Garë e nxehtë për Shaqirin
Falë paraqitjeve të mira që i pati në dy sezonet e fundit me Baselin dhe përfaqësuesen e Zvicrës, Xherdan Shaqiri ka tërhequr vëmendjen e shumë klubeve të njohura evropiane.
Madje, gara e klubeve me famë në Evropë për t’i siguruar shërbimet e futbollistit kosovar secilën herë po nxehet më shumë.
Së fundmi në këtë ‘luftë’ ka hyrë edhe ekipi i njohur italian, Fiorentina, siç kanë raportuar të shtunën disa media të këtij vendi. Interesimi i Fiorentinës për Shaqirin vjen në të njëjtën kohë kur gjiganti italian, Juventus seriozisht po e vëzhgon 19-vjeçarin.
“Juve, Fiorentina do ta ‘grabitë’ Shaqirin?”, thuhej të shtunën në uebfaqen TuttoJuve.com.
Madje, disa media italiane dhe zvicerane para pak ditëve kanë raportuar se drejtori gjeruar i ‘Zonjës së Vjetër’, Giuseppe Marotta, shpejt pritet të udhëtojë drejt Zvicrës për të kërkuar informata rreth futbollistit të Baselit.
Ndërkohë, përveç Fiorentinës e Juventusit, sipas mediave italiane, mesfushori ka rënë edhe në radarë të këtyre skuadrave të tjera nga Serie A: Milanit, Interit, Napolit e Lazios.
Përveç skuadrave italiane, sipas mediave të huaja, për Shaqirin interesim kanë shfaqur edhe disa skuadra nga Premierliga angleze, si Liverpool, Manchester United, etj.
Krahas italianëve e anglezëve, në këtë garë për 19-vjeçarin kanë hyrë edhe shumë skuadra nga Bundesliga gjermane si Hamburg, Bayern Munchen, Borussia Dortmund, Bayer Leverkusen, etj.
Po ashtu, interesim për gjilanasin ka shfaqur edhe klubi rus, Zenit St. Petersburg dhe gjiganti turk, Fenerbahçe, por edhe ekipe të tjera.
Aktualisht, Shaqiri ka kontratë me Baselin deri në vitin 2014. Por, kjo skuadër vështirë se do t’u përballojë gjithë këtyre ofertave të klubeve të mëdha evropiane, andaj, sipas të gjitha gjasave, Shaqiri pritet të ndërrojë mjedis qysh në afatin kalimtar të verës. Këtë mundësi nuk e ka përjashtuar as vetë futbollisti.
“Diçka konkrete nuk ka dhe nuk di çfarë të them. Kam kontratë me Baselin dhe jam i përqendruar vetëm në këtë skuadër. Duhet të presim afatin kalimtar të verës dhe të shohim atëherë se çfarë do të ndodhë. Tani për tani jam i përqendruar vetëm në Basel”, ka thënë Shaqiri për Express.
Kampioni zviceran e vlerëson reprezentuesin e këtij shteti rreth 7.5 milionë euro. Por, vlera e kartonit të tij mund të rritet deri në afatin kalimtar të verës, kur dihet se shumë skuadra duan ta transferojnë Shaqirin shumë të talentuar.