Anëtarësia e PS-së: Jo fraksioneve në parti

77 për qind e të anketuarve nga anëtarësia e PS-së refuzojnë që të legalizohet oponenca kolektive
Tiranë - Partia Socialiste nuk do të institucionalizojë mendimin ndryshe brenda radhëve të saj. Ky ka qenë verdikti i dhënë nga anëtarësia e kësaj force, e cila gjatë një sondazhi për ndryshimet statutore, të kryer në muajt dhjetor-janar, është shprehur kundra legalizimit të fraksioneve në parti.
Të pyetur nëse duhet të legalizohet oponenca kolektive në PS, siç njihen ndryshe fraksionet, rreth 77 për qind e të anketuarve që në këtë rast kanë qenë anëtarë të kësaj partie, janë përgjigjur jo.
Shifrat kanë dalë nga përpunimi i përgjigjeve të dhëna në pyetësorët e plotësuar nga baza dhe që dje i është vënë në dispozicion grupit të punës që po punon për ndryshimet statutore dhe që kryesohet nga kreu i Asamblesë Kombëtare, Gramoz Ruçi. Burime nga ky grup pune kanë bërë të ditur se në materialin e marrë në diskutim prej tij, midis të tjerave ekzistonte edhe përgjigja negative e dhënë prej socialistëve, për sa i përket fraksioneve.
Në këtë mënyrë, tashmë, ky vullnet i shprehur në këtë sondazh pritet të sanksionohet edhe në statutin e partisë, duke bërë të pamundur që grupime të caktuara që mendojnë ndryshe nga linja zyrtare e partisë, siç është edhe Lëvizja për Mendim Ndryshe (LMN) të mund të organizohen institucionalisht dhe të kenë kuotat e caktuara të përfaqësimit në të gjitha strukturat drejtuese të partisë.
Megjithatë, para se të kalojnë në procesin final, pra atë të miratimit në kongres, grupi i punës i ngritur për hartimin e paketës së ndryshimeve statutore do të përkthejë shifrat e dala nga ky sondazh në propozime konkrete.
Për këtë qëllim, grupi i punës në mbledhjen e zhvilluar, dje ka vendosur që të gjitha përfundimet e dala nga ky testim, ku natyrisht anëtarësia ka shprehur mendimin e saj edhe për çështje të tjera organizative, t'i përpunojë dhe t'i paraqesë në formën e një draft-statuti të ri, për t'i diskutuar edhe një herë me strukturat drejtuese të partisë, si dhe për t'i paraqitur më pas për miratim në kongres.
Për këtë qëllim, grupi i punës është ndarë në tre nëngrupe të tjera, të cilat do të punojnë për kapitujt e veçantë të statutit. Kështu, njëri grup pune do të përpunojë të dhënat dhe do të hartojë propozimet konkrete, për sa i përket pjesës së dispozitave të përgjithshme të statutit.
Nëngrupi i dytë do të studiojë të dhënat e marra nga pyetësorët dhe do të përgatisë draftin e propozimeve për sa i përket funksionimit dhe organizimit të strukturave lokale të partisë. Ndërsa grupi i tretë do të merret me përgjigjet e dhëna nga baza për çështjet që përfshijnë strukturat qendrore të partisë dhe që kanë të bëjnë kryesisht me funksionimin dhe kompetencat e tyre.
Të tre nëngrupet kanë vetëm dhjetë ditë kohë për të përgatitur edhe raportet respektive, të cilat do të bashkohen për t'u paraqitur si një draft i vetëm para strukturave të larta drejtuese të partisë në rang rrethi dhe më pas për t'u miratuar në kongresin e radhës të partisë që është parashikuar të mblidhet gjatë muajit prill.