Ministri nuk e njeh situatënNga Sadedin ÇelikuMë vjen keq të sjell tek lexuesit të njëjtin personazh, i cili prodhon probleme e lëndë të parë për gazetarët. Ai person është pikërisht Lulëzim Basha, ish- ministër i Transportit, i Punëve të Jashtme
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Ministri nuk e njeh situatënNga Sadedin ÇelikuMë vjen keq të sjell tek lexuesit të njëjtin personazh, i cili prodhon probleme e lëndë të parë për gazetarët. Ai person është pikërisht Lulëzim Basha, ish- ministër i Transportit, i Punëve të Jashtme dhe së fundmi njeriut të garantit iu besua posti i Ministrit të Punëve të Brendshme.
E dëgjova mbrëmë tek fliste si një profesor për sigurinë rrugore, sinjalistikën dhe bëmat e qeverisë në funksion të integrimit. Ky zotëri punoi një vit e gjysmë si Ministër i Transportit dhe e filloi e mbaroi me prishjen e kthimin në identitet të mbikalimit të Zogut të Zi.
Meqenëse bënte pjesë në njerëzit besnikë të Kryeministrit, u sakrifikua një diplomat karriere dhe u vendos ky që s’e kishte haberin për asgjë.
Si Ministër i Jashtëm ai pati shumë punë e udhëtime jashtë shtetit. Një ditë takova një mik e diplomat karriere në Ministrinë e Jashtme dhe e pyeta se si punon ministri. Të them të drejtën nuk kam ndonjë status për të bërë vlerësime të tilla, por i nxitur si gjithë qytetarët e tjerë shqiptarë për problemet e integrimit dhe heqjen e vizave, si hallexhi që jam, e mora këtë iniciativë.
Ai më tha: “është mik i Salës dhe përfaqësues fotozhenik në takime me të huaj”.
Atëherë vazhdoj e i them se cili është misioni i tij.
Ai më tha se nuk ka ndonjë mision special se nuk është profesionist e diplomat, por për të mbajtur vendin e punës atij i duhet të bindë ndërkombëtarët se Kryeministri i Shqipërisë punon mirë, se nuk e zë gjumi për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Atëherë u ndamë, dhe pa folur u mirëkuptuam.
Le t’i kthehemi temës për të cilën filluam. Z.Basha, pasi shpalosi vlerat e tij në transport, diplomaci, filloi të tregtojë vlerat e tij në Ministrinë e Brendshme në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve, mbrojtjes së rendit etj, dhe pikërisht në atë intervistë na tha se gjatë këtij viti janë aksidentuar 300 njerëz dhe se fajin na e paskësh pushteti vendor që nuk bashkëpunon me atë qendror dhe se shkaku kryesor na qenka mungesa e sinjalistikës. Turp!
Kjo është dinamika e treguesve të aksidenteve, nga 747 aksidente me pasojë vdekjet në vitin 2005, në 1300 në vitin 2008. Tendenca vazhdon në rritje edhe pse Ministria e Transportit ka marrë 20 milion dollarë kredi nga Banka Botërore në dy transhe për ndërgjegjësimin e drejtuesve të automjeteve dhe reduktimin e aksidenteve me pasojë vdekjet (marrja e kredisë e ka rritur numrin e aksidenteve).
Mjafton të kujtojmë se vetëm gjatë muajit korrik të këtij viti janë aksidentuar dhe kanë vdekur 42 drejtues automjetesh. Faji mbetet gjithmonë i shoferëve dhe i sinjalistikave, sipas ministrit.
Natyrisht që pushteti vendor ka përgjegjësitë e veta, jo vetëm për sinjalistikën, por edhe për disiplinimin e trafikut, pasi më së shumti qarkullimi kthehet shpesh here në kaos.
Po pushteti qendror çfarë përgjegjësish ka?
Si person politik ministri nuk duhet të flasë për probleme teknike që nuk i takojnë atij se ndryshe ndarja e posteve teknike e politike bëhet kot me ligj. Ai duhet të jetë më modest dhe nuk duhet të marrë përgjegjësitë që nuk i takojnë. Kjo intervistë më kujton kryeministrin, i cili para pak kohe në Prishtinë deklaroi se do të lidhë hekurudhën e dy pjesëve shqiptare, dhe pak kohë pas tij, zonja Edit Harxhi tha se do lidhet hekurudha shqiptare me Stambollin. Edhe bën vaki që këto lidhje të bëhen, por nëse shitet Shqipëria se ndryshe nuk kanë ku e gjejnë financimin. Të them të drejtën nuk e di çfarë aritmetike kanë bërë në shkollë se nuk ka mundësi të bëhen këto deklarime.
Le t’i kthehemi temës për të cilën filluam.
Zoti Ministër, aksidentet ndodhin në rrugë nacionale (me ligj janë prone e pushtetit qendror) dhe jo në zonat urbane (në qytet) për shkak se trafiku nuk i lejon të udhëtojnë më shumë se 25-30 km/orë. Kjo është arsyeja që nuk ka aksidente në zonat urbane.
Në qoftë se do të ishe i sinqertë, duhet të thoshe se superstradat janë të papërfunduara dhe pa sistem ndriçimi, mungojnë tërësisht sinjalistikat horizontale, vertikale dhe elektronike, këto për shkakun e thjeshtë se jeni mësuar të prisni shirita pa përfunduar objekti.
Mungojnë trajnimet e inspektorëve rrugorë, të cilët janë ndërruar tërësisht dhe askush nga ata që janë nuk njeh kodin rrugor dhe ligjin e transportit. Mungojnë muret mbrojtëse, jepen patenta pa vend dhe kontrolli teknik i automjeteve kalon sa për formë.
E pra, nuk kemi pse e pasojmë topin në fushë të kundërshtarit. Secili duhet të mbajë përgjegjësitë e veta dhe së bashku të bëhen faktor pozitiv për eliminimin e pasojave, të cilat janë jo të vogla. Po për sinjalistikën hekurudhore, kush e ka fajin? Të gjithë e dimë si punoni dhe çfarë produkti sillni. Mos u rrekni të bëni lojëra, por administroni me kujdes krizën politike të cilën po e vuajmë ne, populli shqiptar, ndryshe nuk do të mund të kemi integrim, zhvillim, mirëqenie.