E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish- Polici: Njoftova për incidentet, më hoqën nga puna

Inspektori i Rendit të zonës së Gërdecit pohoi në gjykatë, se kishte tentuar të hynte në fabrikë por ishte penguar

"Pasi më larguan nga policia, Minxholli më punësoi si magazinier. Kur ika nga detyra në magazina kishte 480 tonë barut"


TIRANË- Ish-inspektori i Rendit në Komisariatin e Policisë nr.2 në kryeqytetit, që mbulonte zonën e Gërdecit, Mustafa Dina, dhe njëkohësisht ish-magazinier i kësaj punishte të demontimit të municioneve, dëshmoi dje në gjykatës se për fabrikën e ndërtuar në Gërdec kishte lajmëruar me shkrim dhe gojë shefat e tij.


I thirrur nga organi i akuzës, Dina në cilësinë e dëshmitarit, sqaroi se në kohën që kryente detyrën e inspektorit të zonës nuk ishte lejuar nga rojet private të objektit, të hynte brenda rrethimit të fabrikës së demontimit në Gërdec për të parë se ç'bëhej në të.


"Kam punuar inspektor rendi në Komisariatin nr.2 të kryeqytetit deri më 1 korrik 2007 kur jam liruar nga detyra për shkak të moshës. Gjatë kohës që punoja në polici, isha inspektor i zonës së Gërdecit. Aty ka qenë një repart që ruhej nga Ushtria dhe nga vera e 2007-s, nisën punime dhe punonin shumë banorë të zonës.


Kam shkuar për të parë se çfarë bëhej aty, pasi më thanë banorët se po demontonin municione, por nuk më lejuan rojet private të hyja brenda. Më pas kam mësuar nga banorët se aty punonin shumë persona në demontimin e municioneve të kalibrave të vegjël",-tha Dina.


Gjithashtu, ai pohoi se se një natë në fabrikë kishte rënë zjarr dhe kjo ishte konstatuar nga patrulla e rendit në atë zonë. "Një natë, kur isha ende në punë, mësova nga patrulla e rendit se natën vonë, kishte pasur zjarr në fabrikë dhe një shpërthim i vogël. Për këtë konstatim është mbajtur raport shërbimi që i është komunikuar shefave.


Edhe për punën që kishte nisur në fabrikë unë kam njoftuar me gojë dhe shkrim eprorët e mi, si dhe për pengimin tim për të hyrë brenda nga rojet private, kam njoftuar gojarisht ashtu edhe me shkrim",-nënvizoi dëshmitari Dina.


Më pas sqaroi dëshmitari, se më 1 korrik 2007 ishte liruar nga policia për shkak të moshës së pensionit dhe për të mos ndenjur pa punë, ai është drejtuar tek fabrika e Gërdecit, ku sipas tij po kërkonin punëtorë.


"Një javë pasi u lirova nga policia, shkova në Gërdec për të kërkuar punë. Kam takuar Dritan Minxhollin që më pranoi, duke më caktuar si magazinier të deponimeve të barutit që demontohej nga municionet e kalibrave të vegjël. Aty kam punuar deri në shtator të 2007, kur përfundoi projekti.


Gjatë punës në magazina, nuk ka pasur ndonjë incident dhe çdo të shtunë i dorëzoja drejtorit një raport për sasinë që ishte deponuar në magazinë. Ditën që dorëzova detyrën, raportova se në tri depo ndodheshin 24 mijë arka me nga 20 kg barut, në to e barabartë 480 mijë kg barut"-tha Dina para gjykatës.


Kur gjykata thirri dëshmitarin e dytë për këtë seancë gjyqësore, u vu re nga trupi gjykues se nga salla ishte larguar avokati Maksim Haxhia që mbron të pandehurin Mihal Delijorgji dhe kompaninë "Albademil", si dhe të pandehurën Juliana Margarita.


Për këtë shkak gjykata ndërpreu seancën gjyqësore për të vazhduar të premten tjetër, me datë 19 mars në orën 9:30. Deri atëherë gjykata i pezulloi afatet e paraburgimit të të arrestuarve për llogari të kësaj dosje penale, ndërsa iu kërkoi avokatëve që seancën tjetër të mos mungonin.


Minxholli:
Patrik Henri nënshkroi kontratë për barutin

Pas dëshmisë së Dinës, i pandehuri Dritan Minxholli, deklaroi se baruti deponohej për llogari të Patrik Henrit që e shiste në Belgjikë. "E gjithë sasia e barutit që ka dalë nga demontimi i municioneve administrohej për llogari të Patrik Henrit.


Ai solli disa belgë, ekspertë baruti, që pasi e provuan cilësinë e barutit, bënë një marrëveshje me Patrik Henrin duke blerë barutin.


Në tetor 2007 sasia e parë e barutit është transportuar për në Belgjikë për llogari të Patrik Henrit"-tha Minxholli duke tentuar të rëndojë pozitën e tij në këtë çështje penale.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›