E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbahet debat për barazinë gjinore

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, Departamenti i Fakultetit të Filozofisë dhe Sociologjisë, sot organizoi debatin me temën “Perspektiva institucionale e barazisë gjinore në Kosovë”, me ç’rast është debatuar për implementimin e Ligjit për barazi gjinore, realizimin, mangësitë dhe ngecjet e këtij ligji, si dhe respektimi i të drejtave të barabarta në fushat e ndryshme të jetës shoqërore.

Shefja e Departamentit të Filozofisë, Hasnije Ilazi, është shprehur se aktiviteti i këtij institucioni do të jetë jo vetëm përgatitja profesionale e stafit të ri, por edhe përfshirja e plotë në sferën intelektuale, të cilat do të krijojnë kushte për ndryshime pozitive. Shemsi Krasniqi, shef i Departamentit të Sociologjisë, ka thënë së këto lloj aktivitetesh jo vetëm e sensibilizojnë, por edhe e ndriçojnë problemin.

Shqipe Krasniqi, udhëheqëse e zyrës për Barazi Gjinore, ka thënë se programi i Kosovës për barazi gjinore është aprovuar më 24 prill 2008 në Qeverinë e Kosovës dhe në qershor të atij viti është proceduar në Kuvend, por fatkeqësisht edhe pas dy viteve ky dokument nuk është shqyrtuar nga ana e ligjvënësve.

Sipas Krasniqit, përqindja aktuale e grave në institucionet qendrore dhe lokale është 37. 87 për qind, e burrave 60.29 për qind. Në vitin 2008 ka pas 14.5 për qind gra në pozita vendimmarrje, ndërsa tash ka një lëvizje për 2 për qind.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›