E Diel, 1 Nëntor 2026

“Gjithkush të flasë gjuhën që i pëlqen, e papranueshme "gjuha" e përçarjes”

18-10-2011 / Gazeta 55

Kreu i delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Ettore Sequi


Ambasadori i BE-së në Tiranë, Ettore Sequi, deklaroi dje se debati i nisur ditët e fundit mes Topallit dhe Topit, është i pafrytshëm, pasi secili mund të flasë gjuhën që i pëlqen, ndërsa apeloi se të gjithë duhet të flasin gjuhën e bashkëpunimit dhe jo përçarjes. Sequi vuri në dukje se vlerat evropiane nuk pranojnë të tilla ndasi krahinore linguale, pasi në kushtet kur Bashkimi Evropian është në kushtet e një diversiteti kulturor dhe gjuhësor, gjuha më e preferuar është gjuha e bashkimit dhe bashkëpunimit. “Mesa kam kuptuar është një debat për gjuhën dhe ju e dini që motoja e BE-së është “Të bashkuar në diversitetin tonë”, që do të thotë: Kemi gjuhë të ndryshme, por sërish e kuptojmë njëri – tjetrin. N.q.s më pyet se cila është gjuha që kam më shumë qejf dhe nuk e di n.q.s është pjesë e pyetjes tuaj, unë përgjigjem tepër thjesht: “Gjuha ime e preferuar është gjuha e bashkimit!” - u shpreh Sequi. Këto komente ambasadori Sequi i bëri nga qyteti i Shkodrës ku prezantoi progres-raportin e Komisionit Evropian për Shqipërinë.  Ai tha se BE pret nga faktori politik shqiptar sinjale pozitive, deri në dhjetor, periudhë kur Brukseli do të diskutojë për Shqipërinë. “Unë jam shumë i inkurajuar për mënyrën se si është pranuar nga liderët politike progres-raporti, dhe shoh se ka sinjale pozitive nga palët politike për angazhim. Shpresoj që deri në dhjetor kur edhe do jepet progres - raporti për Shqipërinë, vendi të marrë një përgjigje pozitive. Shqipëria e ka potencialin e nevojshëm që të jetë pjesë e BE-së. Nëse në këtë periudhë do të ketë sinjale pozitive për ecuri të zbatimit të disa prej çështjeve që kanë të bëjnë me 12 prioritete kyçe dhe nëse i afrohet shteteve anëtare mendoj se ky do të jetë një sinjal pozitiv, të cilin këshilli do ta marrë në konsideratë” - tha ai. Sipas Sequi, reformat zgjedhore janë vetëm një prej çështjeve që përbëjnë 12 pikat. “Ajo që do donim të shihnim janë sinjalet pozitive të disa llojeve të ndryshme që tani e deri në dhjetor kur mblidhet këshilli, por nga ana tjetër presim që edhe politika të reagojë për këtë çështje. Unë besoj ashtu siç ka thënë edhe Komisioneri Fyle, se ka ardhur koha që Shqipëria të tregojë aftësitë e veta. Shqipëria e ka potencialin e nevojshëm që të jetë pjesë e BE-së” - deklaroi kreu i delegacionit të BE. Zyra e Delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, ka nisur një fushatë nëpër Shqipëri, për të informuar opinionin publik rreth integrimit Evropian dhe progres-raportit të BE për Shqipërinë. Në takimin e mbajtur në zyrën e Bashkimit Evropian në Shkodër Ambasadori i Bashkimit Evropian Ettore Sequi shoqërohej nga Përfaqësuesi i Lartë për Politikën Vitalio Rampui, përfaqësues të pushtetit vendor në Shkodër, etj.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›