Gjoba ndaj Bombajt, Gjykata e Lartë shuan arrestin për “Stresin”
Tiranë- Gjykata e Lartë vendosi dje të shfuqizojë masën e sigurimit “arrest me burg” ndaj këngëtarit Arkimed Lushaj, i njohur ndryshe si “Stresi”; dhe mikut të tij Elis Basha, të akuzuar për gjobëvënie ndaj regjisorit Leonard Bombaj. Vendimi i Gjykatës së Lartë i kthen teorikisht lirinë “Stresit”, edhe pse vendimi i Apelit të Krimeve të Rënda nuk u ekzekutua asnjëherë nga policia me justifikimin se të kërkuarit nuk gjendeshin në banesat e tyre. Duke përfituar nga ky fakt, Arkimed Lushaj dhe Elis Basha, me detyrë punonjës policie, kanë kundërshtuar masën shtrënguese të sigurisë duke iu drejtuar Gjykatës së Lartë. Në dy seanca të posaçme, dy kolegje të ndryshme penale vendosën ditën e djeshme të rrëzojnë vendimin e Apelit, duke lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë që kishte caktuar masën e sigurisë “detyrim për paraqitje” ndaj dy të rinjve. I pari që ka rifituar lirinë edhe pse vendimi i arrestit nuk u ekzekutua asnjëherë, ishte Elis Basha me detyrë punonjës policie, i transferuar së fundmi në një nga komisariatet e kryeqytetit. Seanca gjyqësore ndaj tij nisi rreth orës 9 të mëngjesit, ndërsa relatori i çështjes ishte kreu i dhomës penale, gjyqtari Gani Dizdari. Pasi dëgjuan avokatin e Bashës dhe argumentet e përfaqësuesit të Prokurorisë së Përgjithshme, Kolegji Penal vendosi të shfuqizojë vendimin e Apelit, duke lënë në fuqi vendimin e dhënë nga shkalla e parë. E njëjta praktikë u ndoq edhe nga Kolegji Penal me relator gjyqtarin Aleksandër Muskaj, i cili mori në shqyrtim kërkesën e avokatit të Arkimed Lushës për ndryshimin e masës së sigurimit personal. Rreth mesditës, gjykata vendosi të caktojë ndaj “Stresit” masën e sigurisë “detyrim për paraqitje”, duke rrëzuar kështu vendimin e arrestit që lëshoi një muaj e gjysmë më parë Gjykata e Apelit për Krime të Rënda. Arkimed Lushaj dhe Elis Basha janë dy nga katër të dyshuarit për gjobëvënie ndaj regjisorit Leonard Bombaj. Sipas prokurorisë, këta dy persona së bashku edhe me dy të dyshuar të tjerë si dhe një nga ish-nxënëse e regjisorit Bombaj, dyshohet se i kanë vënë gjobë këtij të fundit në këmbim të mosbërjes publike të marrëdhënies intime. Sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda, rezulton se më 22 korrik të vitit të shkuar katër të dyshuarit në shoqërinë e ish-studentes së Bombajt, e cila e akuzoi regjisorin për përdhunim, kanë shkuar në shtëpinë e tij duke e kërcënuar dhe kërkuar të holla. Po atë ditë, tre prej të dyshuarve së bashku me vajzën kanë shoqëruar regjisorin drejt një banke në Rrugën e Elbasanit, ku ka tërhequr shumën prej 500 mijë lekësh nën presionin e të rinjve. Ky fakt denoncohet në deklarimet e Bombajt, i cili thotë se në bankë ata kanë shkuar me automjetin e tij, të cilin të dyshuarit e kanë shitur kundrejt shumës së 5 mijë eurove, edhe pse vlera e makinës ishte të paktën dyfish. Gjatë hetimit të çështjes, prokuroria ka sekuestruar filmimet e kryera nga kamerat e bankës ku janë tërhequr paratë, ku duket fare qartë automjeti tip “Benz” në pronësi të Bombajt me targë TR 9485 L dhe të rinjtë që e shoqëronin atë. Makina ka ndaluar në krah të bankës dhe prej andej ka dalë regjisori Bombaj, i cili pasi ka tërhequr në bankomat shumën prej 500 mijë lekësh ka hipur sërish në makinën që nuk drejtohej prej tij. Fotografitë e nxjerra nga pamjet filmike të kamerave të sigurisë që disponon banka tashmë janë bërë pjesë e dosjes hetimore, duke konfirmuar kështu, sipas prokurorisë, se regjisori është kanosur me qëllim dhënien e pasurisë. Gjithashtu, një tjetër provë, që sipas akuzës tregon se katër të rinjtë Arkimed Lusha, Rolado Kurti, Elis Basha dhe Sebastjan Ukcamaj dhe një person i pa identifikuar, kanë kanosur regjisorin është edhe kontrata e bërë para noterit për ndryshimin e pronësisë së automjetit të tij tip “Benz”, i cili i është kthyer pronarit vetëm pas ndërhyrjes së babait të njërit nga të akuzuarit.