Qeveria paguan 2 mln euro për tokën e Ambasadës Italiane
Tiranë- Këshilli i Ministrave ka vendosur të ekzekutojë vendimin e Gjykatës së Strasburgut, duke paguar 1.9 milionë euro për ish-pronarët e tokës ku sot ndodhet ambasada italiane. Sipas vendimit të djeshëm të qeverisë, familjes Vrioni do t’i dëmshpërblehet e gjithë shuma e përcaktuar në vendimin e Strasburgut. “Ekzekutimi i vendimit të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, datë 7.12.2010, për çështjen nr.35720/04 dhe nr.42832/06, “Vrioni dhe të tjerë kundër Shqipërisë”, në shumën 1 900 000 euro, si dhe pagesën e tatimit mbi të ardhurat për dëmshpërblimin, në masën 10 për qind të kësaj shume. Autoriteti përgjegjës për ekzekutimin e këtij vendimi është Ministria e Financave dhe afati përfundimtar për kryerjen e ekzekutimit është data 18.7.2011.”-thuhet në vendimin e qeverisë. Më tej thuhet se shuma e përcaktuar si detyrim të depozitohet në një nga bankat e nivelit të dytë, në emër të ankuesve, Shahin Vrioni, Oliver Vrioni, Dario La Francesca dhe Gherardo La Francesca dhe të konvertohet në lekë me kursin e këmbimit të bankës, ku është depozituar shuma, në datën e kryerjes së pagesës. “Pagimi i shumës së depozituar në favor të ankuesve Shahin Vrioni, Oliver Vrioni, z. Dario La Francesca, dhe Gherardo La Francesca, të bëhet nga Ministria e Financave, pas paraqitjes së të gjithë dokumentacionit ligjor të nevojshëm për kryerjen e pagesave nga buxheti i shtetit.” – bëhet e ditur në vendim. Gjykata e Strasburgut, më datë 7.12.2010 vendosi penalizmin e qeverisë shqiptare me një shumë prej 1.9 milionë eurosh. Këtë shumë, qeveria duhet t’ia paguajë pjesëtarëve të familjes Vrioni për pronën e zënë për Ambasadën Italiane në Tiranë, për të cilën kjo familje nuk ishte kompensuar edhe pas vendimeve të tri shkallëve të gjyqësorit në vend. Th.Samarxhiu