E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjobat e para

Komisioni Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (KZAP) ka shqiptuar gjobat e para për subjektet politike te të cilit është gjetur se nuk janë sjellë në përputhje me rregullat e garës.

Pesë mijë euro është gjoba më e madhe e shqiptuar nga ky komision dhe ato në shumicën e rasteve kanë të bëjnë me mbulimin e billbordëve që subjektet politike po ia bëjnë njëra tjetrës.

Zyrtarja e KZAP, Florie Krasniqi, ka thënë të hënën për Radio Dukagjini se subjektet kanë afat që këtë gjobë ta paguajnë brenda 15 ditëve, në të kundërtën, ato nuk do të certifikohen në zgjedhjet e ardhshme.

Pesëdhjetë e tri ankesave i janë drejtuar Komisionit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për zgjedhjet lokale që do të mbahen me 15 të këtij muaji. Nga to, KZAP ka trajtuar vetëm 25.

Krasniqi ka thënë se pas trajtimit të lëndëve disa subjekte janë gjobitur deri në pesë mijë euro.

Ka pasur vendime te ndryshme, mirëpo ka pasur edhe aso raste kur janë gjobitur partitë politike. Gjobitja ka qenë afro pesë mijë euro. Këto dënime më së shumti kanë të bëjnë me mbulimin e billbordëve, tha ajo.

Krasniqi nuk ka dashur ti bëjë të ditura subjektet të cilat janë dënuar, me arsyetimin se kjo është konfidenciale deri në hapjen e faqes zyrtare të internetit të këtij komisioni, në të cilin do të publikoheshin të gjitha rezultatet e vendimeve të panelit.

Kryesues Komisionit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa është Tahir Rrecaj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›