Kushtetuesja edhe tri gjykime për 2009-n
22/12/2009 Mbyllja e sezonit
“Konstatimi i cenimit të së drejtës për proces të rregullt ligjor si rezultat i mosekzekutimit të vendimit gjyqësor të formës së prerë”, - është ky objekti i kërkesës ankimore të qytetarëve Vero Hoxha dhe Njazi Shehu drejtuar Gjykatës Kushtetuese ndaj Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave dhe Zyrës së Përmbarimit Tiranë. Për të dyja këto çështje Kushtetuesja do të çelë gjykimin paraditen e ditës së nesërme në largësi një orë nga njëra-tjetra. Ndërkohë që dy ditë më vonë ajo do të shqyrtojë një kërkesë ankimore të firmës “Elgakoti” ndaj Ministrisë së Shëndetësisë dhe Drejtorisë së Shëndetit Publik Vlorë. “Konstatimi i cenimit të së drejtës për një proces të rregullt ligjor si rezultat i mosekzekutimit të plotë dhe brenda një afati të arsyeshëm të vendimit gjyqësor të formës së prerë nr. 84, datë 4.02.1999 të gjykatës së rrethit gjyqësor Vlorë”, - është një pjesë e objektit të kërkesës së subjektit në fjalë. Po ashtu “Elgakoti” kërkon gjithashtu që Ministria e Shëndetësisë, drejtoria e shëndetit publik të qarkut të Vlorës dhe instituti i sigurimeve të kujdesit shëndetësor të qarkut të Vlorë të shpërblejnë dëmin financiar në shumën 749.467 lekë, plus interesat ligjorë, si dhe dëmin jofinanciar në shumën e vlerësuar nga gjykata nëpërmjet ekspertëve kontabël.