E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjithë njerëzit e Presidentit

Share

Cilët janë 140 gratë e burrat që do të zgjedhin Presidentin e ri të Republikës? Çfarë ka pas vendimmarrjes së krerëve të partive parlamentare dhe cilët janë njerëzit që do të zbatojnë skemat e tyre? Të gjitha kombinimet e shifrave që mund të garantojnë apo të hedhin poshtë numrin e 71 votave Pro për kreun e shtetit.

Nga Lorenc Vangjeli

Revista JAVA

Ka një keqkuptim për të cilin në këto ditë të nxehta nuk flet askush. Ngjan se emri i ri i Presidentit të ri të Republikës mund të dalë vetëm nga ekuacioni i ndërlikuar i marrëdhënieve, negociatave apo konsultimeve me krerët e partive parlamentare në vend. Berisha e Rama, Meta, Idrizi, Oketa, Mediu e Dule, janë njerëzit që do të vendosin se cili do të ulet në zyrën e kreut të shtetit në fund të Bulevardit Dëshmorët e Kombit. Por pakkush flet për faktin që mbas tyre, ka një kampion zgjedhësish shqiptarë që do të hedhin votën. Ata janë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë. Plot 140 gra dhe burra. Të ndarë në llogoret e partive të tyre, teorikisht, por vetëm teorikisht, me një votë që i bindet vullnetit të kryetarit të partisë dhe vendimmarrjes politike që do të kenë partitë, ata, në fund të fundit, do të materializojnë fshehtaz vullnetin e tyre se cili do të jetë President i nesërm i vendit. Ndër ta, vetëm 30-40 vetë nga të dy palët, përfshi edhe anëtarët e kabinetit qeveritar, kanë një emër të spikatur publik apo kanë pasur aktivitet të dukshëm në Kuvend. Pjesa tjetër, më së shumti ndodhet vetëm në listat emërore të Kuvendit dhe në borderotë e institucionit. Duke përbërë një shumicë të heshtur në Kuvend, zëri i të cilës është ndjerë pak ose aspak në këto tre vjet të kësaj legjislature. Në të vërtetë, kalkulimet për arritjen e shifrës magjike 71 e cila do të zgjidhte Presidentin si mundësi të fundit në raundin e pestë të votimit, në rastin ekstrem, normalisht duhet të bëhen direkt me emrat konkretë. Atë që po e bëjnë në fakt, në selitë e partive drejtuesit e tyre, por që deri më tani, publiku nuk e njeh si realitet.

Gjendja reale e shifrave

Për momentin, në Kuvend janë të përfaqësuara gjashtë parti. Partia Demokratike ka 66 deputetë të sajët, Partia Socialiste ka 65 deputetë, LSI ka katër deputetë, PDIU 2 deputetë dhe PR, PBDNJ dhe partia Fryma e Re Demokratike nga një deputet. Të ndarë formalisht në maxhorancë dhe minorancë, penduli i deputetëve shkon në 73 deputetë në qeverisje dhe 67 në opozitë.

Këto janë shifrat aktuale të konfiguracionit politik në Kuvend, të ndryshme nga ato që dolën nga zgjedhjet e qershorit 2009. Gjatë këtyre tre vjetëve të kësaj legjislature, ka pasur disa lëvizje deputetësh nga njëri krah në tjetrin. Paulin Stërkaj, deputet i Malësisë së Madhe, qarku i Shkodrës, është larguar nga PD dhe është bashkuar me grupin socialist. Vangjel Tavo, deputet i Gjirokastrës është larguar nga grupi i PS-së dhe është bashkuar me LSI-në. Dritan Prifti, deputet i qarkut të Fierit për LSI-në, është larguar nga kjo parti dhe është bërë deputet i opozitës. Kastriot Islami, deputet i qarkut të Tiranës, është larguar nga PS-ja dhe është deputet i pavarur. Së fundi, Gazmend Oketa, deputet i PD-së për qarkun e Durrësit është larguar nga kjo parti duke krijuar një parti të re.

Kombinimet e shifrave

Këtë lloj aritmetike shifrash, natyrisht e kushtëzon politika. Në pamje të parë, ngjan se maxhoranca garanton emrin që ajo zgjedh me 73 votat e saj. Por edhe këtu, ka disa llogari të fshehta. Fillimisht në vetë 66 votat e Partisë Demokratike. Gazmend Oketa, deputet i Durrësit dhe tashmë kryetar i komitetit nismëtar të PFrD ose siç njihet ndryshe, partia e zotit Topi, në fillim dhe një tjetër zë autoritar në këtë parti më pas, pretendojnë se në radhët e deputetëve demokratë të kësaj legjislature, ka më shumë se një të tillë që me të gjitha gjasat do ti bashkohet partisë së re. Një histori që mbetet për tu verifikuar në një të nesërme të shpejtë. Brenda më pak se një muaji do të shihet nëse numri i deputetëve demokratë do të zbresë poshtë shifrës 66.

Mjaft interesante është vota e republikanit Mediu. Shumë aktiv në skenën politike të këtyre muajve të fundit, Mediu ka shfaqur hapur pakënaqësinë e tij për sistemin zgjedhor dhe ka kërkuar ndryshimin e tij për ta bërë kombëtar proporcional të korrektuar. Me rreth 30 mijë votat që ka marrë në 2009, ai ka humbur dy mandate për shkak të sistemit. Por në rast të ruajtjes së të njëjtit sistem, edhe vetë mandati i tij vihet në dyshim. Nuk është larg të vërtetës edhe një seri presionesh që po i bëhen Mediut në mënyrë indirekte. I fundit kishte të bënte me një vendim të Gjykatës Kushtetuese që rikthen për rigjykim në Gjykatën e Lartë një akuzë penale në ngarkim të tij për tragjedinë e Gërdecit. Duke pasur parasysh faktin që Kushtetuesja tashmë është nën kontrollin e plotë numerik të zotit Berisha, ka shumë mundësi që kjo lloj shpate e Demokleut, të jetë mprehur pikërisht në zyrën e kreut të qeverisë.

Votat e PDIU-së janë gjithashtu një mister më vete. Shumë më shumë se në një rast, dy votat e Idrizit dhe Tahirit kanë shpëtuar kuorumin në Kuvend, ndërkohë që një marrëveshje bashkëqeverisjeje mes PD-së dhe PDIU-së, përveçse mjaft e shtyrë në kohë, ka qenë dhe pothuaj tërësisht jo proporcionale. Në kuptimin që vlera e dy votave të dhëna për maxhorancën nga PDIU ka qenë shumë më e madhe se feta e pushtetit që i është ndarë asaj. Një deklarim i kithtë i Idrizit, edhe për një portofol ministror në kabinet, është një sinjal i qartë për vetëdijen e tij se vota për Presidentin, ka një vlerë shumë më të madhe.

LSI, është në anën tjetër, çelësi i fundit që hap derën për Presidentin e ri drejt zyrës qëndrore të shtetit. Janë katër vota, më shumë se të arta, në krahasim me atë që ishin në vitin 2009, kur garantuan mandatin qeverisës së zotit Berisha. Lëvizjet e befasishme të momentit të fundit të zotit Meta, i rivlerësuan ato vota në pikun e tyre. Një afrim i pamenduar më parë me zotin Rama, e bën tërësisht të paparashikueshëm, natyrën presidenciale të kësaj vote. Ajo është një votë kushtëzuese. Më së paku, Meta dikton emrin e ri të Presidentit, më së shumti, mund të krijojë krizë qeverisëse, që sjell deri shpërndarjen e Kuvendit dhe e çon vendin në zgjedhje të reja. Sepse, i sigurt për momentin, është vetëm fakti që Presidenti i ri do të duhet të ketë me dosmosdo pëlqimin e LSI-së.

Nuk mund të lihet jashtë vëmendjes, përkundrazi, duhet parë me shumë vëmendje vota e deputetit Dritan Prifti. Deputeti kontravers dhe i pazakontë, është një x në ekuacion që do të duhet të merret parasysh në të gjitha rrethanat. Ajo mund të bëjë shumicë në njërin apo tjetrin krah të pendulit politik duke i dhënë mundësi Priftit, që të rinegociojë shumëçka për të nesërmen e tij politike.

Vota e vetmuar e Kastriot Islamit, gjithashtu merr peshë të konsiderueshme dhe ka shumë gjasa të jetë pika e ujit që mund të mbushë apo të derdhë gotën.Në anë të kundërt, mbetet për tu verifikuar cilësia e votës së opozitës, në kuptimin nëse ajo do të jetë kompakte. Tradita parlamentare në Shqipëri, e ka pasur shpesh si rregull dhe jo përjashtim faktin që

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›