E Diel, 1 Nëntor 2026

Spektakli sapo ka filluarNga Leart KolaGjatë protestës dy ditore e gjysmë që organizoi Opozita përpara Kryeministrisë u gjenda dhe unë, diku në periferi të turmës, duke tymosur një cigare rastisur në shoqëri të një aktori të mirënjohur të teatrit kom

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Spektakli sapo ka filluarNga Leart Kola

Gjatë protestës dy ditore e gjysmë që organizoi Opozita përpara Kryeministrisë u gjenda dhe unë, diku në periferi të turmës, duke tymosur një cigare rastisur në shoqëri të një aktori të mirënjohur të teatrit kombëtar. Të heshtur po shihnim njerëzit që përpiqeshin të shtynin kohën me veprime nga më racionalet si ecejaket në bulevard deri tek ato më iracionalet si psh. shkërmoqjet e masave të mëdha të bukëpeshkut me përdorimin e vetëm dy gishtave.

Në mes të kësaj atmosfere të çuditshme miku im aktor më thotë: Sa mirë që politika ka filluar të bëhet spektakël, se në këtë mënyrë dhe ne që për profesion kemi spektaklin, kemi filluar ta kuptojmë plotësisht. Papritur gjithë elementet e pakuptimtë deri atëherë të puzzle-it që kisha përpara u formuan plotësisht.

Asgjë dhe askush në këtë vend nuk e ka seriozisht politikën, dhe në asnjë formë nuk mund ta kishte seriozisht. Enveri i nxirrte masat popullore të formonin me lule emrin e tij. Sa seriozisht mund t’i merrte diktatori i tmerrshëm, i shkolluar në Francë fjalimet e traktoristëve në parlament? Jam i sigurt që shkrihej së qeshuri me filma si “Zonja nga Qyteti” ose më mirë me atë tjetrin “Shoqja nga fshati”, ai është më spektakolar dhe më irracional sigurisht.

Po mos më thoni që populli e merrte seriozisht këtë punë, ishte frika që i nxirrte që në mëngjes, që i bënte të mos kishin kritika (edhe pse e dyshoj fort që ka patur masa kritike, ndërkohë që edhe tani në tranzicion nuk kritikohen as Berisha as Rama në rrathët respektivë). Sigurisht kishte heronj që u dergjën në burgje, heronj që nuk merrnin seriozisht diktatorin, dhe që ishin aq të lidhur me idene e tyre sa nuk mund të mos e thonin, heronj që u kalbën në funksion të besimit të tyre. Janë po ata heronj që sot kalben në margjinalizmin e bibliotekave, në heshtjen e librave të cilat detyrohen t’i zhdukin nga mendja sapo të dalin jashtë derës së shtëpisë e përplasen me kapitalizmin alla-shqiptar, ashtu sikurse më parë përplaseshin me komunizmin alla-Enver.

Sa seriozisht mund të merren takimet mes studentëve rebelë dhe nomenklaturës në fillim të viteve ‘90, ku më shumë ide demokratike artikulonte Ramiz Alia se sa studentët. Cili ishte Vaclav Havel-i ynë në atë takim? Edhe 19 vjet më pas nuk e di askush se çfarë kërkohej në atë takim nga studentët, e për pasojë gjithçka që mbajmë mend është “se si filani apo fisteku ia dhjeu muhabetin Ramizit”.

Po pse ka ndonjë njeri me mend në kokë që të merrte seriozisht Suden? Sigurisht që jo, e dinin të gjithë që në start që ishte piramidë, por meqë nuk besojmë në asgjë, as në kapitalizëm, as në socializëm, askërkund, i futem lekët me shpresën që ai që do të ngelte pa i marrë të qe dikush tjetër. Të gjithë e dinin, e dinte Sudja, e dinte Berisha, e dinte gjithë populli, e prapë të gjithë bëmë sikur askush nuk e dinte, mu si në një shfaqje teatri ku aktori, habitet njësoj pas çdo skene pavarësisht se e di paraprakisht se ç’do të ndodhë.

A mundet që sot ta marrim seriozisht Berishën kur flet për moralin e Ramës? A mund të merret seriozisht Berisha kur flet për vlerat e familjes? A ka marrë ndokush me mend në kokë seriozisht fjalë të Berishës gjatë këtyre dy dekadave politike? Po Rama a e mori seriozisht Berishën kur na e ritha dhe një herë një histori që e dinë të tërë në këtë qytet kaq të vogël sa dhe monotonia ka filluar të duket interesante?

Askush s’merr seriozisht askënd, është i gjithi teatër, as politikanët nuk e kanë me të vërtetë, as analistët, as ata që bëjnë si të prekur, askush. E dinë që është shumë qesharake që të merret seriozisht, por kultura hollivudiane kërkon që të jenë prezent, pra populli që voton Berishen hap televizorin që të shohë se ç’do të thotë ndonjë gjë të re (mundësisht me bazë seksuale), e më pas presin po me ankth para televizorit përgjigjen e Ramës, që duhet domosdoshmërisht të jetë në lartësinë e duhur por kujdes, jo politike. Spektakolare, të ketë elementë të rinj që nëpër shtepi të kemi mundësi t’i komentojmë me familjen, komshinjtë apo kushërinjtë, kjo pra është teatri i munguar, kinemaja e munguar, spektakli diku do të bëhet, e meqë nuk investon Rama me Berishën për salla teatrosh, të paktën të na e bëjnë në televizor me deklarata për shtyp.

Larg qoftë nëse biseda fatkeqësisht shkon në probleme që kanë të bëjnë me super taksat që po paguan biznesi i vogël; ekonominë që mban një shtet në këmbë e që po falimenton dita ditës; si po rritet çmimi i energjisë elektrike; si do të ritaksohemi dhe një herë meqë na ra tuneli i Kalimashit; si po kalon një ligj antimafia që bie në kundërshtim të hapur me të drejtat kushtetuese dhe do të na vendosë lakuriq para një shteti abuziv.

Larg qoftë të hapet biseda për papunësinë, arsimin, shëndetësinë, se nuk të dëgjon askush, ose le të themi që të dëgjojnë për disa minuta e me një zë të bindur nëpër familje dëgjohen fraza të tipit: Na e hiq nga këto lajme se na mërzitën me këto broçkullat e tyre këta, çoje të shohim ndonjë telenovelë.

Por nëse bëhet fjalë për ndonjë insinuatë të Berishës ndaj gruas së Ramës apo Nanos (e keni vënë re çfarë fetishi kanë këta të PD-së me gratë e këtyre të PS) atëherë të gjithë janë të ngulur para televizorit për tu befasuar dhe kësaj here tamam ashtu siç kishin bërë një muaj më parë, ndoshta dhe me të njëjtën batutë.

Perversiteti i situatës lind nga lart poshtë, ata aty nuk besojnë në asgjë, nuk besojnë në kapitalizëm, në fashizëm, komunizëm, liberalizëm, besojnë vetëm në pushtet. Në një pushtet që duan ta fitojnë dhe kaq, të ndjehen të mëdhenj në këtë vend xhuxh, me një kompleks krejtësisht frojdian.

Të gjithë janë në kërkim të suksesit të menjëhershëm, duan të jenë të pasur, të respektuar. Nuk besojnë te asgjë, sepse të besosh në diçka do të thotë të jesh konsistent me besimin tënd e për pasojë të mos gjesh prehje për realizimin e tij, e mos pranosh asnjë kompromis, të mos përkulesh para asgjëje, këto janë mënyrat që i kanë bërë qytetet e mëdha, kjo është forma që e bën një shoqëri, një komunitet një grup, një qytet që diskuton për problemet e veta si një i tërë, dhe jo thashethemet e individëve. Por kjo kushton, se sot askush nuk e ka zili intelektualin që e kaloi jetën burgjeve, atë që dikur u dënua për besimin e vet, e vazhdon sot të kalojë jetën me një dhomë e kuzhinë nën pluhurin e librave të bibliotekës së tij. Heroi për ne ka qenë gjithmonë dikush tjetër, përpara ishte kryetari injorant dhe servil i kooperativës, sot shefi i korporatës (jo ndonjë ndryshim i madh apo jo?)

Në Romën e lashtë spektaklet organizoheshin pikërisht për t’i hequr mendjen publikut nga problemet e përditshme, taktikë e njohur diktatorësh. Edhe Enveri na ushqente me spektakle. Pluralizmi po na ushqen me të njëjtën mënyrë.

Prandaj të dashur spektatorë, zini vend, fikni celularët, mos bëni zhurmë gjatë shfaqjes, bisedat per çfarë patë mund t’i bëni pas saj, aktorët tanë janë gati për të dalë në skenë. SPEKTAKLI SAPO KA FILLUAR.

* saktivista.blogspot.com

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›