Kryediplomatin nuk e qas kush në Kanada. Turp për Shqipërinë se Haxhinastos nuk i skuqet faqja
Lideri shqiptar gërmon për investime kanadeze gjatë vizitës joceremoniale. Ky është titulli i një shkrimi të gazetës së madhe kanadeze, Globe and Mail, që i referohet vizitës së Ministrit të Jashtëm shqiptar, Edmond Haxhinasto, në Kanada.
Në shkrim thuhet se kryediplomatin tonë nuk e ka qasur kush.
Mbërritja e zotit Haxhinasto kaloi virtualisht pa u vënë re në Otava. Ndërsa kryeministri polak, Donald Tusk u prit në mënyrë madhështore gjatë vizitës në Otava të hënën, Shqipëria mori shumë pak vëmendje. Nuk pati flamuj kuqezi përgjatë Wellington Street përballë parlamentit, nuk pati as takim dhe as mundësi për foto me kryeministrin Stephen Harper, nuk pati asnjë njoftim për këtë vizitë nga Departamenti i Çështjeve të Jashtme. Por politikani shqiptar nuk është shqetësuar nga mungesa e ceremonisë, shkruan Globe and Mail.
Në fakt nuk shqetësohet Haxhinasto dhe as ka për tu shqetësuar fare. Siç e tregon shkrimi, ai ka shkuar atje se e ka dërguar një kompani kanadeze që gërmon në minierat shqiptare. Atij nuk i skuqet faqja, por shqiptarëve u skuqet se ai na përfaqëson ne, shtetin tonë. Janë simbolet tona që shpërfillen. Kjo na dhemb. Se për politikanët, i kemi harruar prej kohësh që ekzistojnë.