Gjermania, në alarm në prag votimesh
Më 27 shtator në Gjermani do të mbahen zgjedhjet e përgjithshme, ndërsa forcat e sigurisë janë vënë në alarm nga frika e atentateve të mundshme. Në të vërtetë, ajo që çoi në këtë gjendje alarmi ishte një video e re me kërcënime, shpërndarë në internet. Sipas policisë, fjalët e videos janë prononcuar nga qytetari gjerman, Bekkay Harrach, me origjinë marokene, që është bërë pjesë e rrjetit të "Al Kaeda"-s. Në mënyrë të habitshme, militanti i ri shfaqet në video jo me "uniformë" apo me fytyrën e mbuluar, por me kostum, kravatë dhe flokë të gjatë. Harrach, protagonist edhe në të tjera mesazhe e video kërcënuese, i kërkon elektoratit një "jo të fuqishme për luftën", duke thënë se nëse gjermanët edhe kësaj here do ta mbështesin politikën e qeverisë që ka dërguar trupa në Afganistan, atëherë ndëshkimi pas zgjedhjeve nuk do të mungojë. Ai kërkon gjithashtu tërheqje të menjëhershme të forcave gjermane të angazhuara në Afganistan. Videoja ka preokupuar edhe zyrtarët më të lartë të vendit. Në një intervistë, ministri i Brendshëm gjerman deklaroi se "në prag të kësaj periudhe delikate të zgjedhjeve të 27 shatorit, duhet të rrisim më tej sigurinë në aeroporte apo vende publike si stacionet e trenave dhe autobusëve". Megjithatë, ata mendojnë se videoja është pjesë e ofensivës propagandistike të "Al Kaedës", me të cilën ajo synon të ngjallë frikë te qytetarët përpara zgjedhjeve.