Rruga Spiropali
Elisa Spiropali, kreu i FRESH-it kish qesëndisur dje një shkrim të titulluar “Rruga Coca Cola”, si duket jo për të shpalosur problematikat, të meta dhe arritjet e Forumit Rinor Eurosocialist çka është e vështirë për t’u analizuar, por për të ironizuar emërtimin e një rruge afër fabrikës së parë kapitaliste në Shqipëri: “Coca Cola sh.p.k”. Një markë e njohur amerikane e pijeve freskuese joalkoolike, me sipërmarrës italo-shqiptarë që ka qenë një vendpunësim i paparë për banorët e Mëzezit, Laknasit dhe “Rrapi i Treshit”, që nga themelimi i saj, në 1994. Për këtë arsye rruga që çonte punëtorët në fabrikën u “vetë-pagëzua” rruga që të çon te “Coca Cola”. Nuk është Bashkia Kamëz, por banorët punëtorë që përshkonin këtë rrugë çdo orë, duke parë që fabrika punon me tri turne, që e kanë pagëzuar me këtë emër. Prandaj Bashkia Kamëz vetëm sa ka konstatuar emërtimin e kësaj rruge, që znj. Spiropali, si duket, përpiqet të tallet me një sarkazëm pazari.
Megjithatë znj. Spiropali duhet të kujtojë pikë së pari se për emërtimin e rrugëve ekziston një debat brenda vijës së verdhë të qytetit të Tiranës dhe nuk është nevoja të dalim jashtë kryeqytetit për të gjetur një temë “kitsch” për të qenë në qarkullim mediatik. Disa kohë më parë Drejtoresha e Arkivit Qendror të Shtetit, Nevila Nika, ka shprehur nevojën për adresarin e Tiranës. Sipas saj, sistemi i adresave është për të ardhur turp, pasi rrugët po emërtohen me emra kriminelësh dhe të vrarësh politikë. Ka të drejtë, sepse rrugët tona janë emërtuar me ca emra komunistësh 24 karat të vrarë, përgjithësisht, rreth viteve 1943-1945, ku vlonte lufta civile. Për shembull dy raste: Emri dhe Mbiemri Sabaudin Gabrani gjendet në të paktën dy shkolla dhe tri rrugë në Tiranë; por kush është shoku Sabaudin Gabrani, ç’ka bërë ky njeri për të merituar kaq respekt viziv në këtë Shtet. Asgjë. Sipas komunistëve ai është Hero i Popullit sepse, sipas historisë së tyre, pasi u kap nga forcat fashiste, u dënua me vdekje. Fjalët e tij të fundit ishin: “Mos u trembni në aksione, se dhe këtu në Ministrinë e Kulturës, ku punojmë, po na zbuluan, ne do ta kthejmë në një kala komuniste”. Nuk besoj se kishte ndonjë komunist aty afër për të incizuar fjalët e një simpatizanti komunist, pa ndonjë meritë a betejë për atdheun. Apo rruga kryesore e një lagjeje të madhe si “Komuna e Parisit” të emërtohet Medar Shtylla (ish-ministër ekonomie për 5-vjeçarët komuniste), sikur të mungonin njerëzit me vlera në këtë vend. Sikurse emrat e albanologëve të mëdhenj enden nëpër cepa e kthina rrugësh, dhe shumë prej tyre janë krejt të harruara. Po ashtu klerikët katolikë të asgjësuar nga furia jakobine kufizohen tek emri i Fishtës, edhe ky i persekutuar post-mortem.
Ndërsa një tjetër emërtim i çuditshëm është rruga “Myslym Shyri”, një rrugë sot e shtrenjtë për butikët dhe lokalet e saj, por që mban emrin e një gangsteri piroman që piqte fshatra “reaksionare”. Të përjashtuarit e zakonshëm janë antikomunistët. Ata janë ende të përndjekur në adresarin e kuq të Tiranës. Kurse data kinse “çlirimtare” (11, 13 nëntori) të qyteteve nga komunistët gjenden mbi hyrje shkollash, çerdhesh, librarish, stadiume, rrugësh e rrugicash lagjeje.
Me një llaf janë emërtimi i asgjësë. Të papersonalizuara, tërësisht të huaja janë kanalet e energjisë dhe simboleve të diktaturës. Kanë kaluar dy dekada nga zbythja e sistemit komunist, dhe është e pabesueshme që ende sot, emrat e një pjese të madhe të institucioneve publike e shtetërore të edukimit, sportit dhe arsimit, të rrugëve, rrugicave, parqeve e shesheve, kanë mbetur të pandryshuara, ashtu siç kanë qenë në kohën e PPSH-së.
Kuptohet vetiu, znj. Spiropali rrugët, emërtimet e tyre nuk janë aq të papeshë për asnjë shoqëri. Ato bëjnë fizionominë e qytetit, identitetin e tij. Janë të rëndësishme. Shumë të rëndësishme. Dhe gjërat në Tiranë do të ndryshojnë me administratën e re. Kurse, për ndryshimin e politikës që ndjek FRESH-i i drejtuar nga znj. Spiropali, është e vështirë të kuptohet. Znj. Spiropali është përzgjedhur prej Ramës që të fryhet me lajka, siç bën një zhabë në një moçal.