Duke lexuar vëllimin “Diellftohti”, të poetit Faslli Haliti
"Diellftohti" ( libri më i ri poetik ) i Faslli Halitit është bërë akull, brymë, dëborë, në vite e shekuj, duke bërë të dridhen të gjithë të mirët. Me ftohjen e tij "ngroh" vetëm ata që s’kanë nevojë për rreze, që iu pëlqen mjegulla, errësira, hija e ftohtë e honeve dhe humnerave. Por atë qe nuk e bene "Diellftohti" e bën vetë Faslli Haliti me shpirtin dhe muzën e tij. Që andej burojnë rreze drite dhe ngrohtësi për të mbjellë e rritur fidanë e lule me aromë dhe ngjyra te shumëllojshme, në parkun tashmë shumë te njohur, "Faslli Haliti". Në atë park i gjen te gjitha; relievin e thyer dhe te sheshte, shëtitoret, stolat, shatërvanët, fushat e golfit, pishinat e freskëta, gjelbërimin gjithstinore, gjithçka qetësuese, çlodhëse, frymëzuese. Parku "Faslli Haliti" është i veçante. Projekti, stili, ideja, gjetjet, figurat, janë te gjitha origjinale dhe mbajnë vetëm firmën e tij. Zor se mund te gjesh ne parqe të tjera piktura poetike që të kenë dritëhije, nuanca dhe ngjyra të këtij lloji. Në mes të këtij parku unë dalloj një shkolle të re, ku lexoj bukur artin e vërtetë, i cili më shkakton ngjeshje ne gjoks, dridhje, në shpirt dhe drite në buzë. Në atë shkollë janë shkruar me germa kapitale veçanërisht dy linja: Thjeshtësia e Faslli Halitit: njeri, dhe madhështia e Faslli Halitit: poet. Këto të dyja janë lidhur aq ngushtë, sa nuk bëjnë dot pa njëra-tjetrën. E para i ka "ndihmuar" mediokrit, injorantet mburravec, të tentojnë "ta mësojnë", ta bëjnë "të bindurin e tyre", duke u hequr si "kapedanë", "profesorë" dhe "akademikë" (poema «Të gjithë më mësojnë.») Dhe nuk është ndonjë çudi, të të mësoj ai që s'di. Injorantët drejtojnë dhe në qeveri. Por kur gjenden përpara tij, i tmerron ndjenja e inferioritetit ndaj Faslli Halitit: poet, që shkëlqen dhe i verbon. Haliti nuk acarohet, e aq më tepër të grindet me ta. U ka dhëne lamtumirën si nxënës, mësues dhe poet. Ata që kanë dashur ta sundojnë, poeti i ka sunduar me artin e tij. Arti i poetit Faslli Halitit, i vesh kostumin poetik një realiteti që vuan nga sëmundjet helmbjellëse, prandaj shpesh të bën të kënaqesh hidhur. Me fjalë të kursyera metaforike e filozofike, ai godet fort armiqtë e dritës, godet ata të cilëve u pëlqen të fshihen e të majmen në errësirë:
“Ujku/ Mjegull do/ Dhe te ne ka mjegull”. (Te ne) Ose: “Mjegull/ në mal/ Mjegull në fushë/ Ujqit/ Në festë/ Të alarmuara/ kopetë...” (Mjegulla) Dhe dihet që bijtë e errësirës janë miqtë e Djallit. Ata i bëjnë shoqëri edhe poetit që ai të bëhet shok me djallin, prandaj poeti i drejtohet Zotit që ta shpëtojë. Dhe nëse Zoti, nuk e shpëton dot, atëherë ai, nuk është Zot: “Po më bën për vete djalli çdo ditë/ Shpëtomë, të lutem, zoti Zot/ S’dua të jem shok i djallit/ Satanait.../ Si ?!/ S’më shpëtuake dot?/ Në djall, atëherë, edhe ti, zoti Zot!” (Në djall) Të ngjyesh penën në realitetin e hidhur, do të thotë të vesh gishtin në plagë. Të fshish mjegullën nga sytë e verbër që rendin pas erës së ujkut, duke e pasur ujkun përpara. Duhet besuar poeti, sepse ai vete nuk u beson atyre që ndërrojnë, atyre që ndryshojnë ngjyrat dhe fytyrat. Ata s’kanë vend në kopshtin “Faslli Haliti”, i cili i pyet: “Kujt t’i besoj, kujt?”, duke e lënë dilemën pa përgjigje, që atë ta japë vetë lexuesi. sepse ai nuk e pranon sundimin dhe përgatitet “për një kryengritje te tmerrshme...”, paçka se e pranon “mbretin-fëmijë”. Në këtë vëllim, si në të gjithë vëllimet e tjerë, çdo poezi ka një kurorë të artë: “S’ka pyll/ Pa derra/ Si thoni/ t’i djegim pyjet?” ( Djegia ) Ose: “Nesër/ Më ke/ Patjetër aty/ Po a do të jem, nesër, unë?” (Nesër) Kjo kurorë e artë e poezive sipas meje, e ul poetin në fronin e mbretit. Njëherësh ai mbetet ashtu siç e kam njohur gjithmonë, imazh mirësie sepse “nuk ia zë kujt kokën me dere...!”
Nga Firence, Qerim Skënderaj
KONCERTI
Duoja Meunier-Somezi këndojnë në sallën “Tefta Tashko”
Mbrëmjen e djeshme në sallën “Tefta Tashko” në Ministrinë e Turizmit Kulturës Rinisë dhe Sporteve është zhvilluar koncerti i duos Meunier-Somenzi me pjesëmarrjen e jashtëzakonshme të vilinçelistit Alain Meunier nga Franca dhe Massimo Somenzi (Itali). Ky aktivitet ka ardhur si bashkëpunim i MTKRS-së me shoqatën “Artistët Interpretë”. Në programin e koncertit nuk kanë munguar pjesët e njohura nga kompozitorët Bethoven, Debussy dhe Brahms.
18 Shtator 2008