E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjoba per shpifjen hiqet denimi me burg

Komisioni i ligjeve bie dakord me konsensusin e palëve për heqjen e dënimit me burg për dekriminalizimin e shpifjes. Palët ranë dakord që shpifja do vijojë të jetë një vepër penale, e cila përfshihet edhe në Kodin Penal edhe në Kodin Civil, por do të hiqet dënimi me burg, por jo gjoba.
Gjobat për këtë vepër penale do të jenë nga 15 mijë lekë deri në 1 milion lekë në rastin e shpifjes, ndërsa nga 50 mijë deri në 3 milionë lekë në rastin e përsëritjes. Palët arritën konsensus për këtë, ndërsa demokratët kërkuan heqjen nga kodi penal të shpifjes.
Ndërkaq po sot në Komisionin e ligjeve me konsensusin e palëve është hequr mbrojtja penale e presidentit të Republikës, dhe është mbajtur në Kodin Penal mbrojtja e gjyqtarëve, prokurorëve, jo si individë, por veprimtaria e tyre në proces, në mënyrë që të mbrohet sistemi.
Gjithashtu në komision ka pasur një sërë ndryshimesh teknike, ndërsa nesër komisioni i ligjeve do të vijojë me propozimet nga shoqëria civile për dhunën në familje, drogën, prostitucionin dhe krimin elektoral, ky i fundit ka gjetur konsensus në komisionin e reformës zgjedhore , por që duhen përfshirë edhe në kodin Penal.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›