Allegri optimist: Do luftojmë për titullin e Serisë A
Milani është gati për sfidën e fundjavës me Bolonjën, ku do të kërkojë të harrojë disfatën në ndeshjen e parë të kampionatit me Sampdorian. Lëvizjet e fundit në merkato, që u mbyllën me blerjen e De Jong nga Manchester Siti, e kanë kënaqur trajnerin Alegri, i cili tashmë ka ndryshuar mendim: Milani i tij do të luftojë për titullin e Serisë A. “Kanë mbërritur futbollistë të rëndësishëm, që e kanë përmirësuar grupin. I fundit është De Jong, që vështirë se do të luajë ndaj Bolonjës. Unë nuk kam thënë asnjëherë që Milani nuk është për tre vendet e para. Milani gjithmonë ka si objektiv të arrijë sa më lart të jetë e mundur. Si fillim duhet të kalojnë fazën e grupeve të Championsit dhe pastaj do të kërkojnë të bëjmë diçka më shumë se sezonin e kaluar.
Optimizmi
Alegrit i është rikthyer optimizmi dhe kjo ka shumë rëndësi para transfertës së vështirë të Bolonjës. Jam i sigurtë që do jetë një Milan i bukur, që do të bëjë të harrohet humbja me Sampdorian. Bolonja është një kundërshtare shumë e vështirë, sidomos në fushën e saj, por ne duhet të bëjmë lojën tonë të zakonshme dhe të guxojmë më shumë, deklaroi ai.
Nga zero
Trajneri kuqezi ngulmon se Milani i tij po e nis nga viti zero, por do të luftojë sërish për trofe. Kur një ekipi i largohen lojtarët kryesorë, është normale që të niset nga zero. Kemi lojtarë me karakteristika të ndryshme dhe shumë më të rinj, por që duhet të përmirësohen shumë. Harrojeni Milanin që keni parë deri më 15 maj. Është një grup i ndryshuar, por unë kam besim se do të luajmë gjithmonë për të fituar, përfundoi Allegri. Për transfertën e Bolonjës Alegri ka grumbulluar dy nga tri blerjet e fundit, De Jong dhe Bojan Kërkic.