E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjithqysh në Beograd

Ballistët janë zhgënjyer pasi udhëheqësit e Shkëndisë dhe Partizanit kanë rënë dakord që dy ndeshjet mes tyre të zhvillohen pa tifozë mysafirë. Megjithatë, simpatizuesit tetovarë thonë se do t’ia mësyjnë Beogradit, edhe pse frikësohen se mund të pengohen për të hyrë në territorin serb. Nga Valon Konushevci valon.konushevci@gazetaexpress.com më 09 korrik 2011 në ora 12:33

Tifozët tetovarë ‘Ballistët’ janë të zhgënjyer pasi të mërkurën e ardhshme nuk do të mund të udhëtojnë drejt Beogradit për ta përkrahur Shkëndijën në duel me Partizanin, në ndeshjen e parë të rrethit të dytë të kualifikimeve për Ligën e Kampionëve.

Dy përballjet mes kampionit maqedonas dhe atij serb, UEFA i konsideron si të rrezikut të lartë, sepse bëhet fjalë për një ‘betejë’ serbo-shqiptare. Për këtë përfaqësues të Federatës së Futbollit të Serbisë dhe Maqedonisë së bashku me drejtuesit e dy klubeve kanë rënë dakord të enjten që ‘Ballistët’ mos të udhëtojnë në Beograd e as ‘Grobari’ në Shkup.

Palët e kanë arritur këtë pajtueshmëri me qëllim që të shmangen ekseset e mundshme mes tifozëve shqiptarë dhe atyre serbë. Pjesë e këtij takimi ishin edhe zyrtarë të UEFA-s dhe të organeve të rendit nga Serbia e Maqedonia.

Mirëpo, kjo pajtueshmëri nuk u ka pëlqyer fare ‘Ballistëve’, të cilët veç ishin përgatitur për të udhëtuar drejt Beogradit në numër të madh.

“Është e vërtetë që të dyja klubet janë pajtuar që mos të udhëtojmë drejt Beogradit, por as ata të mos vijnë në Shkup. Normalisht që jemi të zhgënjyer, sepse këtë vendim e kanë marrë pa pëlqimin tonë”, deklaroi për Express njëri prej prijësve kryesor të ‘Ballistëve’, Shkëlzen Meta.

“Ne jemi përgatitur për të udhëtuar drejt Beogradit prej 700 deri në 1 mijë tifozë. I kemi kryer të gjitha përgatitjet për ta pasur një paraqitje shumë të mirë në Beograd, andaj jemi shumë të zhgënjyer me këtë vendim”, theksoi ai.

Megjithatë, ‘Ballistët’ duket se nuk e kanë ndërmend ta respektojnë pajtueshmërinë e palëve. Tifozët e njohur maqedonas insistojnë për të shkuar në Beograd të mërkurën e ardhshme.

“Megjithatë, ne do të shkojmë. Ne do të nisemi dhe çfarë do të ndodhë nuk e di. Por, ne do të nisemi”, tha Meta.

Pajtueshmëria mes palëve ishte arritur në kohën kur ‘Ballistët’ nëpërmjet një komunikate për opinion u kishte bërë thirrje shqiptarëve që tu bashkohen në rrugëtimin e tyre drejt Beogradit.

“Kënaqësitë e jetës lidhen me emocione, Shkëndija dhe Ballistet t’i garantojnë ato. A je Shqiptar? Çka pret? Na erdh vakti! Nisemi për në Beograd! Një ditë si kjo e ëndërruam me shekuj, e kujtuam gjatë, e pritëm me emocione drithëruese, me lot - tani e kemi, erdhi, bashkohu dhe bëhu pjesë e udhëtimit më të madh...”, thuhej në kumtesën e ‘Ballistëve’, të cilëve mezi nuk u pritej që midis Serbisë ta këndonin këngën ‘Besa-Besë’.

“Pse t’i mbyllim sytë në ditën kur kombi, Tetova, shkëndija dhe Ballistet- përfaqësohen nga një zë, nga zëri ynë, nga zëri që ruajti energji shekuj me radhë, për tu bë më i fuqishëm si kurrë, pikërisht në këtë ditë. Tani më koha erdhi, na mbetet neve të tregojmë se sa e mbajmë fjalën dhe se sa i qëndrojmë Besnik klubit që çdo ndeshje ja kemi kënduar: Himnin madhështorë ‘BESA BESË’...” thuhej pos tjerash në komunikatë, në të cilën ‘Ballistët’ u kishin premtuar bashkëkombëseve të tyre se do t’i prezantojnë shkëlqyeshëm në Beograd, në një garë të rëndësishme evropiane.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›