kryesor, domethënë t‘i bindë amerikanët të mbështesin për herë të parë një sistem shëndetësor universal, duke mbajtur distancë nga debati që mori zjarr pas ndërhyrjes së ish-presidentit Xhimi Karter mbi faktin se racizmi kundër Presidentit afro-amerikan është motori i vërtetë i protestave që gjatë këtyre muajve i kanë çuar kundërshtarët drejt manifestimeve. "Ka persona që nuk më pëlqejnë për shkak të racës sime? Jam i sigurt që ka, por kjo nuk është arsyeja kryesore në këtë çështje delikate", pranoi Presidenti amerikan në një intervistë që do të transmetohet nga CNN. Obama mendohet se do jetë i pranishëm në pesë programe të ndryshme televizive, pikërisht për të shpjeguar detajet për reformën shëndetësore. Në një tjetër intervistë ai pranoi se më tepër se racizmi, "pjesa më e madhe e popullsisë amerikane është e interesuar të dijë se çfarë pasojash do të ketë për ta reforma shëndetësore. Shtysa kryesore vjen me siguri nga bindja se nga qeveria nuk mund të presin asgjë të mirë", deklaroi ai. Obama e pranoi se ai nuk ishte i pari deputet që po përballej me kritika të ashpra.

"Gjërat që u thanë për Franklin Ruzveltin janë shumë të ngjashme me ato që thuhen për mua: që ishte një komunist, një socialist. Të njëjtat kritika, shtoi ai, iu drejtuan edhe Reganit, kur ai u përpoq të ndryshonte New Deal". Ai nuk harroi të thoshte se ka reagime të ashpra gjithmonë kur presidentët përpiqen të bëjnë ndryshime të mëdha, kështu që argumenti mbi racën është shumë i pavend. Presidenti Barak Obama pranoi hapur se ashtu siç ka amerikanë që nuk e duan për shkak të ngjyrës, ka edhe të tjerë që e kanë votuar po për shkak të ngjyrës, por vuri theksin se ndjenjat antiqeveritare ishin arsyeja kryesore e protestave kundër reformës në shëndetësi. Ish-presidenti Xhimi Karter tha në fillim të javës se manifestimet kundër planit për reformë në shëndetësi ishin të bazuara mbi çështjen e racizmit. "Shumë mendojnë se një afro-amerikan nuk duhet të jetë President", deklaroi ai. "Unë mendoj se një pjesë e madhe e kundërshtimeve, të demonstruara në mënyrë intensive ndaj Presidentit Barak Obama, janë të bazuara në faktin se ai është zezak, se është afrikano-amerikan. Jam i bindur se racizmi ekziston ende, dhe se arsyeja që doli në sipërfaqe kohët e fundit është fakti se shumë njerëz të bardhë mendojnë se afrikano-amerikanët nuk janë në gjendje ta drejtojnë këtë komb të madh. Kjo është një gjë e neveritshme që më shqetëson shumë", tha Karter. Argumenti i ish-presidentit që e lidhte reformën me racizmin, erdhi pasi një republikan e akuzoi Obamën se po gënjente gjatë kohës që ai po kërkonte mbështetjen e ligjvënësve amerikanë për reformën në shëndetësi. Protestat e fundit kundër planit të Obamës për reformën shëndetësore në Uashingtonin përfshinë shumë taksapagues dhe njerëz të thjeshtë që nuk përfitojnë mbulim shëndetësor. "Ajo e racës është një çështje shumë delikate dhe njerëzit e kanë të vështirë ta bëjnë ndarjen, ta konsiderojnë atë si pjesë e sfondit të shoqërisë amerikane apo ta konsiderojnë si faktor dominues në çdo debat", përfundoi Obama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›