E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shuplakë Berishës

KE, kritika për reformat e vonuara, atë zgjedhore, në drejtësi dhe për çështjen e pronave. Vihet në dyshim heqja e vizave

Qeveria e kryeministrit Sali Berisha mori dje një goditje jo të drejtpërdrejtë në synimet e saj për të përmbushur premtimin e lëvizjes së lirë dhe pa viza të shtetasve të Shqipërisë në vendet e Bashkimit Evropian. Një zyrtar i lartë evropian që u takua dje me Berishën në Tiranë, tha se nuk ka ende ndonjë afat të përcaktuar se kur do të mund të hiqet regjimi tërësor i vizave. Drejtori për Ballkanin në Komisionin Evropian, Pierr Mirel, tha se liberalizimi i plotë i regjimit të vizave është në dorë të autoriteteve të Tiranës, duke nënkuptuar përmbushjen e udhëzuesit që i është dorëzuar qeverisë. “Udhëzuesi është pak a shumë një listë kushtesh që duhet përmbushur. Heqja e detyrimit të vizave nuk ka për shtysë një kalendar, por ka reformat”, - tha zyrtari evropian. Ai ishte po aq i qartë në përcaktimin e reformave, që sipas evropianëve lidhen ngushtësisht me nevojën dhe arritjen e mirëkuptimit ndërpartiak. Mirel theksoi se mesazhi i tij kryesor ishte konsensusi politik për reformat politike parësore. “Ne diskutuam çështjen e liberalizimit të vizave. Për këtë ne duam ndihmën e qeverisë shqiptare, që të punojë shumë për plotësimin e kushteve të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, që do të na ndihmonte ne që t’u rekomandojmë vendeve anëtare të Bashkimit Evropian liberalizimin e vizave me Shqipërinë”, - tha Mirel. Ai theksoi gjithashtu, se Shqipëria dhe vendet e tjera në rajon kanë një luftë të gjatë me korrupsionin. Sipas Mirelit, “ky është një proces i gjatë, për të cilin masat janë marrë dhe duhet të vazhdojnë të merren”, ndaj ai shtoi se progresi është i rëndësishëm “jo vetëm për përgatitjen e Shqipërisë për hapin e ardhshëm, por edhe sepse është pjesë e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave”. “Në reformën zgjedhore, reformën në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit tashmë një sërë masash janë ndërmarrë dhe ajo që ne diskutuam, është zgjidhja e çështjes së pronës, e cila do të çojë në investime në të ardhmen. Qëllimi im kryesor ishte konsensusi për sa u përket këtyre reformave politike kyçe”, - tha Mirel. Qëndrimin e drejtorit evropian për çështjen e vizave dhe të reformave e pranoi Berisha, kur tha se, “siç e tha zoti Mirel, përgjegjësia është në anën e qeverisë. Ndaj duhet të vazhdojmë me vendosmëri reformën për zgjidhjen e problemeve të pronësisë, të vazhdojmë frymën konsensuale me opozitën në reformat e mëdha dhe të rëndësishme që duhet të marrë vendi, si reformën zgjedhore, reformën në sistemin e drejtësisë dhe reforma të tjera”, - premtoi sakaq Berisha. Sakaq, KE-ja do t’i akordojë Shqipërisë 200 milionë euro për tre vitet e ardhshme për sa i përket ecurisë së mëtejshme të reformave që duhet të ndërmarrë vendi për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Mirel u prit edhe nga ministri i Jashtëm, Lulzim Basha. Ministri e konsideroi dialogun politik për liberalizimin e vizave dhe dorëzimin e udhrrfyesit në 1 shtator të këtij viti, si nj hap t rndsishm n kuadrin e dialogut për heqjen e vizave BE-Shqipëri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›