E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dinamit makinës së tregtarit të kromit, dyshohet hakmarrja

BULQIZË- Është tronditur dje në mëngjes qyteti i Bulqizës, nga një shpërthim i fuqishëm. Burime të sigurta informacioni pohuan për “Mapo” se ngjarja e rëndë ka ndodhur në lagjen “Minatori” të këtij qyteti. “Shpërthimi me lëndë plasëse, dinamit, ka ndodhur në afërsi të shtëpisë së Arben Duriçit. Pas shpërthimit është konstatuar se objekt i sulmit ka qenë makina tip Land Rover, me targë T 361 EDP, në pronësi të shtetasit Arben Duriçi, mjet i cili është dëmtuar plotësisht”, thanë burime pranë Drejtorisë së Policisë Qarkut Dibër. Shumë shpejt në vendin e ngjarjes kanë mbërritur efektiva të policisë lokale dhe më pastaj edhe grupi hetimor nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Dibër. Mësohet se shpërthimi ka ndodhur rreth orës 04 dhe se mjeti ndodhej në oborrin e kushëririt të Arben Duriçit.

Ky mjet, që i ishte besuar Nebi Duriçit, shfrytëzohej nga Artan Duriçi, vëllai i Arbenit, dhe transportonte çdo ditë punëtorët nga qyteti në sektorin D, ku vëllezërit Duriçi kishin minierën e tyre të licencuar. Zakonisht familja Duriçi i parkonte mjetet në afërsi të shtëpisë, në një livadh. Por natën e fundit, mjeti është parkuar nga Nebi Duriçi, në oborrin e shtëpisë së tij, pasi njëri nga pronarët ndodhet në burg dhe tjetri kishte vajtur në kryeqytet. Grupi hetimor ka pyetur fillimisht Nebi Duriçin dhe të afërmit e vëllezërve Duriçi, për të mësuar rreth ndonjë konflikti të mundshëm të tyre me persona të tjerë.

Pistat e hetimit

Herë pas here, individë apo subjekte të ndryshme, janë përplasur keq me armë në këtë qytet. Mendohet se edhe ngjarja e fundit lidhet me rivalitetin mes bulqizakëve për sektorët minerarë apo stoqet e kromit. Megjithëse policia nuk ka dalë me një deklaratë për shtyp, mësohet se pronari i mjetit të shkatërruar plotësisht është Arben Duriçi, i cili ndodhet në burg që nga fillimi i janarit të këtij viti. Ai dhe të afërmit e tij u përfshinë në një konflikt të armatosur në qendër të qytetit. Bilanci i këtij konflikti shkaktoi vdekjen e shtetasit Femi Kurçami, 48 vjeç, baba i tre fëmijëve, plagosjen e Shpëtim Reka, 25 vjeç dhe Eleonard Ndreu, 27 vjeç. Policia identifikoi si autorë të kësaj ngjarje Arben Duriçin, Ardian Duriçin dhe Ilir Jangulli, i cili nuk është kapur ende nga policia. Pra, njëra nga pistat e hetimit është mundësia e ndonjë hakmarrje për ngjarjen e 5 janarit 2011. Pista tjetër e hetimit lidhet me konkurrencën që subjektet private kanë mes tyre. Janë të shumta përplasjet me armë në këtë qytet për zonat e influencës. Minierën e vëllezërve Duriçi aktualisht e menaxhon Artan Duriçi. Mjeti që u shkatërrua mëngjesin e djeshëm shërbente për transportin e punëtorëve nga qyteti i Bulqizës deri në sektorin minerar. Familjarët nuk janë të qartë për motivin e ngjarjes, madje justifikohen duke deklaruar se nuk i kanë askujt borxhe dhe se policia dhe drejtësia duhet të gjejë e ndëshkojë autorët.

P. HASA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›